Ballina Aktualitet Opinione Një ngjarje historike për botën

Një ngjarje historike për botën

Bardhyl Ukcamaj

Papa Françesku në Dubai, Emiratet e Bashkuera, takohet me Princin e Kurorës, drejtuesit e shtetit, klerikët më të lartë islamikë. Merr pjesë në konferencën ndërfetare dhe celebron meshën e parë në gjirin arabik. Eshtë ngjarje, që për shumëkënd nuk besohej deri dje, e që ndryshon historinë. Papa është mirëpritur nga Princi i Kurorës së Abu Dhabit Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan dhe kleriket e larte islame në Aeroportin Ndërkombëtar të Abu Dhabit në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

U përshëndet me bresheri artilerie e aeroplanë, që shperndanin tym të verdhë dhe të bardhë përmes qiellit në nder të flamurit të Vatikanit. Princi i Kurorës i dhuroi Papës, dokumentin e noterizuar, që daton 22 qershor 1963, për një dhurim toke për të ndërtuar kishën e parë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Papa mbajti nje meshe te Martën për më shumë se 140,000 besimtarë në stadiumin e kryeqytetit. Kjo është vizita e parë e një Pape në Emiratet e Bashkuera. Me rastin e vizitës së Papa Françeskut, Emiratet e Bashkuara Arabe, pritën edhe 700 liderë dhe dijetarë të ndryshëm fetarë – duke përfshirë Dr Ahmed Al Tayeb, Imamin e Madh të Al Azhar në Egjipt dhe Kryetar i Këshillit Musliman të Pleqëve – në një Konferencë Globale të Njerëzimit.

Papa mori pjesë në këtë konferencë të sponsorizuar nga Këshilli Musliman i Pleqve me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Dokumenti “mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën e përbashkët”, nënshkruar dje pasdite në Dubai, gjate konferences nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al Azharit, Ahmed Al-Tayyib, nuk është vetëm gur kilometrik në marrëdhëniet e krishtërimit me islamin, por përfaqëson një mesazh me ndikim të fuqishëm në skenën ndërkombëtare.

Në parathënie, pohohet se “feja e bën besimtarin të shohë tek tjetri vëllain për t’u mbështetur e për t’u dashur”, dhe flitet për këtë tekst si për “një dokument të menduar me sinqeritet dhe seriozitet”. Deklerata e përbashkët fton “të gjithë njerëzit, që mbajnë në zemër fenë në Zotin dhe besimin në vëllazërimin njerëzor, të bashkohen dhe të punojnë së bashku”. Ky duhet te jetë lajm nëpër xhamitë e kishat tona këto ditë. Edhe në kontekstin shqiptar, sidomos në kontekstin shqiptar, ku bashkëjetojnë muslimanë e të krishtërë, ky është lajm i madh e i mirëseardhur. Eshtë i mirëseardhur gjithashtu për të gjithë ata klerikë, që besimin në Zot e kanë të ushqyer nga dashuria.

Eshtë interesante heshtja e sotshme e disa klerikeve e intelektualëve shqiptar, të cilët janë të gatshëm të kacafyten shpesh, edhe në emër te ZOTIT, sot heshtin.

Pse?

Mediat shqiptare por edhe rrjetet sociale e kanë lënë këtë ngjarje thuajse në harresë. E pra, ky është lajm i madh për botën dhe ka pushtuar të gjitha rrjetet ndërkombëtare të informacionit, në të gjitha skajet e planetit. Eshtë një lajm i gezuar për njerezit vullnetmirë, kudo. Miq, musliman e të krishtërë në Ballkan, ushqeni dashurinë në mesin tuaj e do të gjeni tek diversiteti magjinë e të bukurës ndryshe. Duajeni njëri – tjetrin si vellezër, si shqiptarë, e qytetarë te botës. Tek e mbramja, jemi të gjithë njësoj, së paku në këtë botë, rrugtarë të përkohshëm!

Artikulli paraprakA do e mbledhë Meta, Këshillin e Sigurisë Kombëtare për rrezikun rus?
Artikulli tjetërStudiuesja: Njerëzit janë hibrid i alienëve, ata vizituan Tokën por nuk i mbijetuan dot