Ballina IA Anthropic ndalon përpjekjet për përdorimin e IA-së në zhvillimin e armëve biologjike

Anthropic ndalon përpjekjet për përdorimin e IA-së në zhvillimin e armëve biologjike

Studiues të ndryshëm duket se janë përpjekur ta përdorin inteligjencën artificiale për projekte që mund të kenë rëndësi edhe për zhvillimin e armëve biologjike. Anthropic, konkurrent i OpenAI dhe zhvillues i modelit Claude, ka bllokuar disa prej këtyre përpjekjeve.

Kompania amerikane Anthropic bëri të ditur se gjatë muajve të fundit ka ndaluar disa përpjekje të studiuesve për të përdorur modele të ndryshme të sistemit të saj Claude në lidhje me zhvillimin e mundshëm të armëve biologjike.

Megjithatë, kompania theksoi se është e vështirë të përcaktohen objektivat e sakta të kërkesave të tilla, pasi kërkimi përkatës mund t’u shërbejë si qëllimeve mjekësore, ashtu edhe atyre ushtarake.

Sipas Anthropic, këto raste tregojnë në çdo rast se shkencëtarë nga rajone ndaj të cilave ekzistojnë kufizime dhe që kanë lidhje me institucione shtetërore të këtyre vendeve janë përpjekur të sigurojnë në mënyrë të fshehtë qasje në inteligjencën artificiale të zhvilluesve amerikanë.

Kompania nuk bëri publik emrat e institucioneve kërkimore dhe as vendet nga të cilat vinin studiuesit.

Në një raport të hollësishëm për përpjekjet për keqpërdorimin e modeleve të saj të IA-së, Anthropic renditi pesë raste që lidheshin me kërkime potencialisht relevante për zhvillimin e armëve biologjike.

Sipas kompanisë, në këto raste studiuesit nuk kërkonin ndihmë konkrete shkencore, por më shumë mbështetje organizative, për shembull për hartimin e dokumenteve dhe materialeve të ndryshme.

Publicitet

Modelet e inteligjencës artificiale janë të programuara në parim që të refuzojnë ndihmën për zhvillimin e armëve biologjike. Por kur bëhet fjalë për kërkime që mund t’u shërbejnë si mjekësisë, ashtu edhe qëllimeve ushtarake, ndonjëherë është e vështirë të vendoset një kufi i qartë mes synimeve të padëmshme dhe atyre keqdashëse, shpjegoi Anthropic.

Kërkime të rrezikshme mbi gripin e shpendëve

Në një nga përpjekjet e bllokuara, një përdorues ishte përpjekur ta përdorte Claude për të hartuar një kërkesë për financim të një projekti kërkimor mbi një virus.

Bëhej fjalë për të ashtuquajturat kërkime “gain-of-function”, ku rritet aftësia e një patogjeni për t’u transmetuar.

Kjo është një metodë që përdoret në laboratorë, ndër të tjera, për të studiuar sëmundjet dhe për të zhvilluar masa kundër tyre, por njëkohësisht mund të krijojë njohuri që mund të përdoren edhe për zhvillimin e armëve biologjike.

Në një rast tjetër, sipas Anthropic, ishte bërë përpjekje që Claude të përdorej për hartimin e një plani kërkimor mbi një variant të gripit të shpendëve që do të mund të transmetohej te gjitarët.

Edhe këtu kompania thekson se një kërkim i tillë mund t’i shërbejë parandalimit të epidemive, por në të njëjtën kohë krijon njohuri të rrezikshme që mund të përdoren për zhvillimin e armëve.

Një shkencëtar tjetër kishte dashur ta përdorte Claude për përgatitjen e raporteve tremujore të progresit në kërkimet mbi një toksinë.

Spiunazh në Kinë, Iran dhe Afrikën Perëndimore

Anthropic paralajmëroi gjithashtu për përdorimin e inteligjencës artificiale për spiunimin e kundërshtarëve të qeverive dhe të pakicave.

Kompania përmendi ndër të tjera Kinën dhe Iranin dhe tha se kishte ndaluar përdorimin e modeleve të saj të IA-së në disa raste të tilla gjatë periudhës nga janari deri në korrik.

Përveç Kinës dhe Iranit, raste të ngjashme ishin identifikuar edhe në Afrikën Perëndimore.

Sipas Anthropic, operacionet e spiunazhit kishin në shënjestër “të njëjtat grupe të diasporës dhe të disidentëve që historikisht kanë qenë objektiv i këtyre regjimeve”.

Në mesin e tyre përfshiheshin aktivistë prodemokracisë në Hong-Kong, grupe tibetiane, anëtarë të Falun Gong-ut në Azi, pakica në Iran si dhe kundërshtarë të qeverisë iraniane që jetojnë jashtë vendit.

Në një rast, aktorë iranianë kishin zhvilluar një mjet për identifikimin e personave përmes profileve të tyre në rrjetet sociale.

Në një rast tjetër, një kontraktor i autoriteteve të sigurisë në Mali kishte përdorur Claude për të zhvilluar softuer për mbikëqyrje.

Kompania me seli në San Francisko akuzoi gjithashtu zhvillues kinezë se kishin përdorur fshehurazi Claude për t’iu përgjigjur kërkesave të përdoruesve, ndërkohë që njëkohësisht trajnonin modelet e tyre duke shfrytëzuar sistemin e Anthropic.

Sipas kompanisë, ndërmarrja kineze e inteligjencës artificiale Moonshot kishte përdorur 5.380 llogari të rreme brenda një periudhe dhjetëditore dhe kishte kaluar pothuajse 300.000 kërkesa të përdoruesve përmes sistemeve të Anthropic./welt.de