Ballina Shëndeti Nga sëmundjet e stomakut, ato të gjakut e deri tek stresi, ja...

Nga sëmundjet e stomakut, ato të gjakut e deri tek stresi, ja si t’i kuroni me ilaçe bimore

Në këtë suplement do të mësoni se si funksionojnë bimët medicinave, dhe gjithashtu se si t’i përdorni ato dhe kur duhet të konsultoheni me një verbalist. Në këtë suplement nuk janë rreshtuar të gjitha bimët mjekësore, pjesa e dytë e tyre do të publikohet të shtunën e ardhshme.

Historia e ilaçeve bimore

Ilaçet bimore janë konsideruar që të jenë forma më e lashtë e shërimit. Bimët janë përdorur në shumicën e kulturave tradicionale dhe kanë pasur një ndikim të madh mbi shumë sisteme të mjekësisë, duke përfshirë mjekësinë tradicionale kineze, mjekësinë indiane, mjekësinë amtare amerikane dhe indigjencën australiane dhe gjithashtu mjekësinë moderne. Të dhënat e shkruara romake, egjiptiane, persiane dhe kulturat hebraike tregojnë se bimët janë përdorur për të trajtuar praktikisht çdo sëmundje të njohur. Historia e mjekësisë bimore është në fakt pjesë e historisë së mjekësisë në vetvete dhe njohuritë bimore kanë ardhur në Evropë nga Lindja e Mesme gjatë kryqëzatave. Shumë ilaçe me recetë të përdorura sot janë nxjerrë fillimisht nga pema, shkurret apo bimët. Sot ka shumë lloje të mjekësisë bimore, të cilat kanë qenë të zhvilluara nga kulturat e ndryshme nëpër botë. Në Australi, llojet më të zakonshme të ilaçeve bimore janë ato tradicionale kineze, indigjene dhe perëndimore (Evropiane). Lloje të ndryshme të mjekësisë bimore kanë të përbashkët, që ata përdorin bimë medicinale, por ato ndryshojnë në varësi të bimëve që ata përdorin, si ata e përgatisin dhe e zbatojnë atë dhe filozofitë që ndodhen pas qasjeve të tyre për trajtim. Mjekësia bimore është e klasifikuar si “alternative” ose “plotësuese” në shumicën e vendeve perëndimore, ajo mbetet e vetmja formë e mjekësisë gjerësisht në dispozicion për shumicën e popullsisë së botës.

Si funksionojnë ilaçet bimore?

Bimët përmbajnë një numër të madh kimikatesh natyrale që kanë disa lloje të aktivitetit biologjik. Bimët punojnë në një mënyrë shumë të ngjashme me përgatitjet farmaceutike. Në fakt disa ilaçe farmaceutike marren ende nga bimët. Psh. ilaçi i malaries është nxjerrë nga lëvorja e pemëve, ilaçi i dhimbjes, morfina është prodhuar nga opiumi.

Herbalistët perëndimorë besojnë se bimët duhet të përdoren në formën e tyre të plotë për të siguruar bilancin e përbërësve të përfshirë tek ta. Ata konsiderojnë se ilaçet bimore janë me dobi më të madhe, kur përdoren për trajtimin e gjendjeve kronike të vazhdueshme. Trajtimet bimore përgjithësisht nuk janë të shpejta. Herbalistët gjithashtu besojnë se bimët mund të jenë shumë efektive në trajtimin e shumë gjendjeve, madje duke eliminuar ose minimizuar efektet anësore të padëshiruara që janë parë shpesh në trajtimet konvencionale farmaceutike. Megjithatë duhet kuptuar që bimët mund të jenë shumë të fuqishme, por nëse përdoren gabimisht, ato mund të shkaktojnë efekte negative shumë të rënda.

Konsultojuni me një herbalist

Ju duhet gjithmonë të konsultoheni me një herbalist të mirë-trajnuar, përpara se të përdorni barna. Herbalistët janë trajnuar se si t’i miksojnë ato për gjendje të caktuara dhe simptoma dhe sa kohë mund të zgjasin. Bimët janë zgjedhur që t’i përshtaten çdo njeriu ashtu sikundër për të trajtuar sëmundjen ose gjendjen e tyre.

Llojet barnave

Barnat vijnë në një sërë formash dhe mund të aplikohen së brendshmi dhe së jashtmi.

Mjetet bimore që janë marrë së brendshmi përfshijnë:

Ekstrakte bimore të lëngshme;

Çajërat; dhe

Kapsulat dhe tabletat.

Mjetet herbale që janë përdorur nga jashtë përfshijnë:

Banjot;

Kompresat;

Dushet;

Vajërat;

Locionet; dhe

Kremrat;

Përdorimi i ilaçeve bimore

Ilaçet bimore prakikisht ofrojnë trajtim për çdo sëmundje që prek ndonjë sistem të trupit. Gjendjet e zakonshme të trajtuara nga herbalistët përfshijnë:

Problemet e lëkurës siç është psoriaza, aknet dhe ekzemën;

Problemet e tretjes të tilla si ulcera peptike, koliti, sindroma e acarimit të zorrëve, urthi dhe dispepsi;

Gjendje të zemrës dhe qarkullimit të gjakut, siç është presioni i lartë i gjakut, venat varikoze dhe ulcera; dhe

Çrregullimet gjinekologjike siç është sindroma paramenstruale dhe problemet e menopauzës.

Gjendje të tjera që herbalistët trajtojnë përfshijnë:

Artritin;

Pagjumësinë;

Stresin dhe gjendje të lidhura me nervat;

Dhimbjet e kokës dhe migrenën;

•Infeksionet e trakteve respiratore;

Të ftohtin dhe gripin; dhe

Përgjigje alergjike, siç është astma.

Mbani mend se kur ju të takoni një herbalist, ju duhet gjithmonë t’i thoni atyre se çfarë ilaçesh ju jeni duke marrë. Ju gjithashtu duhet t’i tregoni mjekut tuaj nëse jeni duke planifikuar për të filluar një kurs të mjekësisë bimore. Ju kurrë nuk duhet të ndaloni së marri ilaçet konvencionale përveçse nëse mjeku juaj e di dhe i miraton ato.

Rregullorja e ilaçeve bimore

Produktet medicinale që përmbajnë bimë janë të rregulluara nga administrata terapeutike. Nëse përbërësit konsiderohen që të jenë me rrezik të lartë, qoftë për shkak të toksicitetit të tyre, kohës së mundshme të përdorimit, efekteve anësore, ndërveprimeve ose funksioneve të tjera, ilaçi duhet të jetë një ilaç i “regjistruar”.

Indikacionet dhe pretendimet për barnat e listuara nuk janë hetuar ose vlerësuar para se ilaçet të jenë tregtuar, por prodhuesit janë të detyruar të mbajnë dëshmi për të mbështetur pretendimet që ata kanë.

Aguliçja

Rrënjët dhe lulet e thara të aguliçes (emri tjetër zgorofeta) kanë veti shëruese. Aguliçja është bimë barishtore shumëvjeçare, e zakonshme në livadhe, pyje, kullota subalpine dhe alpine. Esenca përdoret si nxitës i nxjerrjes së gëlbazës, kundër të ftohurit, bronkiteve akute dhe kronike si dhe enfizemës së mushkërive.

-Një lugë gjelle me esencë lule hidhet në një enë me një gotë ujë të sapozier; mbulohet me kapak, lihet 15-30 minuta; pastaj përmbajtja kullohet dhe pihet e ngrohtë; merren 2-3 doza të tilla në ditë, kryesisht si mjet që lëngëzon dhe largon sekrecionet e bronkeve në bronkite e pneumoni, si mjet qetësues në pagjumësi, në shqetësime nervore, në dhembje koke, në të marrët e mendve; në çrregullime të traktit tretës; në sëmundje të veshkave dhe të fshikëzës urinare. Për të njëjtat shqetësime përdoret edhe rrënja e cila përgatitet si vijon:

-Një lugë gjelle me esencë rrënje të grimcuara zihet për 10 minuta në 1 gotë ujë. Kullohet. Pihen 3-4 lugë gjelle në ditë.

Akja

Esenca përbëhet nga lulesat kaptina të thara të akjes. Akja rritet në vende të thata dhe të zbuluara të cilat rrihen nga dielli (Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Çajup etj.). Bima është rreth 40 cm të gjatë, lulëzon në qershor-shtator.

-Lulet e akes kanë veti bakteriostatike, të nxisin urinimin, prodhimin e tëmthit, veti spazmolitike etj.. Ato përdoren për të tretur gurët e fshikëzës së tëmthit; për të nxitur punën e tëmthit; në sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, në verdhëz etj. Esenca e kombinuar edhe me bishtamithin e me pelin bëhet më e efektshme për prodhimin e tëmthit. Përdoret dhe kundër parazitëve të zorrëve.

-Një lugë kafeje me esencë hidhet në një gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet në qetësi 15 minuta. Përmbajtja kullohet. Pihen 1-3 doza të tilla në ditë para buke për 10 ditë rradhazi.

-Ruhet në vende të thata, deri në 18 muaj.

-Bima e tharë shpesh përdoret dhe për qëllime dekorative.

Anasoni

Esenca përbëhet prej fryteve të thara të anasonit , i cili është bimë njëvjeçare.

Anasoni përdoret kundër ngërçeve të muskujve të lëmuar (të stomakut, të zorrëve, mitrës etj.); për nxitjen e prodhimit të lëngjeve nga të gjitha gjendrat, përfshi edhe ato të qumështit; për largimin e gazeve nga zorrët (karminative); kundër morrave; për pastrimin e gëlbazave nga rrugët e frymëmarrjes. Rekomandohet sidomos tek fëmijët.

-Katër lugë kafeje me fryte anasoni të copëtuara hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 15-20 minuta. Përmbajtja kullohet dhe lëngu pihet në 3 doza gjatë ditës. Frytet e anasonit mund të përdoren edhe në formë pluhuri, duke marrë 3 herë në ditë nga 1 gr esencë.

-Anasoni përdoret dhe si erëz në kuzhinën europiane për aromatizimin e ëmbëlsirave, pijeve (të uzos greke, sambukas italiane, rakisë turke psh). Anetoli, përbërësi aromatik më i fuqishëm i saj ndodhet dhe në një erëz tjetër (illicium verum), e cila prodhohet më lirë prandaj dhe gradualisht e ka zëvendësuar përdorimin e anasonit në kuzhinën evropiane.

Angjinarja

Esenca përbëhet nga gjethet e thara të angjinares, e cila është bimë barishtore shumëvjeçare, me lule tubike blu.

-Esenca nxit punën e tëmthit; përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të tëmthit, nxit urinimin; në arterosklerozë, ku kombinohet edhe me vitaminë P; në disa forma të diabetit, në albuminuritë kronike etj.:

-Në fillim të kurës përdoret 1 lugë gjelle (më vonë 2 lugë gjelle) me esencë të grimcuar, e cila zihet 20 deri 30 minuta në një enë që përmban një gotë me ujë. Përmbajtja kullohet, merren 3 doza të tilla në ditë. Kura zgjat rreth 1 muaj, pastaj ndërpritet për 1 muaj dhe rifillon në rast nevoje.

-Angjinarja përdoret dhe si perime në kuzhinën europiane, kurse kuzhina shqiptare e injoron.

Arra

Esenca përbëhet nga gjethet e thara të arrës . Ajo ndeshet edhe në gjendje të egër, sidomos në luginat e Alpeve, në Martanesh etj.

-Gjethet e arrës janë rrudhëse, hipoglicemizuese, antileukoreike etj. Shton sekretimin e lëngut të stomakut; përmirëson oreksin, rrudh mukozat e lëkurës, ngushton arteriet etj. Përdoret në dispepsi; acarime të aparatit tretës, në hemorragji etj. Meqënëse ndihmon në mjekimin e indeve të dëmtuara, disa autorë këshillojnë kombinimin e terapisë antibiotike specifike (të turbekulozit) me preparatet e gjetheve të arrës. Përdoret në formë lavazhi kundër morthit, acarimeve të rrugëve gjenitale, ekzemës, puçrrave etj. Si gargarë përdoret kundër acarimeve të fytit.

-Një lugë kafeje me esencë të grimcuar hidhet në një gjysëm gote ujë të sapozier, lihet 15 minuta, pastaj kullohet dhe pihet gjatë ditës. Përdoren 3 doza të tilla në ditë. Në plagë me proçese qelbëzimi, në sëmundje të lëkurës këshillohet aplikimi i banjave me çaj që fitohet duke zier 8-10 gr gjethe në 100 gr ujë. Banjat këshillohen edhe për të pakësuar djersitjen e këmbëve. Arrës i përdoren edhe lëvozhgat jeshile të thara, të cilat përmbajnë tanine, juglon etj., në sajë të vetive antiseptike dhe keratenizuese ato shfrytëzohen në dermatoza të ndryshme. Çaji i përgatitur duke zier 20 gr lëvozhga në 1 l ujë dhe i pirë në dozën 2-3 gota në ditë pas ngrënjes përdoret në anemi.

Bargjaku

Esenca përbëhet prej majash të lulëzuara, të thara të bargjakut i cili është bimë e zakonshme tek ne në zonat fushore buzë vijave me ujë. Lulëzon qershor-tetor.

Esenca përdoret në diarre që shoqërohen me humbje të tonusit të zorrëve; si qetësuese; kundër hemorragjisë; në dizanterinë bacilare. Ka veti të lehta antibiotike prandaj përdoret dhe në gastroenterit, në tifo dhe në dizenteri.

30-40 gr esencë e grimcuar hidhen në 1 litër ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe lihet për 15 minuta, pastaj çaji kullohet nëpërmjet një nape. Pihen 300-500 gr çaj në ditë.

Bar majasëlli

Esenca nxirret nga pjesa mbitokësore e lulëzuar e barit të majasëllit, i cili rritet nëpër toka të thata, të zakonshme në vendin tonë. Lulëzon në maj-shtator.

Bari i majasëllit përdoret në mjekimin e majasëllit dhe të kolitit.

Merren rreth 3 tufa (ose 45 gr) bar majasëlli, zihen në 1 kg ujë për 1.5 orë, lëngu kullohet dhe prej tij pihen 3 filxhana në ditë; çaji pihet rreth 7-20 ditë për majasëllin dhe rreth 20-30 ditë për kolitin. Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.

Bari i shpretkës

Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar, e tharë e barit të shpretkës (emra të tjerë: sporisi mjekësor, përvasheni, latinisht Verbena officinalis, familja Verbenaceae), i cili është bimë e zakonshme në vende barishtore, djerishte e buzë kanaleve të zonave të ulëta. Lulëzon nga pranvera në vjeshtë.

Esenca është pak helmuese. Përdoret si mjet fuqizues; si ekspektorant; kundër gurëve të mëlçisë së zezë e të veshkave, kundër reumatizmit, shiatikut, artritit, nevralgjisë dhe zmadhimit të shpretkës.

3-4 lugë gjelle me esencë të grimcuar hidhen në gjysëm litri ujë të zier. Ena mbulohet me kapak, lihet gjysëm ore, pastaj lëngu kullohet. Pihen 3 filxhanë kafeje në ditë. Ky çaj mund të përdoret për gargarë në mahisjet e gojës, të bajameve si dhe për shpëlarjen e plagëve.

Kundër zmadhimit të shpretkës dhe dhembjeve nga reumatizmi përgatitet në formë llapaje si vijon: në një enë hidhet një grusht me bar të freskët të grimcuar në formë qulli. Shtohet pak uthull dhe përmbajtja përzihet duke e ngrohur lehtë deri sa uthulla të avullohet. Masa që ngelet mbështillet në një copë lecke dhe vihet e ngrohtë në vendin e dhembjes.

Ruajtja: Në vende të thata esenca e ruan veprimin për 2 vjet.

Bliri

Esenca e luleblirit përbëhet nga lulesa të thata të shoqëruara me braktene të blirëve të cilët janë drunj deri në 30 m të lartë, të kodrave dhe maleve.

Lulet e blirit përdoren në sëmundje të shkaktuara nga të ftohtët dhe që shoqërohen me temperaturë (rrufë, kollë, gëlbazë etj.) sepse shkaktojnë djersitje; në sëmundjet e fshikëzës urinare dhe të veshkave; për të përmirësuar çrregullimet e stomakut dhe për të lehtësuar dhembjet; lehtësojnë gjumin.

Një lugë supe me lulebliri hidhet në 1 gotë me ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak dhe lihet 5-10 minuta duke e tundur herë pas here, pastaj lëngu kullohet, dhe pihet i ngrohtë. Merren disa doza të tilla gjatë ditës.

Në vende të thata esenca ruan veprimin e vet për 2 vjet.

Boronica

Esenca përbëhet nga frytet e pjekura dhe të thara të boronicës (emra të tjerë: thrashegra, qershigla e egër, e zakonshme në pyje, në livadhe të zonave malore ; lulëzon në maj-korrik; frutifikon në korrik-shtator.

Frytet e boronicës përdoren kundër heqjes së barkut, majasëllit, infeksioneve të zgavrës së gojës dhe të fytit; në hemorragjitë e retinës (të tipit diabetik dhe hipertensiv); në diabet.

Frytet merren nga goja në varësi të moshës (mesatarisht 5-10 gram), përtypen dhe gëlltiten. Përdoren edhe në formë çaji duke zhytur në një gotë me ujë sasinë e fryteve të mësipërme, të cilat pasi mufaten, zihen lehtë.

Gjethet përdoren në formë çaji, i cili përgatitet duke zier 2 lugë kafeje me esencë të grimcuar në një gotë ujë.

Borziloku

Esenca përbëhet nga pjesa mbitokësore e tharë e borzilokut ose sefërgjenit.

Bima përdoret si erëz, qetësues i dhembjeve të barkut, kundër pezmatimit kronik të stomakut, kapsllëkut që vjen nga ngërçi (tkurrja, shtrëngimi) i muskulaturës së zorrës, çrregullimeve të zorrëve etj.

Dy lugë çaji me esencë të grimcuar hidhen në 1 gotë me ujë të sapozier; ena mbulohet me kapak dhe lihet për 10-15 minuta duke e tundur herë pas here; pastaj lëngu kullohet dhe pihet. Gjatë ditës mund të përdoren 2-3 doza të tilla.

Bari i borzilokut përdoret edhe në formë llapaje në dëmtime të lëkurës (eritema, ekzema) të shkaktuara nga fërkimi. Për këtë qëllim, esenca zbutet me pak ujë të valuar, përzihet derisa të marrë trajtë llapaje, pastaj vihet mbi vendin e dëmtuar të lëkurës.

Përdoret edhe kundër mahisjes së gojës dhe të fytit në formë gargare, në këtë mënyrë: 5 lugë gjelle me esencë të grimcuar zihen në një enë të zinkuar për 3-5 minuta me dy gota me ujë. Pastaj lëngu kullohet dhe përdoret për gargarë ose për të shpëlarë gojën.

Ruhet në vende të thata deri në 2 vjet.

Bushi

Esenca përbëhet nga gjethet dhe lëvoret, të thara, të bushit (emra të tjerë: shemshiri, pikësas, e cila është një shkurre e zakonshme në toka të thata e gëlqerore deri në 1600 m mbi sipërfaqen e detit.

Esenca ka veti dezinfektuese.

Bushi përdoret për uljen në përgjithësi të temperaturës së shkaktuar nga pezmatimet e rrugëve të tëmthit dhe të urinës, si dhe për uljen e tensionit të gjakut; nga jashtë përdoret në podagër, në sëmundje të lëkurës dhe reumatizëm. Duhet të përdoret nën mbikëqyrjen e mjekut sepse është helmuese.

1/2 kafeje me esencë të copëtuar hidhen në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak, lihet derisa të ftohet, pastaj çaji kullohet, e pihet gjatë ditës në 3 doza. Në vende të freskëta dhe të thata e ruan veprimin për 2 vjet.

Çaji kinez

Çaji kinez ose i Evropës përbëhet nga gjethet e thara të bimës.

Çaji kinez përdoret për gjallërimin dhe tonizimin e organizmit; në ethe, grip, heqje barku, si diuretik, si kundrahelm (antidot) në helmime me substanca frenuese. Nuk rekomandohet në persona qe vuajnë eksitimi nervor dhe nga presioni i lartë i gjakut.

Një lugë kafeje me esencë hidhet në 250-300 ml ujë të sapovaluar, ena mbulohet me kapak dhe pas 5-10 minutash kullohet. Çaji pihet disa herë në ditë sipas dëshirës. Çaji del i shijshëm kur përgatitet menjëherë me ujë të valuar.

Çaji i malit

Çaji i malit përbëhet nga pjesa mbitokëzore e bimës.

Çaji i malit përdoret si pije familjare. Bima mund të rekomandohet edhe si bar kundër ftohjeve.

Një lugë e çajit të malit grimcohet dhe hidhet në1 gotë ujë të sapovaluar; ena mbulohet me kapak, lihet të qëndrojë për 15-20 minuta duke e përzier herë pas here; lëngu kullohet; merren disa doza të tilla në ditë.

Çikoria

Esenca përbëhet prej gjetheve dhe rrënjëve të çikores , të cilat mblidhen në pranverë dhe në vjeshtë. Çikoria është bimë barishtore shumëvjeçare deri në 1 m e lartë. Lulëzon në korrik deri në shtator.

Esencat përdoren për gjallërimin e organizmit, për nxitjen e tretjes dhe urinimit, përmirësimin nganjëherë të ekzemës, zbrazjen e fshikëzës së tëmthit dhe të dalët jashtë, pa acaruar aparatin tretës.

Zihen 1 lugë gjelle me rrënjë ose me gjethe të grimcuara në një xhezve të madhe me ujë dhe çaji kullohet; pihen 2-3 doza të tilla në ditë. Në enë të mbyllura mirë esenca e ruan veprimin për 2 vjet.

Dafina

Esenca përbëhet prej gjetheve e fryteve të thara të dafinës ose larit; lulëzon në maj-prill; frutifikon në tetor-nëntor.

Gjethet e dafinës përdoren si ndihmëse në mjekimin e bronkitit e të gripit, në rastet e ftohjes që shoqërohet me temperaturë, si erëza etj.

Frytet e dafinës përdoren më shumë në veterinari, si mjet për të shtuar oreksin dhe si kuron stomakun.

Një lugë gjelle me gjethe dafine të grimcuara (së bashku me 1 lugë gjelle me lëvore portokalli, në rast se keni) hidhen në një 1 gotë ujë të sapozier. Ena mbulohet me kapak dhe përzierja lihet të qëndrojë 10 minuta. Pastaj kullohet. Pihen 2-3 gota të tilla në ditë. Në formë banje frytet e dafinës përdoren kundër djersitjes së tepërt dhe erës së keqe të këmbëve, në këtë mënyrë: një grusht me fryte të thara e të copëtuara të dafinës hidhen në një enë ku shtohet 1 litër ujë. Ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 20 minuta, lihet derisa të ftohet. Lëngu kullohet, zbrazet në një legen ku paraprakisht është hedhur ujë i ngrohtë. Këtu futen këmbët dhe mbahen për një kohë të gjatë. Në vende të thata esencat e ruajnë efektin për 2 vjet.

Dëllinja

Esenca përbëhet nga frytet e pjekura e të thara të shkurres së dëllinjës së zezë; bimë e përhapur. Fryti në vitin e parë është i gjelbër, ndërsa kur piqet (në vitin e dytë) bëhet gati i zi. Bima lulëzon frytifikon në shtator-nëntor.

Esenca përdoret për nxitjen e urinimit dhe pengimin e zhvillimit të mikrobeve në rrugët urinare; përdoret në hidropizi, në reumatizmin e kyçeve; në të ftohur, në bronkitet katarale, sepse ndihmojnë në nxjerrjen e gëlbazës dhe në lehtësimin e kollës. etj. Esenca sforcon veshkën prandaj nuk këshillohet tek fëmijët dhe në rastet me veshkë të sëmurë.

Një lugë kafeje me esencë të grimcuar hidhet në një gotë me ujë. Ena mbulohet me kapak dhe përmbajtja zihet për 5-10 minuta, lihet në qetësi derisa të ftohet, kullohet dhe lëngu pihet. Merren 2-3 doza të tilla në ditë.

Përgatitja e frytave rekomandohet në këtë mënyrë: 1 kg fryte hidhen në 10 l ujë. Mbas disa ditësh (4-5) kur merr erën e dëllinjës, uji pihet me gota disa herë në ditë si mjet diuretik dhe ne çrregullime të traktit tretës. Lëngu që hiqet nga ena zëvendësohet me ujë. Kjo gjë vazhdon derisa kokrrat e dëllinjës të bien të gjitha në fund të enës. Në këtë rast nuk hidhet më ujë dhe lëngu pihet derisa të mbarojë.

Elbi

Elbi përdoret për të mjekuar sëmundjet inflamatore të sistemit të tretjes; për gargarë në mahisjen e bajameve dhe inflamacionin e fytit; si freskues dhe si mjet i lehtë kundër heqjes së barkut.

Malti që përbëhet nga elbi i mbirë jo plotësisht (në mënyrë artificiale), përveç përgatitjes së birrës përdoret edhe në formë pluhuri në dozat 5-20 gr në ditë, si ushqyes tek fëmijët që kanë të dobët muskulaturën e stomakut dhe të zorrëve, tek të moshuarit dhe në rastet e urthit (hiperkloridrisë) tek të rriturit.

Në rastet e enteritit mund të përgatitet ky çaj: zihen në 3 litra ujë nga 2 lugë me grurë, elb, tërshërë, misër, thekër dhe krunde derisa të ngelet 1 litër. Lihet të ftohet, pastaj lëngu kalohet nëpër një napë të hollë, pihet brenda 24 orëve ashtu siç është ose i holluar me qumësht dhe i ëmbëlsuar.

Fasulja

Esenca përbëhet nga bishtaja pa fryte, të thara të fasules (groshës).

Bishtajat pa farë (lëvozhgat) të groshës nuk janë helmuese.

Esenca përdoret si diuretike në rastet e grumbullimit të ujit në organizëm; në sëmundje të veshkave dhe të rrugëve të urinës; përdoret si antidiabetike e lehtë; për uljen në një masë të lehtë të presionit të ngritur të gjakut.

Esenca nxirret nga fasule të pjekura. Fasulet e gjelbra (bishtajat me fasule të papjekura) në disa persona mund të shkaktojnë sëmundje të lëkurës nga prania e proteinës helmuese fazinë. Kjo proteinë që në persona të tjerë mund të shkaktojë edhe të vjella dhe diarre, pezmatime të zorrëve etj. shkatërrohet me zierje.

Katër grushte me esencë të grimcuar zhyten në dy litra me ujë, lihen disa orë të bymehen, pastaj zihen derisa të ngelet gjysëm litri lëng. Pihen 2-3 gota në ditë, para buke.

Fiku

Esenca përbëhet nga frytet e thata të fikut.

Përdoret si laksativ i lehtë, në bronkitet dhe në kollë. Në formë gargare frytet përdoren në pezmatimet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe të gojës.

50 gr fiq të thatë futen në darkë në një enë ku shtohen 500 ml ujë dhe zihen 20 minuta. Të nesërmen fiqtë hahen dhe lëngu pihet. Kjo kurë përdoret kundër kapsllëkut

Lëngu qumështor i freskët i frytit, i gjetheve dhe i degëve të reja përdoret për zhdukjen e lytheve (verrukave) duke i pikuar ato çdo ditë 2-3 herë me lëng.

Lëngu qumështor përdoret edhe për zhdukjen e qukave të fytyrës, duke i lyer ato një herë në ditë.

Fomi mjekësor

Përdoret në sëmundje të fshikëzës së tëmthit dhe të mëlçisë, në heqjet e barkut nga çrregullimet e tretjes, në kapsllëk dhe në sëmundje që karakterizohen nga mbajtja e ujit në organizëm. Acidi fumarik ndihmon proçeset e oksidimit në organizëm.

Esenca e fomit mjekësor në doza të larta mund të shkaktojë paralizën e qendrës së frymëmarrje.

Dy lugë kafeje (2.5 gr) esencë e grirë hidhen në një enë të zinkuar ku përvëlohen me 1 gotë ujë që zien. Ena mbulohet me kapak dhe lihet 10-15 minuta. Pastaj çaji kullohet dhe pihet në dy doza gjatë ditës. Në vende të thata esenca ruan veprimin për 2 vjet.

Frashëri i bardhë

Esenca nxit të urinuarit, djersitjen, të dalët jashtë; rekomandohet në mjekimin e reumatizmit dhe të gutës.

Një deri 2 lugë gjelle me esencë të grimcuar hidhen në një enë ku përvëlohen me një gotë ujë që zien, lihen 15 minuta dhe pastaj lëngu kullohet, ëmbëlsohet sipas dëshirës dhe pihet. Merren 2 doza të tilla në ditë gjatë ngrënjies.

Ftoi

Ftoit për qëllime mjekësore i përdoren farat dhe gjethet e thara, si dhe tuli i fryteve.

Farat e ftoit përdoren si ekspektorante, laksativë; si mjet që rregullon tretjen në sëmundje të stomakut e të zorrëve; në kollë. Gjethet e ftoit përdoren kundër diarresë.

Farat duhet të përdoren të plota, çaji nga farat përgatitet si vijon: 1 lugë kafeje me fara ftoi hidhen në një enë ku shtohen 2 gota me ujë. Përmbajtja zihet për 10 minuta, lihet në qetësi 15 minuta dhe pastaj lëngu kullohet dhe pihet gjatë ditës.

Çaji nga gjethja përgatitet kështu: 10-10 gr gjethe ftoi të thara e të grimcuara hidhen në një enë ku shtohet 1 litër ujë. Përmbajtja zihet 5 minuta dhe pas vakjes lëngu kullohet. Pihen 2-3 gota çaj në ditë në rastet e heqjes së barkut dhe mund të përdoret edhe nga jashtë për larje vaginale kundër leukoresë.

Gështenja

Esenca përbëhet nga gjethe të thara të gështenjës e cila tek ne takohet me shumicë deri në 1200 m lartësi.

Gjethet e thara të gështenjës ndihmojnë në nxjerrjen e gëlbazës (ekspektorante) dhe në qetësimin e kollës. Rekomandohet edhe kundër reumatizmit.

1 deri 3 lugë kafeje me esencë të grimcuar hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë të valuar. Ena mbulohet me kapak. Përmbajtja lihet 15 minuta, pastaj çaji kullohet. Pihen 1-3 gota çaj në ditë. Ruajtja: në vende të thata, deri në 2 vjet.

Gështenja e egër

Esenca përbëhet nga lulet dhe farat e thara të gështenjës së egër ose gështenjës së kalit, e cila është dru që takohet tek ne i egër në lartësi 800-1600 metër (në Nemërçkë, në malin e Çikës) dhe si dru i kultivuar në zbukurimin e parqeve në qytete.

Esenca përdoret si rrudhëse, anti-reumatike, anti-koaguluese dhe ekspektorante në pezmatimin e rrugëve të frymëmarrjes, në grumbullimin e gjakut në vena, në pezmatime sipërfaqësore dhe të thella të venave, në majasëll dhe në sindromin pas trombozës; në çrregullime të qarkullimit periferik, si psh. në sëmundjen Reno, në çalimin e herëpashershëm dhe në çrregullime të enëve të gjakut që furnizojnë trurin.

2-3 lugë çaji me esencë lule hidhen në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta (me përzierje të herëpashershme) dhe pastaj kullohet. Lëngu pihet gjatë ditës.

Grami

Esenca përbëhet nga rizoma e tharë, e grimcuar e gramit zvarranik.

Esenca nxit urinimin; përdoret në pezmatimin e pjesëve të poshtme të rrugëve urinare, në reumatizëm dhe sëmundje të lëkurës; në mjekimin e hipertensionit arteria; si ndihmëse në sëmundjen e diabetit.

Një lugë supe me esencë të thërmuar (5 gr) futet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë (150-200 ml) dhe zihet 10 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet. Gjatë ditës merren 2-3 doza të tilla.

Gjethedelli

Esenca pëdoret për të provokuar nxjerrjen e gëlbazës (ekspektorant); si ndihmëse për të mjekuar katarret e rrugëve të frymëmarrjes, bronkitin, azmën etj; nga jashtë për mbyllje plagësh të ndryshme, puçrrash varikoze etj.; në formë çaji për larjen e syve (në acarimin e konjuktivës etj.), për gargarë në rastet e acarimit të bajameve,.

Një lugë supe me esencë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë me ujë. Përmbajtja lihet 1 orë të bymehet, pastaj zihet për 10-15 minuta, kullohet dhe çaji pihet. Pihen 2-3 gota në ditë. Nga jashtë përdoren më shpesh gjethet e njoma, të lara dhe të njomura për 1 orë me ujë të valuar, me të cilat përgatiten llapa për mjekime plagësh të ndryshme të lëkurës.

Kallinjtë e frutifikuar të gjethedellit të madh (Plantago major) grumbullohen gjatë verës dhe thahen në hije. Esenca e fituar përgatitet për mjekimin e pezmatimit të veshkave dhe si ndihmëse në sëmundjen e prostatës në këtë mënyrë: ~40 gr kallinj të frutifikuar zihen në 3-4 litra ujë derisa ky i fundit të shterojë në ½ litër. Përmbajtja kullohet, mbetja shtrydhet në mënyrë që e gjithë masa e lëngët të kalojë në çaj, pihen 3 gota në ditë, para buke. Në mëngjez pihet esëll. Kura vazhdon deri në mjekimin e plotë.

Gjineshtra ngjyruese

Esenca përbëhet nga bari i lulëzuar dhe i tharë i gjineshtrës ngjyruese, e cila është një gjysëm shkurre, e shpeshtë nëpër pyje, shkurreta e kullota. Lulëzon nga maji në gusht.

Esenca përdoret si diuretike dhe si dezinfektuese në sëmundjet e veshkave dhe në sëmundjet e rrugëve të poshtme urinare; pëdoret në edema dhe në pamjaftueshmëri të zemrës.

Një lugë çaji me esencë të grimcuar hidhet në një enë ku shtohet 1 gotë çaji me ujë që zien. Përmbajtja lihet në qetësi 15 minuta, pastaj lëngu kullohet, pihen 2 doza të tilla në ditë.

Gjyhënusja

Esenca përbëhet nga rrënjët e thara të gjuhënuses ose të kalmuthit me gjemba, i cili është një shkurrë me gjemba, pothuajse e zakonshme në toka të thata, djerrë, kryesisht në zona të ulëta.

Esenca përdoret në rastet me gurë në veshka ose në fshikëz, në rastet e pezmatimit të fshikëzës së urinës (cistit), në nefrite me gurë, në reumatizëm etj. Këshillohet të pihet 3 ditë rresht pastaj të bëhet një ndërprerje 3 ditore. Nuk lejohet përdorimi tek fëmijët.

20 gr esencë e grimcuar zihen në 1 litër ujë derisa të ngelet ¼ e lëngut. Çaji kullohet dhe pihet gjatë ditës. Në vende të thata ruhet deri në 2 vjet.

Hashashi

Për mjekim përdoret lulja dhe gjethja e bimës. Hashashi është përdorur si çaj, tinkturë, duhan; në kremëra etj. Lulja e hashashit ka deri në 10 herë më shumë substanca aktive se gjethja, dhe deri në 100 herë më shumë se kërcejtë dhe farat.

Kultivimi i hashashit mund të kryhet vetëm me leje nga Ministria e Brendshme. Posedimi i dozave të vogla të hashashit, për përdorim personal nuk konsiderohet vepër penale. Çdo përdorim tjetër i hashashit është vepër penale.

Hashashi është përdorur që në mijëvjeçarin e 3-të përpara erës sonë. Përdorimet mjekësore të tij përfshijnë: kundër nauzeas dhe të vjellave; kundër glaukomës (pakëson tensionin e syrit); kundër dhimbjeve, sidomos atyre neuropatike (si analgjezik); për shtimin e oreksit etj. Gjatë luftës së dytë botërore është përdorur në hetimin e të dyshuarve për të nxjerrë prej këtyre informacione në gjendje të droguar. Në disa shtete të SHBA-së hashashi konsiderohet bimë mjekësore që mund të rekomandohet nga mjeku.

Aktualisht rreth 60 organizata shëndetësore ndërkombëtare dhe të SHBA-së kërkojnë ligjërimin e përdorimit mjekësor të hashashit

Hithra

Esenca përbëhet nga gjethet e thara të hithrës.

Gjethet e hithrës përdoren kundër anemisë; për ndalimin e hemorragjisë; si ndihmëse në sëmundjen e sheqerit; si nxitëse të urinimit; për shtimin e qumështit tek gratë me fëmijë në gji; si mjet diuretik i lehtë në pezmatime të rrugëve të urinës, në edema dhe në reumatizëm; si mjet ndihmës në sëmundje të mëlçisë dhe të tëmthit; në formë çaji kur organizmi ka nevojë për vitamina; si perime kundër anemisë si dhe për të fuqizuar dhe harmonizuar punën e zorrëve. Hithrat e freskëta, të rritura, përdoren në reumatizëm si mjet që nxit qarkullimin e gjakut në lëkurë (veprimi djegës dhe kruajtës). Esenca përdoret edhe nga jashtë për të nxitur rritjen e flokëve, kundër zbokthit, për mjekimin e ekzemës etj.

Esenca e tharë, si dhe ekstraktet e fituara nga bima e njomë, por me ngrohje, nuk kanë veti djegëse. Këtë veti e ruajnë ekstraktet alkoolike që fitohen nga bima e freskët.

Një luge supe me esencë të grimcuar zhytet në një gotë me ujë, zihet 5 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet. Merren 1-3 doza të tilla në ditë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews