Ballina Aktualitet Lajme Nesër takimi Zaev-Kasami, ja çfarë do bisedohet

Nesër takimi Zaev-Kasami, ja çfarë do bisedohet

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami nesër do të realizojnë takim, në të cilin do të bisedohet për kërkesat e këtij të fundit si kusht për votën “për” për ndryshimet kushtetuese. Portalb është në pritje të konfirmimit se nëse takim i ngjashëm do të mbahet edhe me liderin e Aleancës për Shqiptarë, Ziadin Sela pasi që të dy partitë nuk kanë dëshmuar garancë se do të votojnë “për” ndryshimet kushtetuese.
Kryeministri Zaev, në konferencën për media që u mbajt sot, deklaroi se takimi do të realizohet që të bisedohet për atë për çfarë lideri Kasami mendon se duhet të flitet për ndryshimet kushtetuese.

“Unë jam duke vazhduar bisedimet me të gjitha partitë, kështu do të realizoj takim edhe me zotërinë, Bilall Kasamin, ku do të flasim për atë që ai mendon se duhet të flasim. Por mu më vjen mirë që kemi dy parti politike, që janë nga opozita shqiptare, siç është Besa e udhëhequr nga Bilall Kasami dhe Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela, se kemi përkrahës të mëdhenj të proceseve integruese të Maqedonisë në NATO dhe BE, dhe kjo do të thotë se me nga ata presim përkrahje”, tha Zaev

Takimin e kanë konfirmuar edhe nga partia e Kasamit, dhe shtuan se fakti se ka bisedime dhe dialog, nuk duhet të paragjykojmë se nuk do të pranohen kërkesat që Besa i paraqiti si kusht për dy votat e saja “për” ndryshimet kushtetuese.

“Po do ketë takim mes kryetarit Kasami me kryeministrin Zaev. Do bisedohet për propozimet e Lëvizjes Besa rreth ndryshimeve kushtetuese. Fakti qe ka biseda dhe dialog nuk duam te paragjykojmë se nuk do pranohen kërkesat e Lëvizjes Besa”, tha zëdhënësi i BESA-s, Elmedin Memishi.

Siç sqaroi ai, kërkesat kanë të bëjnë: “Me ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe funksional, dhe duke pasur të gjitha argumentet në anën tonë, besojmë se këto amendamente do të pranohen”.

Përndryshe, ky takim vjen pasi që lideri Kasami deklaroi se: “Nëse Zaev nuk ka vesh për kërkesat e Besës, le të kërkojë vota tjera për ndryshimet kushtetuese”.

Se do të votojnë “për” ndryshimet kushtetuese nuk kanë garantuar as nga ASH-ja.

@tn.lajmelokale
@tetovanews