Ballina Lajme Si vazhdoi një gjigant kinez i teknologjisë në listën e zezë të...

Si vazhdoi një gjigant kinez i teknologjisë në listën e zezë të blinte çipat më të mirë amerikanë të IA-së

Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Inspur për shkak të punës së saj me ushtrinë kineze. Por filiali i kompanisë vazhdoi të dërgonte çipat më të avancuar të Nvidia-s për të furnizuar kompanitë kryesore kineze të inteligjencës artificiale.

Nga Ana Swanson, Paul Mozur, Tripp Mickle dhe Keith Bradsher

Ana Swanson raportoi nga Uashingtoni dhe Jinani në Kinë; Paul Mozur nga Tajvani dhe Singapori; Tripp Mickle nga Milpitas, Kaliforni; ndërsa Keith Bradsher nga Jinani.

Për vite me radhë, jashtë njërit prej shumë zyrave të zakonshme dhe pa shumë veçori të Silicon Valley-t qëndronte një tabelë me mbishkrimin Inspur, emri i njërës prej kompanive më të rëndësishme teknologjike të Kinës.

Qendra e kërkimit dhe zhvillimit teknologjik dhe fabrika prodhuese e Aivres në Fremont të Kalifornisë.
Foto: Minh Connors/The New York Times

Por në mars të vitit 2023, Shtetet e Bashkuara e futën Inspur Group në të ashtuquajturën “Entity List” – Listën e Subjekteve – një listë të zezë me më shumë se 3.000 kompani, të cilave u janë vendosur kufizime për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara, sepse konsiderohen rrezik për sigurinë.

Jo shumë kohë më vonë, tabela me emrin Inspur u zëvendësua me një tjetër ku shkruhej Aivres, emri i filialit të ri amerikan të Inspur. Filiali vazhdoi punën e kompanisë mëmë kineze, duke e ndihmuar atë të ndërtonte një rrjet të fuqishëm global për sigurimin e kapaciteteve kompjuterike që furnizojnë industrinë kineze të inteligjencës artificiale, e cila po zgjerohet me shpejtësi.

Publicitet

Pamjet nga Google Maps të qershorit 2022 dhe tetorit 2024 tregojnë se kompania hoqi tabelën Inspur dhe e zëvendësoi atë me një tabelë Aivres. Foto: Google

Filiali në Silicon Valley, i cili duket se ka shfrytëzuar disa boshllëqe në legjislacionin amerikan të eksportit, ka luajtur një rol kyç në mënyrën se si Inspur ka anashkaluar kufizimet amerikane.

Zyrtarët federalë kanë filluar të shqyrtojnë aktivitetin e filialit, por nuk është e qartë se në çfarë faze ndodhet ky hetim, thanë katër zyrtarë që folën në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar ta diskutonin çështjen.

The New York Times shqyrtoi mijëra regjistrime dërgesash, dokumente korporative dhe kontrata furnizimi për të rindërtuar mënyrën se si funksionon rrjeti i Inspur.

Gazetarët vizituan gjithashtu lokacione në Kinë, Azinë Juglindore dhe Kaliforni dhe biseduan me më shumë se një duzinë zyrtarësh aktualë dhe ish-zyrtarësh, drejtuesish të kompanive teknologjike dhe analistësh të industrisë.

Qeveria amerikane ndalon dërgimin te çfarëdo kompanie në Kinë të çipave më të avancuar, siç është Blackwell i gjigantit të Silicon Valley-t Nvidia.

Ligji amerikan gjithashtu i ndalon çdo kompanie, kudo në botë, që të blejë në emër të një kompanie të futur në listën e zezë produkte të kufizuara të prodhuara duke përdorur teknologji amerikane.

Por ekzistojnë shumë pak kufizime që ua ndalojnë kompanive kineze të kenë nga distanca qasje në qendrat e të dhënave për inteligjencën artificiale të vendosura në Azinë Juglindore.

Çështja nëse kompanitë kineze po fitojnë qasje në teknologjitë më të fundit – veçanërisht në çipat kompjuterikë të nivelit të lartë të prodhuar nga Nvidia – është kthyer në një prej temave më të debatueshme në Silicon Valley dhe Uashington.

Drejtuesit e kompanive dhe zyrtarët amerikanë druhen se Kina mund ta përdorë inteligjencën artificiale për sulme kibernetike, mbikëqyrje dhe operacione ushtarake.

Kompanitë kineze të IA-së po e ngushtojnë gjithashtu diferencën në performancë ndaj sistemeve të krijuara nga konkurrentët e tyre amerikanë, duke nxitur dyshime se ato mund të jenë duke përdorur teknologji amerikane.

Nga prilli 2024 deri në shkurt 2026, Aivres eksportoi nga Shtetet e Bashkuara drejt Azisë Juglindore teknologji të avancuar me vlerë të paktën 5,6 miliardë dollarë.

Sipas të dhënave tregtare të analizuara nga kompania e të dhënave ImportGenius dhe The New York Times, në këto eksporte përfshiheshin më shumë se 3 miliardë dollarë kompjuterë që përmbanin çipa Blackwell të teknologjisë më të fundit dhe pajisje të tjera Nvidia.

Kjo teknologji përfundoi në qendra të të dhënave dhe kompani teknologjike në Azinë Juglindore që u shërbejnë gjigantëve më të mëdhenj teknologjikë të Kinës, përfshirë Alibaba dhe ByteDance, tregojnë të dhënat tregtare.

Mes marrësve ishte edhe Megaspeed, kompani e lidhur me Kinën, për të cilën autoritetet amerikane kanë hetuar nëse ka kontrabanduar çipa të kufizuar drejt Kinës.

Një filial i Megaspeed ka lidhje financiare me Alibaba, sipas dokumenteve të biznesit në Malajzi.

Skema e evidentuar nga The New York Times paraqet një zinxhir në të cilin Aivres, filiali amerikan i Inspur, shet çipa dhe teknologji të avancuar nga Shtetet e Bashkuara te kompani ndërmjetëse si Megaspeed dhe Aolani Cloud në Malajzi, të cilat ofrojnë shërbime cloud për kompani kineze, ndër to Alibaba dhe ByteDance.

Teknologji të tjera kaluan nga rrjeti i filialeve globale të Inspur drejt një prodhuesi elektronik në Malajzi, i cili ka dërguar në Kinë serverë pa etiketa identifikuese, por me çmime shumë të larta, sipas të dhënave tregtare kryesisht nga Malajzia dhe Indonezia.

Serverët i dërgoheshin një kompanie të re të quajtur Maginfra, e cila, sipas kontratave kineze dhe dokumenteve të prokurimeve publike, ka furnizuar universitete kineze dhe kompani shtetërore me kompjuterë me performancë të lartë.

Një skemë tjetër tregon se çipat dhe komponentët kalonin nga filialet e Inspur te kompania malajziane Innospec, prej së cilës më pas arrinin te Maginfra, kompani me seli në Kinë pranë Inspur.

Maginfra më pas u shet serverë universiteteve, bankave dhe kompanive kineze.

Sipas skemës, bëhet fjalë për një kompani kineze me lidhje të ngushta me Inspur.

Inspur, Aivres, Maginfra, Alibaba dhe ByteDance nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Megaspeed gjithashtu nuk dha koment.

John Rizzo, zëdhënës i Nvidia-s, tha se kompania nuk mbështet “devijimin e produkteve” nga destinacionet e tyre të autorizuara dhe se shet tek partnerë të njohur “të cilët punojnë me ne për t’u siguruar që të gjitha shitjet janë në përputhje me rregullat amerikane të kontrollit të eksporteve”.

Çipat Nvidia Grace Blackwell dhe modulet e ndërprerësve Nvidia GB300 NVLink janë shembuj të teknologjisë së avancuar me vlerë prej më shumë se 5,6 miliardë dollarësh që Aivres eksportoi nga Shtetet e Bashkuara. Foto: Manuel Orbegozo/The New York Times; Mike Kai Chen/The New York Times

Administrata Trump tërhoqi kufizimet e epokës Biden që kishin të bënin me qasjen nga distanca të kompanive kineze në qendrat e të dhënave në vende të tjera, ndërsa si administrata ashtu edhe Kongresi kanë shqyrtuar rregulla të reja që do t’i zëvendësonin ato.

Rizzo i Nvidia-s tha se ky aktivitet ekonomik kishte sjellë “dhjetëra miliarda dollarë dhe vende pune me paga të larta në vend”.

Administrata ka mbajtur gjithashtu një qasje më të kujdesshme ndaj vendosjes së sanksioneve mbi kompanitë kineze, pasi përpjekjet e vitit të kaluar për zgjerimin e Listës së Subjekteve shkaktuan reagime të ashpra nga Kina.

Brenda Departamentit të Tregtisë, i cili administron këtë listë, gjashtë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë përshkruan një agjenci që, sipas tyre, e kishte humbur gatishmërinë për të ndjekur raste që përfshinin Kinën ose Nvidia-n.

Kanë kaluar dhjetë muaj pa u shtuar asnjë kompani në Listën e Subjekteve – periudha më e gjatë e tillë në 18 vjet.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se administrata Trump kishte vendosur regjimin më rigoroz të kontrollit të eksporteve në historinë moderne dhe se ishte e përkushtuar ndaj mbrojtjes së sigurisë kombëtare të Amerikës.

Por Jordan Nanos, analist në kompaninë e kërkimeve teknologjike SemiAnalysis, i cili ka studiuar aktivitetin e Aivres, tha se kompania operonte në Shtetet e Bashkuara me të njëjtët serverë, punonjës dhe zyra si kompania e saj mëmë, Inspur, ndërsa autoritetet federale dukej se kishin bërë shumë pak për këtë.

“A po përpiqen t’i ndalojnë apo jo?”, tha ai.

Vend tjetër, e njëjta taktikë

Shumica e amerikanëve nuk kanë dëgjuar kurrë për Inspur, por kompania është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të serverëve kompjuterikë.

Ajo gjithashtu ka arritur t’i shmanget një sanksioni pas tjetrit.

Në mars 2023, Shtetet e Bashkuara e shtuan Inspur Group në të ashtuquajturën Listë të Subjekteve, në përpjekje për ta shkëputur nga teknologjia amerikane për shkak të punës së saj për ushtrinë kineze. Foto: The New York Times

Kur Shtetet e Bashkuara e futën Inspur në listën e zezë në vitin 2023, kompania mori një emër të ri në Shtetet e Bashkuara.

Në Kinë, Inspur mori një adresë të re.

Lista e Subjekteve, të cilën Shtetet e Bashkuara e përdorin për të bllokuar tregtinë me kompani të caktuara, zbatohet ndaj emrit dhe adresës specifike të kompanisë që qeveria ka përcaktuar në vendimin e saj.

Vetëm disa ditë pasi u fut në listë në vitin 2023, Inspur regjistroi aktivitetin e saj kryesor në një ndërtesë tjetër pak më tutje në të njëjtën rrugë.

Katër muaj më parë, një gazetar i The New York Times vizitoi atë adresë në qytetin Jinan, në lindje të Kinës.

Ishte një ndërtesë e zakonshme, pa tabela identifikuese, përveç një banke në katin përdhes.

Një roje sigurie konfirmoi se Inspur kishte një zyrë atje, por tha se në të nuk punonin shumë njerëz.

Sipas tij, Inspur në të vërtetë ndodhej në parkun industrial më poshtë në rrugë.

Atje situata ishte krejt ndryshe.

Brenda një kompleksi të madh të rrethuar me një gardh shkurresh trëndafilash dhe rreshta motoçikletash ngriheshin një varg ndërtesash të larta me ngjyrë gri të errët.

Brenda portave, një tabelë e kuqe shfaqte një nga sloganet kryesore të udhëheqësit kinez Xi Jinping:

“Ëndrra kineze”.

Inspur, shumica e aksioneve të së cilës zotërohen nga provinca Shandong, fillimisht ishte një fabrikë shtetërore elektronike.

Ajo zhvilloi pajisjen e parë pager në botë që mund të shfaqte shkronja kineze.

Më shumë se një dekadë më parë, ushtria dhe shteti kinez filluan të përdornin serverët e Inspur për të zvogëluar varësinë nga kompanitë e huaja.

Kjo e bëri Inspur një objektiv të autoriteteve amerikane.

Në vitin 2020, administrata Trump e përfshiu kompaninë në një listë të kompanive ushtarake kineze.

Në vitin 2023, administrata Biden deklaroi se Inspur Group kishte kërkuar teknologji amerikane për ndërtimin e superkompjuterëve ushtarakë dhe e futi në Listën e Subjekteve.

Kjo nënkuptonte se kompanitë amerikane nuk mund t’i dërgonin më produkte pa një licencë të posaçme.

Por shumë shpejt u shfaq një boshllëk në sistem.

Kompani si Intel kishin shitur produkte te filiali i Inspur dhe jo drejtpërdrejt te kompania mëmë, ndërsa urdhri amerikan nuk e përfshinte filialin.

Dy vjet më vonë, administrata e dytë Trump mbylli një pjesë të këtij boshllëku, duke futur në listën e zezë disa filiale të Inspur.

Aivres nuk ishte mes tyre.

Lidhja që bie më së shumti në sy

Të dhënat tregojnë se serverë të avancuar dhe teknologji të tjera me vlerë miliarda dollarë kanë kaluar nga Aivres dhe filialet e tjera globale të Inspur te kompanitë e shërbimeve cloud dhe të montimit të pajisjeve në të gjithë Azinë Juglindore.

Një lidhje në veçanti bie në sy.

Maginfra u krijua në Kinë vitin e kaluar dhe shumë shpejt nisi një aktivitet të fuqishëm tregtar me një kompani elektronike malajziane, e cila kryen transaksione me kompanitë e Inspur në Hong-Kong, Kinën kontinentale, Shtetet e Bashkuara dhe Singapor.

Maginfra importoi nga Malajzia në Kinë serverë me vlerë prej më shumë se 700 milionë dollarësh brenda një periudhe gjashtëmujore, tregojnë të dhënat e ImportGenius.

Mes tyre kishte më shumë se 1.500 serverë, çmimet e të cilëve përputheshin me ato të pajisjeve me aftësi të avancuara të inteligjencës artificiale.

Regjistrimet tregtare nuk japin përshkrime të hollësishme të serverëve apo të çipave që ndodheshin brenda tyre, por tregojnë çmimin për njësi.

Maginfra ka një prani shumë të kufizuar publike dhe, të paktën në dokumente, nuk ka ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me Inspur.

Por edhe ajo është në pronësi shtetërore dhe ndodhet vetëm pak më poshtë në rrugë nga selia qendrore e Inspur.

Dokumentet e kompanisë tregojnë se përfaqësuesi ligjor i kompanisë mëmë të Maginfra ka mbajtur poste në kompani të lidhura me filialet ose partnerët investues të Inspur.

Sipas Wirescreen, një platformë të dhënash, shumë prej patentave të regjistruara nga Maginfra janë paraqitur nga shpikës që kanë punuar për Inspur.

Faqet e internetit të dy kompanive gjithashtu kanë ngjashmëri të habitshme.

Pamje nga faqja e internetit e Inspur, majtas, dhe nga faqja e Maginfra, djathtas, tregojnë ngjashmëri të dukshme.

Kur një gazetar i The New York Times vizitoi të martën adresën e regjistruar të Maginfra në Kinë, vendi dukej i braktisur.

Brenda një dhome të vogël të mbyllur, pa tabela identifikuese, ndodheshin vetëm disa karrige dhe tavolina bosh.

Punonjësit në atë kat thanë se nuk kishin parë askënd ta përdorte zyrën, ndërsa recepsionistët e ndërtesës thanë se nuk kishin dëgjuar për Maginfra.

Kur gazetari i The Times vizitoi të martën adresën e deklaruar të Maginfra, ambienti dukej i braktisur.
Foto: The New York Times

Dokumentet publike të analizuara nga C4ADS, një organizatë jofitimprurëse kërkimore me seli në Uashington, tregojnë se universitete kineze – disa prej tyre me lidhje me kërkime në fushën e mbrojtjes – kanë kërkuar dhe, në disa raste, kanë siguruar serverë me çipa kompjuterikë të avancuar të ndërtuar nga Maginfra dhe Inspur.

Maginfra nënshkroi gjithashtu në nëntor një kontratë për shitjen e teknologjisë së informatikës me performancë të lartë me vlerë 165 milionë dollarë te një divizion i një banke shtetërore kineze, sipas një dokumenti të depozituar në Bursën e Hong-Kongut.

“Është shumë e vështirë ta shohësh këtë dhe të mos mendosh se kemi të bëjmë me një rrjet kinez të sponsorizuar nga shteti për anashkalimin e kontrolleve të eksportit”, tha William George, drejtor i kërkimeve në ImportGenius, i cili analizoi të dhënat tregtare.

Megjithatë, administrata Trump miratoi këtë vit një licencë për Maginfra që i mundësonte kompanisë të merrte çipat më pak të fuqishëm H200 të Nvidia-s, sipas dokumenteve të shqyrtuara nga The New York Times.

Reuters kishte raportuar më herët për këtë licencë.

Ndërkohë, filiali Aivres vazhdon të ketë një prani shumë të dukshme në Silicon Valley.

Kompania reklamonte serverë për inteligjencë artificiale që përdornin teknologjinë e AMD-së dhe ishte renditur si partner “elite” i Nvidia-s, si dhe sponsor i konferencës së saj vjetore në San Jose të Kalifornisë.

AMD nuk pranoi të komentonte.

Në maj, Nvidia njoftoi se Aivres ishte mes më shumë se dy duzinave kompanish që kishin hyrë në prodhim në shkallë të plotë të serverëve që do të furnizonin gjeneratën e ardhshme të teknologjisë së saj për inteligjencën artificiale.

Nga komentet

Ana Swanson, gazetare për ekonominë:

“Raportimi i kësaj historie ishte një udhëtim më vete. Teksa kolegët e mi dhe unë po hetonim vitin e kaluar një kompani tjetër të akuzuar për kontrabandë të çipave të IA-së, hasëm në diçka të jashtëzakonshme: çipa të inteligjencës artificiale të Nvidia-s me vlerë miliarda dollarë, ndër më të avancuarit që prodhon kompania, po eksportoheshin drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara nga një njësi e kompanisë kineze Inspur, ndaj së cilës ishin vendosur vazhdimisht sanksione për shkak të punës së saj me ushtrinë.”

“Pavarësisht këtyre sanksioneve, kompania ishte bërë një nga kanalet kryesore të furnizimit të qendrave të të dhënave në Azinë Juglindore, të cilat u shërbejnë kompanive kineze si Alibaba dhe ByteDance. Kjo është e ligjshme, por disa e konsiderojnë një boshllëk gjigant në rregullat amerikane.

Të dhënat tregonin gjithashtu një tregti masive të komponentëve dhe serverëve ndërmjet filialeve globale të Inspur, një kompanie elektronike malajziane dhe një kompanie të re kineze të quajtur Maginfra, e cila ka dërguar përsëri në Kinë sasi të mëdha serverësh të shtrenjtë.”

“Më herët gjatë këtij viti, zyrtarët e administratës Trump miratuan licencën e Maginfra për çipat H200 të Nvidia-s. Megjithatë, Maginfra ka ngjashmëri të pazakonta me Inspur dhe, kur The Times vizitoi adresën e saj të regjistruar në Kinë, ajo ishte e braktisur.

Disa analistë të Kinës besojnë se Maginfra është një kompani fasadë e Inspur – potencialisht vetëm një hallkë tjetër në rrjetin global të kompanive që synojnë sigurimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale.”

Autorët

Ana Swanson mbulon tregtinë dhe ekonominë ndërkombëtare për The New York Times dhe punon në Uashington. Ajo është gazetare prej më shumë se një dekade.

Paul Mozur është korrespondent global i teknologjisë për The New York Times, me seli në Taipei. Më parë ka shkruar për teknologjinë dhe politikën në Azi nga Hong-Kongu, Shangai dhe Seuli.

Tripp Mickle raporton për The New York Times mbi disa prej kompanive më të mëdha teknologjike në botë, përfshirë Nvidia, Google dhe Apple. Ai shkruan gjithashtu për tendencat në industrinë teknologjike, si shkurtimet e vendeve të punës dhe inteligjenca artificiale.

Keith Bradsher është shef i byrosë së The New York Times në Pekin. Më parë ka qenë shef byroje në Shangai, Hong-Kong dhe Detroit, si dhe korrespondent në Uashington./NYT