Ballina Kultura Dossier SI SHPËRTHYEN DEMONSTRATAT E ’68 NË TETOVË (I)

SI SHPËRTHYEN DEMONSTRATAT E ’68 NË TETOVË (I)

Ismail Arsllani

Demonstratat e 22-23 dhjetorit të vitit 1968 në Tetovë, që shënojnë sivjet 50-vjetorin, jo vetëm që ishin rrjedhojë e disa ngjarjeve dhe zhvillimeve paraprake në Kosovë, por edhe të një shpërthimi të mllefit të akumuluar shumëvjeçar të shqiptarëve në Maqedoni e më gjerë, për shkak të shtypjes dhe tiranisë së pushtetit jugosllav, që proklamonte “barazi për të gjithë qytetarët”, por në praktikë ushtrohej një terror i paparë ndaj tyre nga një aparaturë e egër administrative-ndëshkuese të UDB-së famëkeqe, e cila kishte ekspoziturat e veta edhe në Maqedoni.

Kjo gjendje e rëndë e shqiptarëve që jetonin në territorin e Maqedonisë, brenda shtetit të përbashkët të Jugosllavisë, ishte pjekur për shpërthim. Aq më shumë se në Kosovë vëreheshin lëvizje të tilla të pakënaqësisë. Demonstratat në Kosovë kishin filluar në ditët e para të tetorit të vitit 1968, edhe atë në Prizren, ndërsa më vonë, në nëntor dhe dhjetor, edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Ky ishte një sinjal i fuqishëm për shqiptarët në Maqedoni që të ndërmarrin diçka, që të organizohen dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre në disa qytete të banuara me shqiptarë të Maqedonisë, për të kërkuar të drejtat që u takojnë, sidomos për përdorimin e simboleve të tyre kombëtare, si dhe për ngritjen e nivelit të arsimimit nëpërmjet hapjes së shkollave të reja të mesme në gjuhën shqipe.

Kush ishin nismëtarët e demonstratave

Nismëtarë për organizimin e demonstratave në Tetovë u bënë studentët shqiptarë nga Tetova, Gostivari, Kumanova e disa qytete të tjera, ata të cilët studionin në Universitetin e Beogradit, Zagrebit dhe të disa fakulteteve të Prishtinës. Në krye të këtyre aktiviteteve atdhetare përgatitore u vunë mësuesit: Mehmetriza Murtezani – Gega nga Tetova, i cili në vitin 1955 ishte dënuar me 10 vjet burg, për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së familjeve shqiptare për në Turqi, si dhe studentët nga Tetova: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Hyseinxhevat Kalishta, Abdylmenaf Rrustemi, Arbën Xhaferi, Xhemil Mustafa, Fehmi Rufati etj.
Para se të shpërthenin demonstratat në Tetovë, përkundër ndalesave shtetërore, rinia përparimtare, megjithatë, kremtonte në njëfarë mënyre festat kombëtare. Kështu, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, më 27 nëntor 1967, në shtëpinë e Mehmet Gegës në Tetovë ishte mbledhur një grup të rinjsh për të festuar këtë ditë të madhe kombëtare. Në atë mbrëmje festive kanë qenë të pranishëm: Faik Mustafa, Ramadan Sinani, Hyseinxhevat Kalishta, Miftar Zyberi, Fehmi Rufati, Abylselam Selami, Xhemil Mustafa, Arbën Xhaferi, Abdylmenaf Rustemi etj.

Një vit më vonë, më 18 tetor 1968, në Tetovë ishte bërë bojkotimi njëditësh i mësimit nga ana e nxënësve shqiptarë të Gjimnazit të Tetovës. Ata kërkonin hapjen e më shumë paraleleve shqipe, propozim ky që ishte dhënë një vit më parë. Ndonëse qarqet pushtetmbajtëse maqedonase e pengonin realizimin e këtij synimi, pas shqyrtimit të situatës, ishte vendosur më 20 tetor që të hapet edhe një paralele në gjuhën shqipe.
Një muaj më vonë, më 27 nëntor, grupi i Mehmet Gegës, me rastin e ditës së Flamurit, ishte mbledhur në shtëpinë e Faik Mustafës në Çarshinë e Epërme të Tetovës, pikërisht në kohën kur në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës ishin mbajtur disa demonstrata të mëdha, për të diskutuar organizimin e një demonstrate edhe në Tetovë.

Gjatë gjysmës së parë të muajit dhjetor 1968, u zhvillua një aktivitet i dendur organizativ. Anëtari i grupit, Faik Mustafa, vuri kontakte me dy studentë nga Gjakova, Agim Jaka dhe Ibrahim Rudi, me të cilët u konsultua rreth kërkesave që duhej shtruar në demonstratë. Ndërkohë u shkruan dhe u shumëzuan qindra ftesa për demonstratë, të cilat u shpërndanë në qytet dhe nëpër fshatrat përreth Tetovës, si dhe u shkruan pankarta me kërkesa konkrete. (Vijon)

@tn.lajmelokale
@tetovanews