Presidenti Recep Tayyip Erdoğan deklaroi se e ardhmja e Turqisë është në duar të sigurta dhe tha: «Shekulli i Turqisë do të mbajë vulën e brezit të TEKNOFEST-it».
Në fjalimin e mbajtur në TEKNOFEST Güneydoğu, presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha se e ardhmja e Turqisë është në duar të sigurta.
Duke u shprehur se e ndiqte me krenari atmosferën në TEKNOFEST Güneydoğu, presidenti Erdoğan tha: «Kjo atmosferë e jashtëzakonshme, këmbëngulja, entuziazmi dhe vendosmëria e të rinjve tanë këtu na tregojnë shumë qartë se e ardhmja e Turqisë, falë Zotit, është në duar të sigurta».
«BREZI I TEKNOFEST-IT DO TË LËRË GJURMË NË SHEKULLIN E TURQISË»
Duke theksuar se Turqia ka një të ardhme të hapur përpara, Erdoğan u shpreh: «Shekulli i Turqisë do të mbajë vulën e brezit të TEKNOFEST-it. Të rinjtë këtu janë thesari më i çmuar i këtij vendi».
«PO REALIZOJMË NJË REVOLUCION TË VËRTETË»
Presidenti Erdoğan deklaroi se Turqia po realizon një revolucion në industrinë e mbrojtjes dhe, duke iu drejtuar të rinjve, tha:
«Ju do të mbani mbi supe të ardhmen e Turqisë. Ju do ta valëvitni me sukses flamurin e luftës që dëshmorët dhe veteranët tanë e kanë lartësuar. Ky komb ju pret prej shekujsh. Bashkësia myslimane prej shekujsh pret një shenjë prej jush. Të shtypurit dhe ata që kanë pësuar padrejtësi ju presin me padurim prej epokash».
Pas fjalimit u bë përurimi i Qendrës së Shkencës së Şanlıurfas.
«ATA QË KANË TREGUAR NEGLIZHENCË NË SOMA DO TË JAPIN LLOGARI»
Pikat kryesore nga fjalimi i presidentit Erdoğan janë si më poshtë:
– Kushdo që ka treguar neglizhencë në aksidentin e ndodhur në minierën e Somës do të japë llogari.
– Sot po shohim edhe një herë me krenari nivelin që Turqia ka arritur në teknologji. I përgëzoj një për një të gjithë të rinjtë tanë që ekspozojnë produktet e tyre dhe që i kanë kthyer ëndrrat në realitet në TEKNOFEST Güneydoğu.
«E ARDHMJA E TURQISË ËSHTË NË DUAR TË SIGURTA»
– Kjo atmosferë e jashtëzakonshme, këmbëngulja, entuziazmi dhe vendosmëria e të rinjve tanë këtu na tregojnë shumë qartë se e ardhmja e Turqisë, falë Zotit, është në duar të sigurta. Rruga përpara, horizonti dhe fati i vendit tim janë plotësisht të hapur. Shekulli i Turqisë do të mbajë vulën e brezit të TEKNOFEST-it. Të rinjtë këtu janë thesari më i çmuar i këtij vendi.
«E PASHË KËTË BUKURI DHE U NDJEVA KRENAR»
– Kur zoti Selçuk më pyeti: «Ku ta organizojmë këtë aktivitet?», i thashë: «Şanlıurfa do të ishte vendi i duhur». Kur e ndoqa nga avioni këtë aktivitet në Şanlıurfa, me kaq shumë entuziazëm dhe pjesëmarrje, e pashë këtë bukuri dhe u ndjeva krenar. Mos harroni se ky është, para së gjithash, qyteti i profetëve. Göbeklitepe ndodhet brenda kufijve të këtij qyteti. Mijëra dijetarë kanë krijuar në këtë qytet veprat e tyre më të shquara në mjekësi, fizikë dhe filozofi.
«I SHKON PËR SHTAT ŞANLIURFAS»
– I thashë dhëndrit: «I shkon për shtat Şanlıurfas». Deshëm që të rinjtë tanë të mos i harrojnë rrënjët e tyre dhe ta ndërtojnë të ardhmen e Turqisë me këtë vetëdije. Deshëm që të rinjtë nga vende të ndryshme të botës që marrin pjesë në TEKNOFEST ta shohin dhe ta njohin më nga afër thellësinë e Turqisë. Në konkurset e teknologjisë u regjistruan më shumë se 730 mijë ekipe dhe mbi 1 milion e 600 mijë konkurrentë nga të 81 provincat tona dhe nga 97 vende. Po numri i vizitorëve deri më sot sa arriti? I është afruar 1 milionit.
– U shtuan kategori të reja konkurrimi, si 5G-ja, inteligjenca artificiale, gjurmimi i dronëve, sistemet e avancuara autonome, mjetet ajrore pa pilot për luftime, optimizimi i transportit ajror dhe lufta kundër varësisë. Hapësirat e reja për përvoja praktike dhe ekspozita i dhanë organizimit një pasuri të veçantë. I përgëzoj nga zemra të gjitha ekipet tona dhe të gjithë konkurrentët. Zoti jua bëftë të qëndrueshme këto suksese.
«JEMI TË EMOCIONUAR, JEMI ENTUZIASTË»
– Të dashur të rinj, dua të di çfarë mendoni. I patë produktet vendëse dhe kombëtare të mbrojtjes, apo jo? Ju pëlqyen KIZILELMA, KAAN, HÜRJET, ANKA dhe BAYRAKTAR TB2, apo jo? PARS, Gezgin, Boran, Fırtına, Korkut, Gökberk, Kalkan, Hisar, Ejderha… Mjetet tona tokësore morën vlerësimin tuaj maksimal, apo jo? Ju emocionuan dhe ju bënë krenarë, apo jo? Po, edhe ne mendojmë njësoj si ju. Jemi të emocionuar dhe entuziastë.
– Si një politikan që gjatë gjithë jetës ka ecur përkrah të rinjve dhe i ka mbështetur, dua ta them me gjithë zemër: të gjitha këto teknologji që shihni këtu, që ju pëlqejnë dhe ju mahnitin, në të ardhmen, dashtë Zoti, do t’i prodhoni ju. Në të ardhmen, dashtë Zoti, do të punoni së bashku me vëllezërit dhe motrat tuaja më të mëdha që i projektojnë, i zhvillojnë dhe i testojnë këto produkte.
«PREJ SHEKUJSH PRESIN NË PUSI»
– Ju do të mbani mbi supe të ardhmen e Turqisë. Ju do ta valëvitni me sukses flamurin e luftës që dëshmorët dhe veteranët tanë e kanë lartësuar. Ky komb ju pret prej shekujsh. Bashkësia myslimane prej shekujsh pret një shenjë prej jush. Të shtypurit dhe ata që kanë pësuar padrejtësi ju presin me padurim prej epokash. Por mos e harroni kurrë se ka edhe nga ata që duan t’ju ndalin, t’ju ngadalësojnë dhe t’jua shuajnë shpresat. Prej shekujsh qëndrojnë në gatishmëri, prej shekujsh presin në pusi. Nuk do t’ua jepni mundësinë që presin. Nuk do të bëni as lëshimin më të vogël për sa u përket vlerave dhe identitetit tuaj.
«PO REALIZOJMË NJË REVOLUCION NË INDUSTRINË E MBROJTJES»
– Si Turqi, po i vazhdojmë sukseset tona në industrinë e mbrojtjes. Në këtë fushë po realizojmë një revolucion të vërtetë. Më shumë se 4.500 kompani tona, nën koordinimin e Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes, po e ngrenë edhe më lart nivelin e suksesit. Me projektet që kemi vënë në zbatim dhe produktet që kemi zhvilluar, vazhdojmë të shkruajmë histori suksesi. Produktet, programet kompjuterike, platformat dhe pajisjet tona të mbrojtjes po i përfshijmë në inventarin e ushtrisë sonë heroike dhe të njësive tuaja të sigurisë./NTV















