Ballina Aktualitet Dita e Saubermacher-it – Më pranë qytetarëve përmes shërbimeve digjitale

Dita e Saubermacher-it – Më pranë qytetarëve përmes shërbimeve digjitale

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Më 8 tetor, në Sheshin e Qytetit në Tetovë, Saubermacher organizoi aktivitetin publik „Dita e Saubermacher-it“, kushtuar qytetarëve të komunës.

Në pikën informuese të vendosur në shesh, ekipi i Saubermacher-it iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve dhe i ndihmoi gjatë regjistrimit dhe përdorimit të ueb-faqes dhe aplikacionit mobil të kompanisë. Përmes këtyre mjeteve digjitale, qytetarët mund t’i ndjekin dhe t’i paguajnë lehtësisht faturat e tyre online. Në një atmosferë miqësore, qytetarët vizituan pikën informuese, biseduan me ekipin, morën informacione për shërbimet dhe një pjesë e tyre u regjistruan për të përdorur mjetet digjitale.

Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve të kompanisë për të përmirësuar komunikimin me përdoruesit dhe për të ofruar shërbime digjitale më të thjeshta, më të qasshme dhe më të lehta për t’u përdorur.

Inkurajues është fakti se përdorimi i shërbimeve digjitale shënon rritje të vazhdueshme. Në fund të vitit 2024, rreth 1.800 përdorues ishin të regjistruar për shfrytëzimin e tyre, ndërsa sot numri i tyre arrin afërisht 3.800. Gjatë muajit shtator 2026, nga gjithsej 27.900 fatura të lëshuara, më shumë se 4.500, përkatësisht mbi 16%, u dërguan në mënyrë elektronike.

„Digjitalizimi na mundëson të ofrojmë shërbime më të shpejta dhe më praktike, duke reduktuar njëkohësisht përdorimin e letrës. Në të njëjtën kohë, mbetemi të përkushtuar ndaj komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Përmes ‘Ditës së Saubermacher-it’ synojmë t’i ndihmojmë qytetarët t’i përdorin më lehtë shërbimet tona dhe të forcojmë bashkëpunimin me ta, me një qëllim të përbashkët – një Tetovë më të pastër“, theksuan nga Saubermacher Tetovë.

Vëllimi i aktiviteteve operative të kompanisë pasqyrohet edhe në rezultatet e arritura që nga fillimi i vitit. Në periudhën nga janari deri në shtator 2026, Saubermacher Tetovë grumbulloi dhe transportoi mbi 25.000 tonë mbeturina komunale, ndërsa automjetet operative të kompanisë kanë kaluar rreth 225.000 kilometra në territorin e Komunës së Tetovës.

Saubermacher Tetovë do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e shërbimeve, zhvillimin e zgjidhjeve digjitale dhe ruajtjen e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, nën moton „Së bashku për një Tetovë më të pastër“.