Burime nga Policia bëjnë me dije se këngëtarja Eli Fara ka bërë denoncim për publikimin dhe shpërndarjen e videove intime që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjet. Sipas burimeve, denoncimi nuk është bërë ndaj kompozitorit Adi Hila, por ndaj personit ose personave që dyshohet se kanë publikuar materialet.
Në dëshminë e saj, këngëtarja Eli Fara nuk ka ngritur pretendime ndaj Hilës lidhur me filmimin apo publikimin e videove. “Jo, jo, nuk kam dijeni që jam filmuar”, ka thënë ajo.
Hetimi i Policisë vijon për të identifikuar personin që ka siguruar dhe më pas ka publikuar materialet intime.
Ndërkohë, kompozitori Adi Hila është marrë në pyetje nga ekspertët e Krimit Kibernetik në Policinë e Tiranës. Gjatë marrjes në pyetje, Hila raportohet se ka qenë i tronditur. Sipas burimeve, dëshmia e tij është përqendruar kryesisht te dyshimet se sistemi i kamerave mund të jetë hakuar.
Më herët, policia ka kryer edhe këqyrjen e studios së tij, ku dyshohet se mund të jenë realizuar disa prej filmimeve.
Deri në këtë fazë, autoritetet po verifikojnë të gjitha rrethanat e çështjes, ndërsa denoncimi i Eli Farës lidhet me publikimin e materialeve intime dhe jo me një akuzë ndaj Adi Hilës për përfshirje në filmimin ose shpërndarjen e tyre.















