Ballina Top Lajm Përplasje brenda Shtëpisë së Bardhë për këshilltarin shqiptar, ja çfarë ndodhi

Përplasje brenda Shtëpisë së Bardhë për këshilltarin shqiptar, ja çfarë ndodhi

Ylli Bajraktari nuk do të jetë më në krye të stafit të Këshilltit të Sigurisë Kombëtare (NSC), në SHBA, sipas spekullimeve në median amerikane.

Shqiptaro-amerikani erdhi si refugjat lufte nga Kosova në SHBA dhe shënoi një ngjitje të jashtëzakonshme në karrierë, bashkë me vëllain e tij Ylberin, në hierarkinë e Pentagonit dhe Departamentit të Mbrojtjes.

Për ta është shkruar edhe më parë në median amerikane.

Pozitën më të lartë, Ylli Bajraktari e pati gjatë mandatit të H.R. McMaster, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Ylli u bë krahu i djathtë i gjeneralit që vendosi rregull dhe stabilitet në departamentin që koordinon punën e të gjitha agjensive të sigurisë, informacionit dhe mbrojtjes kombëtare në SHBA.

Mirëpo, ai po largohet tashmë që John Bolton zëvendësoi McMasterin në 9 prill. Sipas një shkrimi në “Vanity Fair”, Bolton kërkoi largimin e Michael Anton, zëdhënës i NSC-së dhe të Ylli Bajraktarit.

Sipas revistës së njohur, John Kelly, Shefi i Stafit të Presidentit Trump ia bllokoi Boltonit shkarkimet, duke i thënë se të dy janë kuadro shumë të mirë të administratës. Mirëpo, Bolton këmbënguli duke i thënë: “Presidenti më ka dhënë leje që të largoj këdo që mendon se nxjerr sekrete”.

Ylli Bajraktari ka qenë prej kohësh në shënjestër të trampistëve konspiracionistë që dyshojnë se ai është personi që i ka treguar medias se Trump e uroi për fitoren në zgjedhje Vladimir Putinin, pavarësisht se stafi i kishte lënë shënim me shkronja të mëdha mbi tavolinë: “Mos e uro!”

Konspiracionistët kanë qenë të obsesionuar me dy vëllezërit, për arsye se ata ndodheshin aty që nga periudha e Presidentit Obama dhe për shkak se vijnënga familje myslimane.

Veprimet e John Boltonit po ndiqen nga media edhe për të vlerësuar pozitën në administratë të Shefit të Stafit, John Kelly, i cili pasi disiplinoi Shtëpinë e Bardhë, thuhet se po e humbet përsëri autoritetin. Në mënyrë domethënëse, Presidenti Trump i tha Boltonit: “Ti punon për mua”, një sinjal sipas revistës që mund ta kontaktojë drejtpërdrejt, jo nëpërmjet Shefit të Stafit si është rregulli.

Këto shkrime në media sigurisht duhen marrë pak me skepticizëm. Nga një anë është e vërtetë se hajvanë rrjetin social Tuitër, që shohin kudo komplote, si Mike Cernovich, janë të fiksuar me vëllezërit Bajraktari. Po burime nga Shtëpia e Bardhë që nuk identifikohej i ka thënë gazetarit të “Vanity Fair”, Gabriel Sherman, se Anton dhe Bajraktari kishin bërë vetë plane që të largoheshin bashkë me McMaster.

Burimi gjithashty ka shtuar se askush në Shtëpinë e Bardhë nuk mendon se ata kanë nxjerrë sekrete për median.

“Thjesht, nuk është e vërtetë”.

Në fakt, me pak zgjuarsi trampistët duhej ta kishin përdorur ngjitjen në pozitë të vëllezërve Bajraktari, jo si diçka për t’u alarmuar po si një mjet për t’iu përgjigjur akuzave të liberalëve. Dmth jo vetëm që Trump nuk është anti-mysliman dhe njëpartiak po dy djem të talentuar nga Kosova i ka ngritur në poste shumë më të larta sesa ato që u ishin dhënë në Administratën Obama.

Për udhëtimin e jetës të Yllit dhe Ylberit është shkruar disa herë. Ata i janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara për çlirimin e Kosovës, për shpëtimin e shqiptarëve nga një katastrofë humanitare dhe për mundësitë e mëdha që u janë dhënë në atdheun e tyre të ri.

Njerëz me këtë përkushtim i duhen Amerikës. Në fakt, karriera e tyre nuk mbaron me John Bolton. Ajo vetëm sa ka filluar./illyriapress

@tn.lajmelokale
@tetovanews