Ballina Aktualitet Lajme MJEKU RRËFEN SE SI LUFTOJNË PËR TË JETËN E TË LËNDUARVE RËNDË...

MJEKU RRËFEN SE SI LUFTOJNË PËR TË JETËN E TË LËNDUARVE RËNDË (VIDEO)

Një 19-vjeçare dhe një 38-vjeçar po luftojnë për jetë në Kirurgjinë e Spitalit Shtetëror. 38-vjeçari, që ishte një prej udhëtarëve të autobusit “Durmo Turs” që u rrokullis dje në afërsi të fshatit Llaskarcë, sot është operuar për herë të dytë, pasi që operacioni i mëparshëm nuk ka dhënë shumë rezultate. Kirurku Ilir Hasani ka qëndruar gjatë gjithë natës në mbikqyrje të pacientëve, dhe thotë se ka bërë gjithçka që ka mundur për të përmirësuar gjendjen e pacientëve, por se dy pacientët 19 dhe 38 vjeç, nuk kanë reaguar sa duhet ndaj mjekimeve dhe operacioneve. Për shkak të gjendjes së rëndë, pacientët janë të vendosur në repartin për mjekim intensiv.

Ilir Hasani, kirurg

“Dy pacientë janë në gjendje shumë më të rëndë. Janë kritik. Njëri prej pacientëve është transferuar në kirurgjinë torakale, për një intervenim të dytë. Ndërsa pacientja tjetër që është 19 vjeçare, është në gjende tejet të rëndë dhe nuk ka ndryshim. Bëhen përpjekje deri në maksimum që të stabilizojmë gjendjen e pacientes, si me metoda më agresive operative, ashtu edhe me metoda konzervative. Meqë gjendja është shumë e rëndë, nuk mund ta dimë se si do të shkojë deri në fund puna. Shpresat ekzistojnë sigurisht. Prandaj ne do mundohemi deri në fund që të shpëtojmë edhe ndonjë jetë”

Në Spitalin Shtetëror, për momentin po mjekohen nëntë persona. Prej katër pacientëve që janë operuar, dy janë në gjendje më të mirë. Gruaja shtatzënë që ishte poashtu në autobus, është në gjendje stabile dhe është transferuar në Gjinekologji. Hasani tha se edhe gruaja por edhe fëmija janë mirë. Dy pacientë të tjerë, dje janë lëshuar në mjekim shtëpiak, me kërkesë të tyre pasi janë ndjerë më mirë, dhe spitali u ka dhënë leje për të dalë.

Televizioni Shenja kontaktoi edhe Mjekësinë Ligjore për të pyetur nëse i kanë identifikuar personat që kanë ndërruar jetë nga aksidenti, por drejtori Aleksandar Stankov tha se prokuroria ia ka ndaluar të flasë për këtë temë. Por ai konfirmoi se tetë personave tashmë u dihet identiteti, ndërsa gjashtë të tjerët tek po idetifikohen me ndihmën e familjarëve, të cilët prej mbrëmë qëndrojnë para objektit të Mjekësisë Ligjore. Sipas të dhënave të fundit zyrtare të policisë, numri i të vdekurve është 14, ndërsa i të lënduarve është 39. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

https://youtu.be/6Rp_kEsIlvI

https://www.youtube.com/playlist?list=PLwDxg3Iu5-JvUYdFEia6fuwPj8rcwqerg

@tn.lajmelokale
@tetovanews