Ballina Bota Lufta në hije e Putinit për Euroazinë

Lufta në hije e Putinit për Euroazinë

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Shërbimet gjermane të inteligjencës paralajmërojnë për një „konflikt të armatosur“ me Rusinë. Dëshmitari i tyre kryesor është Vladimir Putin, i cili kërcënon me përdorimin e armëve bërthamore.

Të dielën e kaluar, Friedrich Merz mbërriti në Kiev. Sirenat binin, ishte shpallur alarmi për sulme ajrore, ndërsa kancelari shpjegoi përse Gjermania është sot „mbështetësja më e fuqishme e Ukrainës“: „Ne nuk e bëjmë këtë vetëm për të mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës“, theksoi ai. „Ne e bëjmë këtë sepse është thellësisht në interesin tonë.“

Të nesërmen, të hënën, drejtuesit e shërbimeve gjermane të inteligjencës u mblodhën në Bundestag për seancën e tyre të përvitshme dëgjimore publike. Presidenti i Shërbimit Federal të Inteligjencës së Jashtme (BND), Martin Jäger, bëri deklarata dramatike: Rusia e konsideron Gjermaninë „kundërshtaren kryesore“. Ajo po zhvillon një „luftë në hije“ kundër Republikës Federale, e cila mund të përshkallëzohet në një „konflikt të armatosur“. Megjithëse për momentin nuk ekziston kërcënimi i një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj Gjermanisë, veprimet ruse „me intensitet të ulët“ kundër shteteve të veçanta anëtare të NATO-s – „fjala kyçe: njerëzit e vegjël të gjelbër“ – të ngjashme me ato gjatë aneksimit të Krimesë nga Rusia, janë „skenarë të besueshëm“.

Merz kishte folur për mundësi të tilla që një javë më parë. Më 1 tetor, gjatë një fjalimi në Münster, me rastin e ndarjes së Çmimit të Paqes së Vestfalisë për NATO-n, ai përshkroi se çfarë mund të ndodhte nëse lufta do të „kthehej në pjesën tonë të Evropës“. „A do të shndërroheshin atëherë vendet baltike në fushëbetejë?“, pyeti ai. „Cilat qytete të mëdha evropiane do të ishin në shënjestër të raketave balistike që Rusia po i lëshon sot kundër popullsisë së Kievit dhe Kharkivit? A do të na duhej në fund edhe ne gjermanëve ta përjetonim sërish drejtpërdrejt tmerrin e luftës?“ Sidoqoftë, që tani Gjermania ndodhet në „shënjestër“ të sulmeve hibride, përmes të cilave Rusia synon të „krijojë pasiguri“ në vend.

Po atë ditë foli edhe Vladimir Putin. Më saktë, ai dha një „intervistë“ rreth treorëshe në podiumin e Konferencës së Valdait, një prej forumeve më të rëndësishme ku Rusia paraqet pikëpamjet dhe imazhin e saj. Ajo që tha atje tingëllonte sikur synonte të përforconte paralajmërimin e kancelarit për përpjekjet ruse për të përhapur frikë. Konferenca ishte zhvendosur nga Soçi, në bregdetin e Detit të Zi, ku dronët ukrainas mund të arrijnë relativisht lehtë, në rajonin e Moskës. Megjithatë, Putin u paraqit si ai që kontrollon shkallën e përshkallëzimit. Ai përmendi armët bërthamore të Rusisë, përshkroi „shkatërrimin e gjithë jetës“ në një luftë bërthamore dhe pyeti të pranishmit: „A mund të garantojmë se këto armë nuk do të përdoren kurrë?“ Përgjigjen e dha vetë: „Sigurisht që jo.“ Në fund, Putin solli edhe një variant të thënies së njohur të shkrimtarit klasik rus Anton Çehov: „Nëse në aktin e parë një pushkë varet në mur, në fund ajo do të shkrepet.“

Megjithatë, Putin nuk konfirmoi vetëm paralajmërimin e kancelarit për përpjekjet ruse për frikësim. Pothuajse në të njëjtën kohë kur Merz, në Münster, e paraqiste sulmin ndaj Ukrainës si një sulm ndaj Gjermanisë dhe Evropës, Putin ofroi edhe dëshmitë që mbështesnin këtë vlerësim. Lufta e tij kundër Ukrainës, tha ai, në fakt nuk drejtohet kryesisht vetëm kundër fqinjit që ai e paraqet si agresiv. Në fund të fundit, „regjimi nacionalist“ në Kiev „drejtohet nga jashtë“. Prandaj, ajo që po ndodh në Ukrainë është, në thelb, „një akt agresioni i Perëndimit kolektiv kundër Rusisë“.

Putin e sheh Evropën si kundërshtare, jo Amerikën

Por kush është ky „Perëndim“, për „agresionin“ e pretenduar të të cilit u ankua presidenti rus? Sigurisht jo Amerika, sepse Putin theksoi „marrëdhënien e tij të mirë dhe të gjatë me presidentin Trump“. Jo, sipas tij, burimi kryesor i problemit janë „vendet e mëdha evropiane“. Ato mbajnë një „qëndrim shumë më agresiv ndaj Rusisë“ sesa SHBA-ja, „provokojnë konfrontime“ dhe, në fund, synojnë „ta shkatërrojnë Perandorinë Ruse“.

„Nëse në aktin e parë një pushkë varet në mur, në fund ajo do të shkrepet“: Vladimir Putin në Konferencën e Valdait, më 1 tetor. Foto: EPA

Pak më vonë, gjatë vizitës së tij të rrufeshme në Kiev, Merz iu përgjigj akuzave të Putinit kundër Evropës. Në Ukrainë, tha ai, nuk bëhet fjalë vetëm për Ukrainën. Vizita e tij synonte të jepte një mesazh „jo vetëm për të ardhmen e Ukrainës“, por edhe „për të ardhmen e Evropës“. Rezistenca ndaj Rusisë ka të bëjë me asgjë më pak sesa ruajtjen e „rendit politik“ në kontinent.

Në Münster, Merz kishte deklaruar se „interesat e sigurisë“, me të cilat Rusia justifikon sulmin e saj, janë vetëm „një formulim i koduar për pretendimin mbi një sferë ndikimi“ në kurriz të vendeve të tjera – pra, për „zgjerim imperial“. Në këtë kontekst, Merz kujtoi një deklaratë të Putinit në Konferencën e Valdait të vitit të kaluar. „Çfarëdo që ndodhet nën këmbën e një ushtari rus, është e jona“, kishte thënë atëherë presidenti rus.

Këtë vit, Putin la të kuptohej se cilat territore, sipas këndvështrimit rus, duhet të përfshihen në atë që ai e konsideron hapësirë të Rusisë: fillimisht, krahas Ukrainës, me sa duket edhe shtetet e tjera të dala nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, të cilën ai, ashtu si edhe më parë, e përshkroi si „tragjedi“.

Por pretendimet nuk përfundojnë këtu. Për të përshkruar „shtëpinë ruse në kuptimin më të gjerë“, Putin përdori një term që prej vitesh shfaqet në përfytyrimet e ideologëve rusë dhe populistëve të djathtë perëndimorë: „Euroazia“. Kjo hapësirë, të cilën ai e përshkroi disa herë si „hapësira jonë“, duhet të mbrohet „në shkallën më të lartë të mundshme“.

Që dy vjet më parë, Rusia dhe Bjellorusia kishin miratuar për këtë qëllim një „Kartë Euroaziatike“, dokumenti themelues i së cilës përcakton si objektiv pengimin e „fuqive të jashtme“ që të „ndërhyjnë në punët e shteteve euroaziatike“.

Evropa Lindore si zonë tampon e imponuar nga Rusia?

Se deri ku duhet të shtrihet drejt Perëndimit „hapësira“ euroaziatike e Putinit mund të kuptohet nga dy ultimatumet që Rusia u paraqiti Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s më 17 dhjetor 2021, pra pak para pushtimit të Ukrainës.

Sipas këtyre kërkesave, kjo hapësirë përfshin, para së gjithash, ish-shtetet satelite të Bashkimit Sovjetik në Evropën Lindore dhe Qendrore. Në projektmarrëveshjet e hartuara nga Ministria e Jashtme ruse kërkohej që NATO të tërhiqte nga këto vende të gjitha „forcat ushtarake dhe armët“ e saj.

Në këtë mënyrë, anëtarët e rinj të NATO-s, nga Estonia, përmes Polonisë, deri në Bullgari, në rastin më të mirë do të shndërroheshin në një zonë tampon të imponuar, ndërsa në rastin më të keq do të bëheshin pjesë e një sfere të re të hegjemonisë ruse.

„Fjala kyçe: njerëzit e vegjël të gjelbër“: presidenti i BND-së, Martin Jäger, të hënën në Bundestag. Foto: AFP

Por pretendimet e Putinit shkojnë edhe më tej. Në ultimatumet e vitit 2021, ai nuk kërkoi vetëm tërheqjen e NATO-s nga ish-zona e ndikimit sovjetik. Ai kërkoi gjithashtu largimin e të gjitha armëve bërthamore amerikane nga Evropa dhe, rrjedhimisht, përfundimin de facto të garancive amerikane të sigurisë për aleatët evropianë në këtë anë të Atlantikut.

Në këtë mënyrë, Rusia do të bëhej fuqia mbizotëruese në Evropë, me ndikim që do të shtrihej deri në Oqeanin Atlantik dhe në Detin Mesdhe. Në Konferencën e Valdait, Putin e ilustroi këtë përmes shembullit të Italisë. Ai deklaroi se ky vend është „në fund të fundit pjesë e Evropës“ dhe, për këtë arsye, „natyrisht“ edhe një „partner euroaziatik“ i Rusisë.

Merz ka nxjerrë përfundimet e tij nga kjo situatë: „Nëse nuk arrijmë ta ndalim Moskën, atëherë makineria ruse e luftës, herët a vonë, do të drejtohet edhe kundër nesh, kundër vetë NATO-s“, deklaroi ai në Münster. „Por nëse qëndrojmë të palëkundur, së bashku mund të sigurojmë paqen për Ukrainën dhe lirinë në kushte sigurie për të gjithë Evropën.“

Ndërkohë, 2.000 kilometra më në lindje, moderatori i Konferencës së Valdait i drejtoi presidentit Putin një pyetje të shkurtër dhe të thjeshtë: Nëse evropianët qenkan kaq të rrezikshëm, „a nuk duhet thjesht të shkojmë atje dhe t’i përçajmë?“

„Nuk ka nevojë“, u përgjigj Putin. „Ata përçahen edhe pa ndihmën tonë.“ /Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung