Ballina Aktualitet Lajme Vazhdon fushata për kryetar shteti, kandidatët në qytete të ndryshme kërkojnë mbështetje...

Vazhdon fushata për kryetar shteti, kandidatët në qytete të ndryshme kërkojnë mbështetje nga qytetarët

Fushata parazgjedhore për kryetar shteti ka filluar më 1 prill, ndërsa kandidatët të cilët synojnë të udhëheqin me shtetin edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar aktivitetet e tyre.

Blerim Reka, Gordana Siljanovska dhe Stevo Pendarovski dje kanë realizuar takime me qytetarët nëpër vende të ndryshme, të cilat Telegrafi Maqedoni jua sjell të përmbledhura në një vend.

Kandidati i cili ka mbështetjen e partive opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, Blerim Reka, dje ka mbajtur takim me qytetarët Tearcës ku foli për konceptin e Republikës për të gjithë qytetarët, për sundimin e ligjit dhe drejtësi për të gjithë.

“Ka ardhur koha për President shqiptar, sepse edhe shqiptarët janë qytetarë të këtij shteti. Për t’u jetësuar koncepti i një republike për të gjithë, duhet ekzistuar barazi reale dhe jo vetëm formale për qytetarët e këtij vendi. Maqedonia si shoqëri multietnike nuk mund të funksionojë si shtet monoetnik. Prandaj me 21 prill vota juaj është votë për ndryshim, votë kundër korrupsionit dhe votë kundër padrejtësisë”, tha Reka.

Kandidatja e partisë opozitare maqedonase Gordana Siljanovska Davkova, dje kishte takime në komunën e Karposhit ku foli se në Maqedoni nuk ka sundim të së drejtës, gjyqësi të pavarur.

“Po pyes veten edhe sa vite duhet të përgatitemi për fillim të bisedimeve. Kuptohet se kjo është dëshmi e paaftësisë së pushtetit të ballafaqohet me sfidat e kësaj kohe”, tha Siljanovska Davkova duke shtuar se Maqedonia do të marrë raport nga BE-ja me formë interesante për pritje të fillimit të bisedimeve për hyrje në BE.

Ndërsa kandidati i partive në pushtet Stevo Pendarovski, dje ka qenë në komunën e Tetovës ku akuzoi pushtetin e kaluar.

“Dhjetë vite shteti udhëhiqej nga një njeri që e ndante popullin dhe i interesonte vetëm njerëzit e partisë së tij. Por ne nuk themi kështu. Edhe para pesë viteve edhe tani themi se Maqedonisë i duhet kryetar i përbashkët”, tha Stevo Pendarovski duke shtuar për shkak të përmendoreve nga viti 2006 deri në vitin 2016 emigruan më shumë njerëz se sa në 10 vitet e pavarësisë së vendit./Telegrafi/

@tn.lajmelokale
@tetovanews