Qytetarët do të mund t’i kenë letërnjoftimin dhe patentë-shoferin edhe në formë elektronike në telefonin e tyre celular, përmes aplikacionit të ri shtetëror “m.Shërbime”, i cili aktualisht po testohet, ndërsa promovimi i tij është paralajmëruar për muajin tetor.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, tha se aplikacioni tashmë është gati dhe se ideja është që gradualisht, në një vend të vetëm, të bashkohen dokumentet dhe shërbimet elektronike që qytetarët i përdorin në komunikimin me shtetin.
“Premtova se në gjysmën e dytë të mandatit do të arrijmë të përgatisim një aplikacion mobil. Tani më në fund mund të them se ai është gati dhe aktualisht po e testojmë. Në tetor do të organizojmë një ngjarje të madhe, ku do ta promovojmë para qytetarëve”, tha Andonovski.
Në versionin e parë të “m.Shërbime” do të jenë të disponueshme letërnjoftimi elektronik dhe patentë-shoferi elektronik, si dhe disa shërbime elektronike të administratës publike.
“E konceptojmë si një aplikacion që do t’ju nevojitet për gjithçka që dëshironi të kryeni dhe që lidhet me shtetin. Aktualisht ekzistojnë disa aplikacione dhe sisteme të ndryshme, ndërsa synimi ynë është që shërbimet për qytetarët t’i bashkojmë në një vend të vetëm”, shpjegoi ministri.
Përdorimi i aplikacionit nuk do të jetë i detyrueshëm. Qytetarët që nuk do të dëshirojnë ta përdorin atë do të mund të vazhdojnë të identifikohen me dokumentet fizike, ndërsa shkarkimi dhe përdorimi i “m.Shërbime” do të jenë falas.
Aplikacioni është zhvilluar si pjesë e një projekti me vlerë 1,5 milionë euro, por, sipas Andonovskit, zhvillimi i tij nuk është paguar nga buxheti i shtetit. Projekti është siguruar në bashkëpunim me institucionet kompetente të Polonisë dhe Ukrainës, si dhe me Bashkimin Evropian.
“Aplikacioni është zhvilluar nga inxhinierë maqedonas, është produkt maqedonas dhe mbetet në pronësi të shtetit”, tha Andonovski.
Me futjen në përdorim të dokumenteve elektronike shtrohet edhe çështja e pranimit të tyre nga institucionet. Andonovski thotë se ende ka institucione që refuzojnë dokumentet elektronike, edhe pse, sipas tij, kanë detyrim ligjor t’i pranojnë ato.
Ai paralajmëroi mbikëqyrje nga inspektorati kompetent dhe zbatimin e gjobave të parashikuara ndaj personave juridikë që nuk do ta respektojnë ligjin.
“Kemi lënë kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për përshtatje, por tani duhet ta respektojmë ligjin dhe të jemi në hap me botën”, porositi ministri.
“m.Shërbime” nuk do të kufizohet vetëm te letërnjoftimi, patentë-shoferi dhe paketa fillestare e shërbimeve elektronike. Plani është që aplikacioni të përmirësohet vazhdimisht dhe të pajiset me funksionalitete të reja.
Qëllimi përfundimtar, sipas Andonovskit, është që deri në vitin 2028 aplikacioni të shndërrohet në një portofol digjital evropian. Ai pretendon se, me realizimin e këtij plani, Maqedonia do të ishte ndër rreth pesëmbëdhjetë shtet/TNet e para evropiane me një aplikacion të këtij lloji./TN















