Ballina Aktualitet Lajme Implikimi i politikës në ngjarjen e Kumanovës, kërkohet hetim ndërkombëtar….

Implikimi i politikës në ngjarjen e Kumanovës, kërkohet hetim ndërkombëtar….

Dyshimet se politikanë nga Kosova dhe Maqedonia janë të përfshirë në rastin “Kumanova”, kanë bërë që të fillojnë përgatitjet për hetim ndërkombëtarë për rastin në fjalë.

Këtë e kishte kërkuar publikisht edhe ministri maqedonas i punëve të brendshme Bilent Saliji, duke deklaruar se ministria që ai drejton, do ta ndihmojë procesin në kuadër të kompetencave të veta.

“Tanimë jeni të njoftuar se qeveria me programin e saj është e përcaktuar që për të gjitha rastet për të cilët hidhet dyshim në vërtetësinë e rastit, Qeveria është e përcaktuar që të angazhojë edhe ekspertë ndërkombëtarë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit. Ministria e Drejtësisë në kuadër të kompetencave të veta, aktivisht do ta ndihmojë procesin”, ka thënë Bilent Saliji.

Hetim ndërkombëtar ka kërkuar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke thënë se një hetim i tillë do ta ndihmonte zbardhjen e plotë të rastit.

“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, ka thënë ai.

Reagimi i Haradinajt erdhi një ditë pasi një gjykatë në Shkup dha dënime të rënda për të akuzuarit e kësaj ngjarjeje të majit të vitit 2015, me një total prej 746 vitesh burg. Shumë nga të dënuarit janë shtetas të Kosovës.

Mehazi: Ngritja e bustit të Beg Rizajt është ndërgjegje e turpshme

Para pak ditësh, në qytetin e Deçanit u zbulua shtatorja e Beg Rizajt, njeriut që mbeti i vrarë në Kumanovë.

Këtë e sheh si ndërgjegje e turpshme për disa politikanë shqiptarë si në Maqedoni, ashtu dhe në Kosovë, analisti politik Sulejman Mehazi, i cili thotë për “Bota sot” edhe dy emra politikanësh, kanë gisht në rastin “Kumanova”.

“Ngritja e bustit të Beg Rizajt është ndërgjegje e turpshme për disa politikanë shqiptarë si në Maqedoni, ashtu dhe në Kosovë, sidomos për dy liderët e luftës: Ali Ahmetin dhe Ramush Haradinaj, të cilët pa hamendje janë të përzier me grupin e Kumanovës. Teoria politike e ushtarake tregon se ekseset luftarake e vrasjet që bëhen nga pushteti mbeten enigme për qytetarët. Asgjë s’dihet kush ishte organizator i konfliktit luftarak në Kumanovë,, pse ndodhi? Kush i pruri në Kumanovë?, si është e mundur të rrinë në Kumanovë me javë e mos ta di kush, ç’ ishte qëllimi i këtij konflikti? etj.etj. Kjo na bën të besojmë se organizatorë të konfliktit në Kumanovë janë krerët më të lartë shtetëror”, thotë ai.

Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim drejt zyrës së kryeministrit që të marrë koment për përgjigjet e Sulejman Mehazit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Hetimi ndërkombëtar mëse i nevojshëm

Mehazi shprehet tutje se, është e patjetërsueshme që hetimet për ngjarjet tragjike në Kumanovë të jenë në dorën e gjyqit ndërkombëtar, e krejt kjo sipas tij është që këtu janë të përzier elita politike maqedonase dhe e Kosovës.

“Është e patjetërsueshme që hetimet për ngjarjet tragjike në Kumanovë të jenë në dorën e gjyqit ndërkombëtar, pse? Për shkak se këtu janë të përzier elita politike maqedonase-kosovare, dhe gjyqet shtetërore janë të pa besueshme për të hetuar krerët e lartë politike. Besojmë se pas marrëveshjes maqedonase-greke për ndërrimin e emrit dhe kushtetutës së Maqedonisë, do zbulohen shumë gjëra të shëmtuara e kriminele. Maqedonia nëse dëshiron në BE, është i detyruar t’i lajë hesapet me politikanët e korruptuar e të kriminalizuar, sidomos me Sopotin e Kumanovën, e domosdoshme dhe e patjetërsueshme këto procese të shëmtuara e të fshehta hetuese t’i merr në dorë gjykata ndërkombëtarë”, thekson Mehazi.

Sulimani: Hetimi ndërkombëtar nuk do të ndodhë

Ndërkaq, analisti tjetër shqiptar në Maqedoni, Xhenis Sulimani, thotë për “Bota sot” se kërkesa për hetim ndërkombëtar në rastin “Kumanova”, është vetëm për ta mbuluar përgjegjësinë që është dashur ta ketë klasa politike rreth rastit dhe ai nuk beson që do të ndodh një hetim i tillë.

“Kërkesa për hetim ndërkombëtarë në rastin “Kumanova” është vetëm për ta mbuluar përgjegjësinë që është dashur të ketë klasa politike rreth rastit. Kërkesa as nuk është e sinqertë e as që besoj që do të ndodhë, kjo për faktin se deri tash përveç deklaratave asgjë konkrete nuk është marrë. Kush duhet ta kërkojë hetimin, si duhet të vijojë procesi, kush duhet të vijë? E shumë pyetje tjera askush nuk i ka sqaruar. Këtij rasti i ndihmon vetëm e vërteta, asgjë tjetër”, potencoi Sulimani.

“Lagjja e trimave” në Kumanovë, të hënën e 9 majit 2015, u shndërrua në zonë lufte, ku krismat në orët e para të mëngjesit, trishtuan banorët e pafajshëm aty.

Më vonë u kuptua se rreth 30 të armatosurit të rrethuar, ishin nga Kosova, që bënin luftë me policinë maqedonase.

Beteja shkatërroi të gjithë lagjen. Shpërthimet i kthyen shtëpitë në rrënoja dhe i vunë zjarrin makinave. Mjetet e blinduara rrëzuan muret.

Nga ora 9 e mëngjesit të 10 majit 2015, kur i armatosuri i fundit u dorëzua, policia numëroi nga radhët e veta tetë të vdekur dhe 37 të plagosur. Dhjetë persona u vranë në luftime, bëri të ditur policia më vonë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews