Ballina Aktualitet Opinione Njolla që Klan vendosi mbi Fevziun

Njolla që Klan vendosi mbi Fevziun

Andi Bushati

Telenovela popullore e largimit apo qëndrimit të Blendi Fevziut në TV Klan u mbyll në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Një deklaratë pompoze e televizionit kombëtar pas rinegocimit të marëveshjes mes pronarit Frangaj dhe drejtuesit të Opinion, jo vetëm nuk i fshihte notat e triumfalizmit, po në mënyrë perfide përpiqej të njësonte imazhin e televizionit me atë të gazetarit më të famshëm të tij.

Them perfide dhe aspak dinjitoze sepse jam i bindur se e gjithë loja tërhiq e mos e këput e largimit të Fevziut nga ekrani ku ka milituar prej 20 vjetësh, ka pasur një qëllim të qartë dhe të vendosur: të ndahej nga imazhi në degradim të pandalshëm i një televizioni që është shndërruar në një makineri shplarjeje truri përmes spektaklesh bajate dhe telenovelash turke, po aq sa dhe në një armik të së vërtetës përmes shitjes së informacionit për qëllime biznesi.

Si një njeri që ka punuar për vite në këtë projekt që filloi si një ëndër gazetarësh, por degradoi në një interes familjarësh, si një njeri që kam marrë pjesë në emisionin Opinion për vite me radhë dhe që kam vijuar t’a ndjek me vëmendje edhe kur lidhja e shkurtër e biznesit me politikën ma bëri të pamundur të jem pjesë e tij, unë kam qenë i bindur se pavarësisht disa akrobacive të vogla, Blendi Fevziu nuk do të largohej kurrë nga Klani.

Ndryshe nga shumë të tjerë, të cilët i kanë parë kritikat publike të muajve të fundit që Fevziu po bënte ndaj linjës editoriale të televizionit, ndaj përjashtimit të të gjithë gazetarëve me integritet, ndaj kthesave të befta politike gjithnjë në favor të pushtetit, ndaj estradizimit ekstrem të ekranit, pra ndryshe nga ata që i kanë interpretuar këto qëndrime si një shantazh financiar ndaj pronarit, si një përkëdhelje për më shumë influencë, unë kam qenë i bindur se e gjithë kjo bëhej edhe për një gjë tjetër, sidomos për një gjë tjetër: që Fevziu të mos njësohej totalisht me Klanin, që imazhi i tij të mos barabitej me atë të televizionit ku punonte.

Duke e njohur nga afër, e di se kjo ka qenë një konstante e tij. Atëherë kur TV Klan ndiqte të njëjtin zakon që përsërit me të gjithë liderët e opozitës,-përjashtimin e tyre- Fevziu bëri çështë e mundur ta rikthente ish- liderin e opozitës pas viteve 2000, Berisha, në “ekranin kampion të pushtetit”. Kur TV Klan në shërbim të Metës kryeministër i kishte shpallur luftë katharsistit Fatos Nano, Fevziu e bindi këtë të fundit t’a jepte në Opinion, intervistën e paharuar për divorcin e tij politik dhe familjar. Kur Edi Rama nuk lodhej së përsërituri në çdo konferencë shtypi ‘të fala Sandrit’, Fevziu jo vetëm si ndërpreu kurrë marëdhëniet me opozitarin socialist, por e kandisi atë të hynte në studion e Klanit duke bërë më parë edhe një deklaratë publike.
E njëtja gjë po ndodh sot edhe me Lulzim Bashën.

Pra mjaftojnë këto shembuj për të treguar se në të gjithë karierën e tij gazetareske, megjithëse paradoksalisht një pjesë e madhe e identifikon me Klanin, Fevziu ka bërë të gjitha përpjekjet që publiku të mos e perceptojë kështu.

Ndonëse i është dashur të heshtë kur bashkëpunimi okult mes pronarit të vet dhe politikës këputi kokat e miqve të vet, ndonëse ka parë që t’i largohen para syve nga përgjegjësitë gazetareske në Klan, Andi Bejtja, Sokol Balla, Alfred Peza, Fatos Lubonja, Armand Shkullaku dhe unë vetë, ai është përpjekur të mbyllë hundët dhe të tregojë për sa ka mundur se nuk do donte të ndodhte kështu.

Kohët e fundit, kur degradimi u bë më i madh, kur Klani kaloi nga shërbimi i neveritshëm për Berishën, nga daljet e Frangajt në publik duke bërtitur: “qeveria jonë”, nga manipulimi i videove sikur protestuesit e 21 janarit ishin vrarë nga turma, – të gjitha këto për të marë reklama të shpikura nga qeveria dhe jo vetëm kaq, – pra kur kaloi nga këto qëndrime në prehërin e Ramës, për të thurur të tjera plane për kulla, rrugë dhe para direkt nga xhepi i taksapaguesve, edhe reagimi i Fevziut u rrit në përpjestim të drejtë.

Ky është shpjegimi që unë kam edhe për qëndrimet e tij të vitit të fundit dhe për kritikat publike që ai i ka adresuar pronarit të vet për drejtimin që po merrte televizioni.

Ai donte të tregonte thjeshtë se ishte i ndryshëm. Donte që emri i tij të mos përmendej automatikisht përkrah atij të Frangajt.

Fevziu nuk donte të ndahej me të, thjesht donte të diferencohej prej tij.

Por, këtë herë loja u bë më e rëndë. Sepse në dëshirën e vet për t’u distancuar maksimalisht, Fevziu prodhoi edhe fabulën që e dinte se nuk do të realizohej kurrë, atë të një divorci përfundimtar me Klanin dhe kalimin në Top Channel.

Ky ndoshta qe gabimi i vetëm i tij.

Sepse një lojë e shpënë në ekstrem nuk mund të pjellë rrezultat neutral.

Dhe tani që gjithçka ka përfunduar, tani që Fevziu ka bërë një pakt të ri me Klanin, të gjitha diferencat e vëna në pah me aq mundim janë zeruar sa hap e mbyll sytë. Tani, para tyre, publiku do të mbajë mend një gjë tjetër: pamundësinë e Fevziut për t’u ndarë nga një ambjent ndaj të cilit ai donte të tregohej si i ndryshëm.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, me deklaratën e fundit të Klan, ku njoftohej pakti i ri Fevziu – Frangaj, strategjisë së drejtuesit të “Opinion”, i ngulej dhe thika e fundit pas shpine. Në mënyre perverse aty qe nënvizuar e zeza mbi të bardhë, se historia e shkuar dhe e ardhmja e ndritur e televizionit, janë pazgjidhshmërisht të lidhura me ato të gazetarit të vet kryesor.

©Lapsi.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews