Ballina Aktualitet Shqipëri Presidenti i shpall luftë mazhorancës, bllokon ministrin e Brendshëm dhe fut në...

Presidenti i shpall luftë mazhorancës, bllokon ministrin e Brendshëm dhe fut në ngërç qeverisjen

Presidenti Ilir Meta i ka shpallur dje luftë të hapur kryeministrit Edi Rama. Në mënyrë të paprecedentë dhe për të parën herë në historinë demokratike të vendit, dje ai ka kthyer mbrapsht propozimin e Ramës për të emëruar Sandër Lleshin, ministër të Brendshëm. Pasi e mbajti peng dekretin për 7 ditë, 5 orë para skadimit të afatit Presidenca njoftoi se kandidatura e propozuar nga kryeministri është kthyer mbrapsht. Deri më sot nuk ishte kthyer mbrapsht asnjë emër dhe Meta do të hyjë në histori, pasi veprimi i tij ka hapur shumë debat në aspektin juridik. Më tepër duket se kemi të bëjmë me një inat personal mes Metës dhe Ramës, se sa merak të presidentit për të zbatuar Kushtetutën.

Nga ana tjetër, duket se kemi të bëjmë me një puç kushtetues të kreut të shtetit për të bllokuar qeverinë dhe luftën ndaj krimit dhe korrupsionit në vend. Në nenin 98 të Kushtetutës nuk parashikohet refuzimi i dekretit. Madje, vetë Bujar Nishani kur dha firmën për Fatmir Xhafajn deklaroi se Kushtetua e detyron të firmosë dekretin. Tani kemi të njëjtin institucion, por me dy standarde. Secili e interpreton sipas qejfit dhe sinjalet janë se bëhet për interesa të caktuara.

Meta dje nuk ka dhënë asnjë argument bindës se përse e refuzoi Lleshin. Kreu i shteti e ka thirrur dje ushtarakun në Presidencë dhe ja ka bërë të qartë se ai nuk e sheh si personin e denjë në krye të Ministrisë së Brendshme. “Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, njoftoi Presidenca. Por gazeta ka mësuar se Lleshi ka dalë i pastër nga të gjitha institucionet. Shërbimi Informativ i Ushtrisë dhe Shërbimi Informativ Shtetëror në shkresat që i kanë dërguar Metës janë shprehur se Lleshi ka figurë të pastër. Meta ka kërkuar informacion dhe nga Autoriteti i Dosjeve ku ka rezultuar se Lleshi nuk ka pasur lidhje me Sigurimin. Po ashtu dhe prokuroria e ka nxjerr të pastër. Duke qenë se Lleshi nuk kishte asnjë “njollë”, Meta u mjaftua me faktin se nuk e bind. Normalisht kur një dekret rrëzohet, duhen argumente bindës edhe të bazuara në ligj, por Meta nuk ka asnjë arsye të tillë.

Shkelja e Kushtetutës

Gazeta u konsultua dje me juristë dhe shumica janë të bindur se presidenti ka shkelur Kushtetutën. Avokat Idajet Beqiri shprehet se ai nuk ka të drejtë të refuzojë propozimet e kryeministrit, pasi ky i fundit është votuar nga populli dhe e di ai se me kë qeveris. “Kur Presidenti i Republikës nuk dekreton emërimin e ministrit që propozon Kryeministri, kjo është shkelja më e rëndë që i bëhet Kushtetutës së Republikës, parimeve të shtetit të së drejtës, demokracisë dhe lirisë”, tha ai.

Pazaret e Metës

Dy ditë më parë Meta doli në një intervistë dhe dukej qartë se kërkon pazare me Ramën për dy poste: Kreun e KLSH dhe kreun e SHISH. Gazeta ka mësuar se kryeministri nuk ka pranuar që Meta të vendosë aty njerëz të besuar të tij, por ka kërkuar që të ecet sipas ligjit. Madje të premten Meta ja bëri disa herë të qartë se kërkonte negociata. Por bllokimi i Lleshit vulosi faktin e Meta kërkon pazare me qeverinë, kjo pasi nuk ka asnjë fakt që të tregojë se përse u refuzua Lleshi. Por me këtë lëvizje Meta i ka dhënë goditje dhe integrimit. Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit sapo kishte nisur dhe nëse vendi nuk ka ministër të Brendshëm, ky është një imazh shumë i keq te ndërkombëtarët. Ata duan luftë të ashpër dhe kjo nuk mund të arrihet pa ministër. Por veprimi i Metës duket se tregon dhe frikën e tij nga ndërkombëtarët. Gjermanë e britanikë kanë mbërritur në vend për të luftuar korrupsionin, pastrimin e parave dhe për të çuar në fund reformën në drejtësi. Meta u jep një goditje të fortë qëllimeve të tyre dhe nga ana tjetër tregon se u druhet të tilla aksioneve. Mbete të shohim se cili do jetë tani reagimi i qeverisë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews