Shkrimtarja, kulturologia dhe filozofja Marta Markoska shënon këtë vit 15-vjetorin e krijimtarisë së saj. Ky jubile u kurorëzua me shqipërimin e librit të saj „Libër heroik/erotik“.
I njëjti libër është përkthyer më parë edhe në gjuhën angleze, ndërsa në maqedonisht u botua në vitin 2019 nga shtëpia botuese „Matica“.
Markoska është e pranishme në skenën letrare si shkrimtare, eseiste, poete, por edhe si filozofe. Ajo ka fituar shumë çmime, ndër të cilat vendin e parë për tregim të shkurtër në konkursin „Elektrolit“ („Templum“, 2007), për tregimin „Çfarë ndodh kur e lexoni Frejzerin“; çmimin „Aco Karamanov“ (2012) për dorëshkrimin poetik „Kokëposhtë drejt lartësive“; çmimin „Beli Mugri“ (2014) për dorëshkrimin poetik „Vrimat e zeza brenda nesh“; çmimin „Todor Çallovski“ (2015) për poezi, eseistikë, kritikë dhe forma krijuese të prozës, si dhe çmimin e gazetës „Nova Makedonija“ për tregim të shkurtër (2015), për tregimin „Lartësitë e Feliksit“.

Libri i saj i parë poetik është „Të gjithë lumenjtë degë derdhen në shtratin tim“ („Templum“, 2009), ndërsa vitin pasues, në të njëjtën shtëpi botuese, botoi përmbledhjen me tregime „Vorbull në Betlehem“.
Libri i dytë poetik, „Kokëposhtë drejt lartësive“, për të cilin fitoi çmimin „Aco Karamanov“ në vitin 2012, pati edhe një botim të dytë nga shtëpia botuese „Magor“ (2013).
Libri i tretë poetik, „Vrimat e zeza brenda nesh“, ka fituar dy çmime dhe është përkthyer në dy gjuhë: në anglisht dhe në serbisht.

Përveç poezisë dhe prozës, Markoska shkruan edhe studime shkencore dhe ese nga fusha e kulturës. Në vitin 2010 botoi „Hiper hipoteza“. Pas saj erdhën studimi shkencor „Traktat mbi budizmin zen (transhendencat fetaro-filozofike ndërmjet mendimit lindor dhe atij perëndimor)“ („Matica“, 2013), përmbledhja me studime shkencore dhe ese „Kultura dhe kujtesa“ („Matica“, 2014), si dhe „Fil(m)uvani prikaz(n)i“, studime dhe ese për filmin dhe kinematografinë (2017).
Veprat e saj janë botuar në shumë antologji, përmbledhje, revista dhe gazeta, ndërsa krijimtaria e saj është përkthyer në disa gjuhë të botës.
(Republika.mk, 17 nëntor 2026)
Në shqip: Tetova News
LEXE EDHE:
Intervista me poeten Marta Markoska: Poezia, trupi dhe liria e një zëri të guximshëm




























