Ballina Aktualitet Opinione Kështu i humbëm 20 vjet

Kështu i humbëm 20 vjet

Ndoshta pa u mbushur njëzetvjetori do të ishte mirë të thuhej, kolektivisht, mjaft më me këtë vjedhje industriale të resursit më të madh e të pakthyeshëm, kohë

Nga Veton Surroi

1.

Kur më pyesnin gazetarët e huaj herët në vitet nëntëdhjetë për parashikimin se çka do të ndodhë, gjeja një shprehje që më nxirrte nga sikleti i fallxhiut: shpresoj të mos ketë luftë, se po pati, pos viktimave të shumta do të humbasim edhe nja 20 vjet derisa të vijmë në vete.

Numri njëzet, ai i viteve që do të humbasim do të ketë dalë prej nënvetëdijes. Ndoshta pse më duken shumë, ndoshta pse janë shumë. Për cilëndo kategori janë shumë: për atë që i ka mbushur 20 janë tërë jeta, për dyzetvjeçarin gjysma, për gjashtëdhjetëvjeçarin një e treta, për tetëdhjetëvjeçarin çereku i jetës.

Mbase kështu, duke përmendur 20 vjetët që do të humbeshin ndjellja paqe, me efekt të njëjtë sikur kalimtarët e Sarajevës që kalonin nëpër “rrugën e snajperistëve” duke u mbuluar me xhaketë e pulovër, si mburojë kundër plumbave.

Çdo herë që shkoj në Sarajevë hyj në tramvaj dhe i vështroj fytyrat e njerëzve. Ato bartin brenda luftë që nuk kalon as pas njëzet vjetësh.

Një mik amerikan që ishte në Sarajevë dhe pastaj erdhi në Prishtinë më tha që fytyrat në Prishtinë janë më të gëzuara, ka më shumë rini. “Por edhe ju i kini punët lëmsh”.

2.

Fytyrat e gëzuara, ato të rinisë që i pa miku im amerikan, janë të njëzetvjeçarëve që nuk kanë pikë tjetër reference. Kanë jetuar tërë jetën në lëmshin e pasluftës dhe çdo vit është më i mirë se tjetri. Por, natyrisht, ky del të jetë rezultat nëse pika krahasuese është jeta jote e deridjeshme.

Dr. Branko Horvat ma tërhoqi vërejtjen për këtë fenomen kur takohesha me të, në fund të viteve tetëdhjetë në Zagreb. Në Kosovë e gjithandej Jugosllavisë u bë i famshëm për librin e tij me të cilin i dekriminalizonte kërkesat shqiptare për avancim kushtetues, por në nivel botëror ishte i famshëm për shkak të kritikës së tij ndaj socializmit jugosllav. Ndonëse vetë ishte partizan dhe anëtar i PKJ-së prej moshës gjashtëmbëdhjetëvjeçare – apo ndoshta mu pse ishte i tillë – ai e kritikoi udhëheqjen e vendit për mungesë reformash ekonomike e administrative në momentin e duhur.

– Më 1965 ishte momenti i duhur, më tha. Kishin kaluar 20 vjet nga lufta, mjaftueshëm për ta konsoliduar vendin…

Se çfarë duhet të ishin reformat, ai ka shkruar libra, por me rëndësi për këtë shkrim është numri 20, ai i viteve që do kaluar për t’u konsoliduar pas luftës.

Vitet pas atij 1965, dr. Horvat i konsideronte si ato të shansit të humbur.

3.

Njëzet vjet pas Luftës së Dytë Botërore u lind Komisioni i komuniteteve evropiane. Sot njihet si Komisioni Evropian.

U themelua më 1965, pasi traktatin për këtë e ratifikuan Franca dhe Gjermania, dy shtetet fqinje që njëzet vjet më parë kishin përfunduar luftën e madhe të përgjakshme, njërën prej luftërave rituale që ndodhnin mes tyre, duke marrë me vete jetët e miliona njerëzve.

Komisioni i komuniteteve evropiane qe vazhdimësi logjike e një koncepti të filluar me bashkëpunim institucional në fushën e çelikut dhe qymyrit. Koncepti i qymyrit dhe i çelikut filloi 8 vjet pas luftës. Njerëz të mençur në Gjermani, Francë dhe posaçërisht në Amerikë, të mbledhur rreth administratës së presidentit Truman e sekretarit të shtetit Marshall, vlerësuan se nuk mund të prisnin 20 vjet që gjërat të rehatoheshin në Evropën e shkatërruar. Dhe se nuk kishin as kohë e as para për të mbajtur me ndihma atë territor të madh, të shkatërruar e të uritur të quajtur Evropë.

Vendosën se pos komunitetit të qymyrit e çelikut kishin nevojë për komunitet tjetër, atë të kohës, një resurs të pakthyeshëm. Ashtu siç nuk mund të linin pa shfrytëzuar qymyrin e çelikun për nevoja të rindërtimit të përbashkët industrial, ashtu nuk mund të linin pa e shfrytëzuar kohën.

4.

Vitin e ardhshëm Kosova do të mbushë 20 vjet nga fundi i luftës. Tri funksionet bazike të shtetit bashkëkohor evropian, të “shtetit social” apo “welfare state”; arsimi, shëndetësia dhe siguria sociale, janë në nivel të njëjtë cilësie sikur menjëherë pas luftës – fazë imediate për ndihmë. Elitat politike të saj deri në njëzetvjetor, datën e “stabilizimit” të shoqërive të pasluftës, do të kenë shpenzuar tre miliardë euro dhe 7.300 ditë për asfalt dhe avancimin e interesave të tyre familjare dhe klanore.

5.

Kur ta kalojnë njëzetvjeçarin e luftës qytetarët e Kosovës mund të pyeten se a ekziston diku ndonjë plan i zhvillimit afatgjatë të vendit?

Pyetja nuk do të jetë me rëndësi. Siç kishte konstatuar kaherë ekonomisti John Maynard Keynes për planet afatgjata, ato edhe ashtu nuk çojnë kandar se “në afat të gjatë edhe ashtu që të gjithë do të jemi të vdekur”.

Ndoshta pa u mbushur njëzetvjetori do të ishte mirë të thuhej, kolektivisht, mjaft më me këtë vjedhje industriale të resursit më të madh e të pakthyeshëm, kohës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews