Ballina Aktualitet 2000 nxënës më pak për pesë dekada, ku shkojnë fëmijët e Çegranit...

2000 nxënës më pak për pesë dekada, ku shkojnë fëmijët e Çegranit të Gostivarit? (VIDEO)

Këta nxënës të shkollës fillore “Përparimi” në fshatin Çegran të Gostivarit duken të mërzitur. Në ditët e para të shkollës, atyre u janë larguar nga klasa disa shokë dhe shoqe, shkruan gazeta LAJM.

Erinës që vijon mësimet në klasën e pestë, ditë më parë i ka ikur shoqja e bankës. Ajo bashkë me familjen i’a kanë mësyer Gjermanisë për një jetë më të mirë.

“Më ka ikur një shoqe dhe më ka mërzitur shumë. Ajo ka shkuar në Gjermani”, tha Erina.

E, mungesën e shokëve dhe shoqeve të klasës e ndjejnë edhe nxënësit e tjerë. Numri më i madh i atyre që largohen nga ky fshat, ikin drejt vendeve të Evropës, por ka edhe të tillë që shkojnë për të jetuar edhe në qytet.

“Më mungon një shok që quhet Agon, i cili ka shkuar në Gjermani, tani kam një shok tjetër këtu në bankë”, tha një nxënës.

“Shoku im ka shkuar për të jetuar në Gostivar”, tha një tjetër nxënës.

Për dallim nga disa fshatra tjerë ku fëmijët shqiptarë nuk kanë ku të mësojnë, Çegrani ka shkollë, por, numri i nxënësve shënon rënie të vazhdueshme, shkruan gazeta LAJM.

“Klasë ka por, nxënës nuk ka”, tha Imer Abdurraimi, u.d drejtor i shkollës fillore “Përparimi” në Çegran.

Për dallim nga viti i kaluar kur në shkollën fillore “Përparimi” mësonin 514 nxënës, sivjet ky numër është 475 apo 39 nxënës më pak.

“Në 15 vitet e fundit numri i nxënësve është përgjysmuar. Është fenomen i përgjithshëm, nuk është vetëm në Çegran, por këtu ndjehet më shumë dhe kjo na shqetëson shumë”, tha Zani Memedi, arsimtar.

Në vitin 1970 kur ishte hapur, shkolla “Përparimi” në Çegran kishte 2400 nxënës, por sot ky numër është shumë herë më i vogël, vetëm 475. Megjithatë, pavarësisht largimit të nxënësve në këtë shkollë nuk mungojnë investimet./Gazeta LAJM

Gazetar: Reshat Ibrahimi

Operator: Amir Idrizi

@tn.lajmelokale
@tetovanews