Ballina Aktualitet Lajme Nesër seanca plenare për ndryshimet kushtetuese (VIDEO)

Nesër seanca plenare për ndryshimet kushtetuese (VIDEO)

Seanca për ndryshimet kushtetuese do të fillojë nesër dhe duke u bazuar në punën e Komisioneve për këtë çështje, nuk pritet që opozita të shkaktoj sensacione të ndryshme. Kështu ka vlerësuar në takim me gazetarët, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferri. Ai shpjegoi se kjo seancë nuk mund të zgjasë më shumë se 12 ditë.

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit
“Nëse në komisionet e Kuvendit, nuk kishte diçka sensacionale, nuk pres që opozita të veprojë ndryshe as në seancë plenare. Propozuesi, pra Qeveria, më pas duhet të organizojë diskutim publik dhe pas përfundimit do duhet që deri tek kuvendi të dërgojë raport që të mundet të vazhdojnë afatet pasuese”.

Në lidhje me aktivitetet e Kuvendit deri në fund të vitit, kryeparlamentari Xhaferi, shtoi se deri më tani ende nuk ka paralajmërim nga presidenti Gjorge Ivanov, nëse do të shfrytëzojë të drejtën të mbajë fjalim të fundvitit para deputetëve ose jo. Ai shtoi se në vitet e kaluara, më herët e pranonte kërkesën nga presidenti i shtetit, ndërsa potencoi se në qoftë se Ivanov dëshiron të mbajë fjalim, atëherë do të duhet me kohë ta njoftojë Kuvendin me qëllim që të mund t’i lihet termin. Mandati i presidentit Gjorge Ivanov, përfundon në 2 maj të vitit të ardhshëm, ndërsa zgjedhjet presidenciale do të duhet të shpallen në fund të janarit ose fillim të shkurtit.

I pyetur për rrogën e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili është në arrati, kryetari i Kuvendit, Xhaferi, potencoi se patjetër t’i jepet rroga sepse ai ka të drejtë kushtetuese.

Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit
“Unë jam i obliguar t’i lëshoj rrogë derisa ai ka mandat deputeti. Ajo do t’i zvogëlohet për shkak të mungesave të paarsyeshme. Nëse ai ka qasje në llogarinë e tij bankare do ta marrë rrogën. Që t’i merret mandati patjetër të votojnë dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve”.

Ndërsa për ligjin për gjuhën shqipe, kreu i Kuvendit tha se nëse presidenti Ivanov nuk e nënshkruan atë, atëherë ai do të shpallet në gazetën zyrtare pa nënshkrimin e tij, sapo të vlerësohet momenti i duhur.

Mefail Ismaili /SHENJA/

https://youtu.be/sViksBzsWnk

@tn.lajmelokale
@tetovanews