Ballina Top Lajm Zhdukja e pilotit Sinan Vitija, familja kërkon ndihmë (VIDEO)

Zhdukja e pilotit Sinan Vitija, familja kërkon ndihmë (VIDEO)

Familja e pilotit të ish ushtrisë Jugosllave, Sinan Vitija kërkon nga Qeveria e Maqedonisë të shpalosë të vërtetën për fatin e tij. Piloti Vitija i cili pas shpërbërjes së Jugosllavisë i ishte bashkuar ushtrisë Kroate, sipas familjes, për herë të fundit është parë në aeroportin e Shkupit. Bashkëshortja e tij, Sevdije Vitija thekson se burri i saj është kidnapuar pasi ka ateruar në Shkup.

Me bashkëshortin tim kam kontaktuar më 27 nëntor 1993. Më 28 nëntor të atij viti e ka festuar ditën e flamurit në Shtutgard të Gjermanisë. Po atë ditë, nga relacioni Shtutgard-Shkup në ora 20.30 është kidnapuar në aeroportin e Shkupit – thotë Sevdije Vitija, bashkëshortja e Sinan Vitijës.

Nga Qeveria e Maqedonisë, familja Vitija kërkon të di ku ka përfunduar familjari i tyre.

E lus Qeverinë e Maqedonisë që të ma thonë të vërtetën për bashkëshortin tim. Mbetëm duke pritur 25 vjet dhe nuk dimë asgjë. Qëllimi pse sot po flas është që të kërkojmë diçka për të zbardhur fatin e tij. Nuk jam dot e qetë as unë as fëmijët. Duam ta dimë të vërtetën. U bë gjatë kohë dhe besoj është koha e fundit për një përgjigje të Qeverisë – apelon Sevdije Vitija.

Nga Qeveria thonë se kanë njoftuar ministrinë e Brendshme për kërkesën e familjarëve. Kërkesa e familjes u adresua edhe në Kuvend, përmes deputetit të Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli i cili kërkoi nga ministri i Brendshëm të shqyrtoj rastin.

Mendoj se është obligim dhe detyrim i organeve shtetërore që këtë rast ta zbardhin. Aq më tepër, kur në atë kohë LSDM ka qenë në pushtet dhe tani meqë është në pushtet besoj se ka një përgjegjësi më të madhe që kësaj dileme t’i jap një përgjigje. Si ka vepruar Maqedonia me atë person? Është zhdukur në Maqedoni apo i është dorëzuar Serbisë – deklaroi Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

I pari i dikasterit të Brendshëm, Oliver Spasovki shpjegoi se për këtë rast janë njoftuar shërbimet relevante dhe se po punohet në sigurimin e dëshmive të mundshme që ekzistojnë në arkivat e organeve të sigurisë.

Tashmë kemi dhënë urdhër që shërbimet e MPB-së ta shqyrtojnë këtë rast. Të shohim se me çfarë fakte disponojmë për këtë rast sepse distanca kohore prej atëherë deri më tani është e madhe por çdo gjë që kemi si dokument, fakt ose dëshmi tjetër për këtë person do të informoheni ju dhe mediat – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Çështja e fatit të Sinan Vitisë ishte adresuar në Kuvend edhe në vitin 1996 nga deputeti i asaj përbërje parlamentare, Nazmi Maliqi. Aso kohë organet shtetërore ishin përgjigjur se me datë 28 nëntor 1993, personi Sinan Vitia është arrestuar nga policia si i dyshuar për pasaportë false.

Megjithatë, në përgjigjen zyrtare nuk shpjegohet se çfarë ka ndodhë me Vitijën, përgjigje kjo e cila kërkohet edhe sot e kësaj dite. Nëse është ekstraduar, në cilin shtet e ka dorëzuar policia e Maqedonisë? Pse ndaj të njëjtit nuk janë caktuar masa arresti për shkak të dyshimeve për pasaportë fals? A janë njoftuar organet kroate apo ato serbe për arrestimin e tij, apo depërtimi i tij është bërë jashtë dispozitave ligjore? Organet kroate nuk kanë informacion për fatin e Vitijës. I njëjti figuron në mesin e personave në kërkim në faqen zyrtare të policisë kroate, ndërsa në atë të policisë serbe nuk ekziston asnjë e dhënë për pilotin nga Lugina e Preshevës, Sinan Vitija./Alsat-M

@tn.lajmelokale
@tetovanews