Ballina Aktualitet Lajme “27 prilli”, masa disiplinore për tre prokurorë (VIDEO)

“27 prilli”, masa disiplinore për tre prokurorë (VIDEO)

Tre prokurorët e lëndëve për 27 prillin e përgjakshëm nuk janë njoftuar me iniciativën për masat disiplinore ndaj tyre. Në mungesë të njoftimit zyrtarë, prokurorja e Prokurorisë së Shkupit, Gordana Geshkovska përmes telefonit na tha shkurt se nuk ka çfarë të komentojë.

Nuk jam thirrur. Për diçka të tillë mësova nga mediat. Nuk mund të ju them asgjë në këtë fazë – tha Gordana Geshkovska, prokurore.

Prokurori i Krimit të organizuar dhe korrupsionit, Zllatko Bikovski dhe prokurori i Prokurorisë Publike, Jovan Cvetanovski gjatë ditës ishin të pakapshëm për prononcim.

Iniciativa për masa disiplinore ndaj tyre vjen pas neglizhencës që prokurorët e lartpërmendur kanë bërë më 27 prill, kur në kolegjin e mbajtur në Prokurori Publike Geshkovskas, Bikovskit dhe Cvetanovskit i është besuar rasti por të njëjtit kanë konstatuar se për arsye sigurie nuk duhet dalë në vendin e ngjarjes. Zëra jo zyrtarë thonë se në atë mbledhje prokurorë të caktuar kanë kërkuar që hetimi i 27 prilli të niset nga deklarata dhe mënyra e zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit dhe më pas në mënyrë kronologjike të hetohet edhe dhuna. Mbledhja ishte thirrur nga ish kryeprokurori, Marko Zvërlevski.

Prokurorët në vendin e ngjarjes dolën një ditë më pas, ndërsa para-hetimi i rastit zgjati për disa muaj. Në korrik lënda u nda në dysh. Një pjesë të saj përsipër e morri Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion pas konstatimeve se me 27 prill ka pasur krim të organizuar. Lënda “cenim terrorist i rendit kushtetues” u formua më 27 nëntor kur edhe u arrestuan 36 persona, përfshirë edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe ish drejtorin e BSP-së, Mitko Çavkov, ndërsa akuza u zgjerua më 27 mars.

Me fillimin e zbatimit të masave disiplinore, prokurorët do të duhet të thirren nga komisioni dhe në rast se konstatohet shkelje e detyrë, ndaj tyre mund të zbatohen masa paralajmërimi, gjoba ose suspendim. Ndaj vendimit, prokurorët kanë të drejtë ankese.

@tn.lajmelokale
@tetovanews