Ballina Aktualitet Lajme Abedin Zymberi: Nga lufta e 2001-shit përfituan hajnat (VIDEO)

Abedin Zymberi: Nga lufta e 2001-shit përfituan hajnat (VIDEO)

Bashkë me themelet e shumë shtëpive të reja të ngritura në fshatin Sllupçan të komunës së Likovës thuhet se janë betonuar edhe përjetimet e tragjedisë së konfliktit të vitit 2001. Kujtimet për këtë ditë janë të paharruara, posaçërisht për familjet që humbën të afërmit e tyre dhe ata që ishin pjesë e luftës e të cilët sot, siç rrëfejnë ata, nuk përfillen nga institucionet kompetente. 17 vjet pas konfliktit të vitit 2001 pikërisht ata që sakrifikuan çdo gjë nga jeta e tyre janë akoma pa status të zgjidhur madje shumë prej tyre edhe gjendje të rëndë ekonomike.

Më së shumti kanë përfituar, sinqerisht mund të them hajnat të cilët e keqpërdorën luftën, pas luftës i keqpërdorën vlerat e luftës edhe të cilët sot e kësaj dite ata përfitojnë, ka prej familjeve të tyre që ndoshta nuk kanë dhënë asgjë për luftën, nuk janë shkatërruar edhe ekonomikisht prej luftës a kanë dy ose tre të punësuar në familje. Fajtor nga gjithë kjo është Shoqata e Veteranëve të Luftës e cila u bë një subjekt i pjesës të një partie politike – deklaroi ish komandanti Abedin Zymberi.

Te ne kurrgjë nuk është bërë, fillimisht po të tregojë për fëmijët e mi, njëri e ka të kryer fakultetin, tjetra ka magjistruar dhe janë pa punë. Nuk kam qenë luftëtar por kam qenë me luftëtarët, kam kontribuuar, bile të paktën kemi hap gropa. Ka përfituar dikush por mos t’i ceki me emra se duhet- tha Abdulla Fejzuli, ish pjesëtarë i luftës.

Ish luftëtari Abdulla Nevzati shprehet i revoltuar për statusin e luftëtarëve dhe familjeve të tyre. Ai thotë se tashmë 17 vjet përpiqet të kthejë ato që i humbi gjatë konfliktit, por shton se edhe 50 vite të tjera se nuk do të mund të rimëkëmbet.

Ish luftëtareve ua kanë lyer buzët me buzëkuq, dikujt e dikujt, e për vete e kanë lënë shumicën, për popullin nuk mendojnë. Luftën nuk e kemi bërë për interesa personale dhe individuale e kemi bërë për gjithë popullin. Shkatërrimi total i fshatit nuk është bë për interesa të Sllupçanit se Sllupçani ka qenë fshat i pasur. Kur erdhën çështjet individuale i shfrytëzuan disa njerëz që nuk kanë kontribuar asgjë – tha ish luftëtari i UÇK-së Abdulla Nevzati.

2 Maji i vitit 2001 është dita e fillimit të luftës së UÇK-së dhe shpalljes së zonës së lirë në Karadak, nga brigada 113 “Ismet Jashari”-Komandant Kumanova, Konflikti në fjalë shkatërroi thuajse të gjitha fshatrat e komunës së Likovës dhe mori shumë jetë të banorëve të pafajshëm. Familja Zymberi nga fshati Sllupçan ishte ajo më e dëmtuara dhe humbi 10 anëtarë të saj.

Melihate Rustemi

@tn.lajmelokale
@tetovanews