Ballina Lajme REFERENDUMI DËSHTON PA VMRO-DPMNE-në?, LSDM DHE KOALICIONI NUK I KA NUMRAT E...

REFERENDUMI DËSHTON PA VMRO-DPMNE-në?, LSDM DHE KOALICIONI NUK I KA NUMRAT E NEVOJSHËM

Fati i referendumit është në duart e opozitares VMRO-DPMNE. Nëse partia e Mickoskit bën thirrje për bojkot, ka rrezik që të mos arrihet kushti që gjysma e votuesve potencialë të dalin në referendum. Të dhënat e muajit gusht 2017, tregojnë se Maqedonia ka mbi 1 milion e 800 mijë votues. Që referendumi të jetë i pranueshëm, duhet që gjysma e këtyre votuesve, pra 900 mijë, t’u drejtohen kutive të votimit. E që referendumi të jetë i suksesshëm, 50%+1 votues nga këta 900 mijë, duhet që të votojnë “pro” Marrëveshjes me Greqinë. Sipas përllogaritjeve të analistit Robert Nesimi, votat për referendum pozitiv mund të arrihen, por referendumi do të dështojë në rast se opozitarja VMRO-DPMNE vendos ta bojkotojë referendumin.

“Nëse nisemi nga zgjedhjet e fundit, edhe lokale edhe parlamentare, votuesit shqiptarë të të gjitha partive të cilët me siguri të gjithë do të votojnë pro marrëveshjes me Greqinë, janë diku rreth 250 mijë votues. LSDM-ja, pa shqiptarët, ka rreth 400 mijë vota. Në total këto bëjnë rreth 650 mijë vota. Kështu, me daljen e shqiptarëve dhe me daljen e votuesve të LSDM-së është thuajse e sigurt që të përmbushet ai kushti që shumica të votojnë pro Marrëveshjes me Greqinë” deklaroi analisti, Robert Nesimi.

Megjithatë nuk duhet harruar kushti tjetër. Që referendumi të jetë valid, duhet të votojnë 50% e votuesve potencial. Kjo, sipas Nesimit, bën që referendumi të varet nga VMRO-DPMNE-ja, nëse ajo do t’u kërkojë përkrahësve të saj të votojnë kundër apo ta bojkotojnë referendumin.

“Nëse VMRO-ja vendos që ta bojkotojë referendumin, atëherë referendumi nuk do të jetë i suksesshëm. Domethënë kjo nuk bëhet pa VMRO-në. Mjafton që VMRO-ja të dalë në referendum, pastaj le të votojë si të dojë, por të ndihmojë që të arrihet ajo 900 mijë votues, që të kalohet censusi i 50%-shit, pastaj pjesën tjetër të votimin “për” referendumin do ta bëjnë shqiptarët dhe të LSDM-së”, shtoi Nesimi.

Sipas Nesimit, referendumi do të jetë pozitiv edhe nëse rreth 100 mijë votues kanë dilema për votën e tyre në referendum. Ai nuk mohon faktin se mund të ketë edhe përkrahës të VMRO-DPMNE-së që mund të votojnë pro referendumit.