Ballina Aktualitet Lajme Maqedonia drejt zgjedhjeve të reja, ja skenari?!

Maqedonia drejt zgjedhjeve të reja, ja skenari?!

Maqedonia pritet të shkojë sërish në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare. Kërkesa është bërë mbrëmë nga ana e liderit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, i cili tha se patjetër duhet të mbahen ato.

“Patjetër duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale, te zgjedhim kryetarin e KSHZ në propozim të opozites, të krijojmë qeveri teknike dhe të shkojmë në zgjedhje dhe ta shohim se a janë të kënaqur qytetarët me këtë që po e bën Zoran Zaev dhe LSDM-ja”, theksoi Mickoski gjatë tubimit antiqeveritar.

Por LSDM menjëherë ka reaguar por duke mos pranuar drejtpërdrejt sfidën e bërë nga Mickoski. Nga kjo parti kanë rikujtuar atë se ka rejting tejet të vogël, ndërsa LSDM është partia që ka arritur besim të madh tek qytetarët. Megjithatë siç mëson INA, kryeministri dhe lideri i LSDM, Zoran Zaev pas 20 qershorit pritet të pranojë sfidën për zgjedhje, në rast se nuk do të arrihet zgjidhje për kontestin e emrit. Një zyrtar i Qeverisë i pyetur nga INA tha se nuk përjashtohet edhe kjo mundësi, por gjithçka do të varet nga rrjedha e bisedimeve për emrin. Kryeministri Zaev edhe më parë nuk ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, por që sipas tij ato nuk do të ndodhnin gjatë 2018.

Në rast se do të ketë marrëveshje për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë tajmingu i tyre do të jetë me ato presidenciale nga prilli ose maji i 2018. (INA)

@tn.lajmelokale
@tetovanews