Ballina Aktualitet Lajme SI NË VENDLINDJEN TIME (VIDEO+FOTO)

SI NË VENDLINDJEN TIME (VIDEO+FOTO)

Nga Neshat Mehmedi

Dashuria, mallëngjimi, ëndrrat për vendlindjen gjithmonë na e prishin rahatinë kudo që të ndodhemi; në mërgim, punë, gjumë,… na trazojnë ndjenjat e papërshkruara aq mbresëlënëse e të bukura për të afërmit, fqinjët, farefisin, bashkëkatundarët, shokët e fëmijërisë, lojërat, punët e ndryshme dhe ndihma zinxhirore për njëri-tjetrin, shpeshherë ndodh që të përlotemi nga përmallimi. Çfarë ndryshimesh të mëdha kanë ndodhur dhe ndodhin është e pabesueshme, por shumë e vërtetë . Shtëpitë e mbuluara me rrasa janë shumë të rralla, mullarët nëpër lëmë mungojnë tërësisht, mashnat me gardh e të mbuluara me kashtë, pojatat, puset, i kanë kaluar historisë. Krojet e mëhallëve kanë humbur plotësisht, edhe gjurmët më s’ju dihen; Kroit të Memishit, Salihit, Mehazit, Alisë, Xhamisë ju ka humbur nami e nishani, kohë o kohë sa e pamëshirshme …

As sokakët, ai i Feratit dhe i Dakes, se kanë atë kënaqësinë, e as atë gjallërinë e dikurshme, as Kodra e Hallës Xhane si grumbullon të rinjtë si dikur, nuk këndohen më këngët e dashurisë e patriotike , as nëpër çardakë të shtëpive s’këndohen më këngët e beqarisë, të kurbetit, ushtrisë e fejesave e martesave. Kodrës së Madhe i mungojnë cucat me strukat e bardha e dimi të kaltëra. Arat dikur gjallëronin nga britmat e bujqive dhe shirja e elbit, tërshërës, … nëpër lamat e shumta në natyrë, … dhe britmat e njerëzve ; punë e mbarë, a gjëfteve, tungjatjeta,…

Sheremeticës, Gjurit të Kuç, Skakallës, Gjurit Lodrës, … ju mungojnë stanet, blegërima e dhenve, qengjave, kambanat e dhenve e të lehurat e qenve të Sharrit, pëllitja e lopëve e buluritja e mëzetërve, e kodrinave e bjeshkëve ju mungon fyelli dhe fishkëllima e çobanit,…

Në vatrën e stanit s’dëgjohet më melodia e tundjes së qumështit në dybekë e as kënga e nënave që e këndonin ftajnin – dybekun; Taunu ftoj ore shoç, rrajte kokën sa nij kollomoç,…Sa keq, as egërsirave s’jua prish kush më qetësinë …

As shtëpitë e katundit më se kanë atë gjallëri të dikurshme, as të qeshurat e të qarat e fëmijëve më s’dëgjohen si dikur, as këngët e ninullave loket si këndojnë më … Çdo shtëpi numëronte më pak 10 -13 fëmijë, varësisht nga numri i burrave që kishte shtëpia. E sot sheh dyert e mbyllura me dry, në pullazet e shtëpive ka mbirë bari, lamat e shtëpive janë mbushur me hithra, rrugët e katundit të boshatisura, as festat e motmotit s’festohen më, kemi harruar për fejesa e martesa,… Kemi harruar edhe derdhjen (ndarjen) e kokrrave të kollomoçit – misrit dhe sheqernave për lindjen e djalit apo vajzave dhe për daljen e dhëmbëve, …

Falë humanistit të përmasave mbarë kombëtarë, biznesmenit të përmasave ndërkombëtare, pronarit të ECOLOG –ut – Lazim Destanit, bashkëkatundarit tonë shumë të nderuar e të respektuar;

BOZOVCËS IA KTHEU GJALLËRINË

Zhurma e ekskavatorit në orët e hershme të mëngjesit në Kodrën e Sherit (Kodrën e qytetit) i gëzoi pamasë katundarët e Bozovcës, si dikur kur ktheheshin qehallarët me blegtorinë e tyre nga kurbeti, ushtonte kodra e katundi nga blegërima e dhenve, qengjave, kambanat e dhenve dhe hareja e katundarëve që kanë dalë me i pritur të afërmit e tyre, bashkëkatundarët e vet, pikërisht ngjashëm më 13 Korrik 2019 katundarët dolën në kodër për me ju thënë mirëserdhët ekipit të ECOLOG –ut; Inxhinierit Ilaz Lokmani, Asllan Reshiti dhe Qeradin Ilazi, të dërguar nga ECOLOGU, si dhe mjeshtrin e ndërtimit Idriz Veliu, kryepunëtor që do bëjë një pjesë të punës së kontraktuar, ndërsa punët tjera do i bëjnë firmat tjera. Katundarët si e kanë traditë i përshëndetin me fjalët më të ngrohta “Mirëserdhët” e “Përhajër puna”…

PËR PAK DITË SHUMË PUNË

Zhurma e ekskavatorit s’ka të ndalur, bënë hapjen e themeleve për ndërtimin e dy mureve që do zgjerohet rruga dytësore që do e lidh qendrën e katundit – Sokakun e Dakes, kamionët shkarkojnë rërën, çimenton, urat e hekurit për në themel, shtyllat, ndërsa Florent Zeqiri, Nagip Shabani dhe Bajram Islami veça – veç i ndajnë që ma kollaj për me i përdorur në punë. Puna s’ka të ndalur, Idrizi me këta punëtorët rregullon në themel telin dhe shtyllat, në anën tjetër dëgjohet vetëm zhurma e mikserit të betonit e herë – herë zëri i Florentit drejtuar Nagipit, edhe pak rërë. Deri në orët e pas ditës e mbushën themelin afro një metër të gjerë e 80 centimetra të thellë, …

Punët vazhdojnë në shumë drejtime nga firmat e ndryshme; Firma e suvatimit “VIBA” me pronar Basri Zenelin, firma gurëthyese “CUTIAG” me pronar Mesut Asipi, firma kryesore “BESA SHOP” me pronar dhe ekskavatorist Fatmir Abazi, firma “ELEKTRO” me pronar Ismail Bexheti, firma “Termo Energji” me pronar Bedri Beadini, firma “Erm Arkt Kompani” me pronar Mesut Adili dhe firma “Union Metal” Jetmir Emurllahu, kontrollohen detajet nga inxhinieri i mirënjohur Ilaz Llokmani.

Ekskavatori zgjeron dhe thellon shtratin e rrugës, muret u ngritën me shpejtësi marramendëse, me një gjatësi 35 m dhe lartësi mbi 2 m, grupi tjetër bënë riparimin apo ngritjen e murit me tulla, (më parë ishin dritare) dhe suvatimin e këtij objekti – zyrës së bashkësisë lokale, …

Hyrja e katundit ka marrë një pamje mahnitëse dhe ndryshim të madh, kuptohet falë humanistit të madh të përmasave mbarë kombëtare, biznesmenit shumë të njohur të përmasave ndërkombëtare, bashkëkatundarit tonë shumë të dashur, të nderuar e të respektuar LAZIM DESTANIT – pronarit të ECOLOG –ut, i cili është i lidhur aq shumë me vendlindjen; “si mishi me thoin e zemra me gjakun” , …
Pikërisht në muajin korrik të vitit të kaluar, për 48 orë ndryshoi komplet pamjen e shkollës,… e sa e sa punë të tjera, jo vetëm në vendlindjen e tij, por edhe në Tetovë e më gjerë,…

Punimet vazhdojnë,…

Fatmiri me ekskavator zgjeron rrugën, ku do të shfrytëzohet për vende parkingu për vetura, kurse “BESA SHOP” me kamionët e tij e bart dheun dhe gurët për me i shkarkuar te Përroi Thatë (Prroj Thatë) …

Pak ma tutje Mesuti me të birin bëjnë thyerjen e gurit me kompresor, punën më të vështirë, kuptohet që të zgjerohet rruga nga Kroi i Salihit. Puna s’ka të ndalur, edhe pse dielli në këto ditë vere është përvëlues, sikur të kesh saçin e nxehur mbi kokë. Te secili punëtor vëren rrjedhjen e djersëve nëpër ballë, por punimet s’kanë të ndalur në të dy krahët në drejtim të qendrës – Sokakut të Dakes.

Inxhinieri Ilazi kontrollon punimet, çdo ditë është në krye të punës, … Punimet shkojnë drejtë përfundimit, punëtorët bëjnë shtruarjen e rrugës me begatonë në të dy krahët. Të dy krahët e rrugës, tanimë kanë marrë krejtësisht pamje tjetër; krahu nga Kroi i Salihiut është zgjeruar, kurse e njëjta rrugë, krahu nga shkolla, tanimë ka marrë krejtësisht pamje tjetër, është rrafshuar skaj e më skaj me ekskavator, duket sikur të ishte zgjeruar, pas shtruarjes me begatonë …

PUNIMET PËRFËNDUAN

Hyrja në katund në të dy krahët, qendra e katundit dhe zyra e Bashkësisë Lokale kanë marrë pamje tjetër, kanë ndryshuar shumë, për një afat kohor shumë të shkurtër , më mirë me thënë në afat kohor rekord, gjithashtu të gjitha pusetat nëpër rrugët e katundit janë riparuar dhe u janë vendosur kapak të ri, falë bashkëkatundarit tonë, humanistit të përmasave mbarëkombëtare dhe biznesmenit të përmasave ndërkombëtare, pronarit të ECOLOG – ut, Lazim Destanit, që është krenaria jonë, dhe të gjithë atyre që morën pjesë në realizimin e këtij projekti.

Ne, Lazim Destanit i urojmë jetë të gjatë sa malet e Sharrit – Korabit – Tomorit, jetë të shëndetshme, të lumtur dhe suksese të më tejshme, bashkë me të gjithë ata që punuan në realizimin e këtij projekti!
Zoti i bekoftë!

@tn.lajmelokale
@tetovanews