Ballina Aktualitet Opinione PISA: Është edhe më keq se ç’duket

PISA: Është edhe më keq se ç’duket

Nga Veton Surroi

Në mjekësi ekziston një shprehje për gjendjen e arsimit në Kosovë: quhet vdekje klinike
1.

Kosovarja, vajzë e lindur më 2003, qe në moshën e saj 15-vjeçare njëra prej 600 mijë nxënësve nga 79 shtete që morën pjesë në testin PISA të organizuar nga OECD. Angel Gurria, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, shpjegoi se në testin PISA po testohej kapaciteti i nxënësve të kësaj moshe që të jenë pjesë e ekonomisë digjitale të shekullit XXI, të të kuptuarit të shoqërisë digjitale e të vendimmarrjes në të. Kosovarja dhe shoqet e shokët e saj nga Kosova dolën të jenë fare në fund për nga rezultatet , duke ndarë tri vendet e fundit me Filipinet dhe Republikën Dominikane. Angel Gurria shpjegoi se atyre u kërkohej në lexim që të “lundrojnë nëpër tekst të ndërlikuar dhe ta integrojnë”, që në matematikë “ta përfaqësojnë matematikisht një situatë të thjeshtë nga jeta e përditshme” e në shkencë të “identifikojnë shpjegimin e saktë për një fenomen shkencor familjar…”.

Në bazë të pyetjeve konkrete, që të njëjta për nxënësin e Singaporit, Perusë , Estonisë dhe bashkëvendësit e Kosovares, OECD do të vlerësonte se cilët nxënës, pra sisteme arsimore, shoqëri e shtete, ishin të gatshme për zhvillim në shekullin XXI. Kosovarja (emër ilustrues për këtë shkrim) dhe shoqet e shokët e saj nga Kosova treguan se janë të paaftë të kuptojnë tekstin që e lexojnë, nuk mund ta kuptojnë realitetin të shprehur me matematikë dhe nuk e kanë idenë e përafërt për lidhjen mes jetës së tyre të përditshme dhe fenomeneve shkencore. Kapaciteti i tyre për mendim kritik e kreativ, pra për abstraksion, është po aq i ulët sa i gjeneratës paraprake, asaj të lindur më 2000 e që e mbajti testin më 2015. Kosovarja, e lindur më 2003, ka sot pritshmëri mesatare jete 71.56 vjet. Kjo do të thotë se ajo dhe gjenerata e saj do të jetojnë në terrin e dijes, që do ta sundojë Kosovën gjatë tri të katërtave të shekullit XXI.

2.
Këtu nuk përfundojnë lajmet e këqija. Gjendja është edhe më e zezë se rangimi në fund të listës.
Lajmi i parë i keq është se revolucioni digjital nuk do të jetë një shkurtesë me të cilën Kosova do t’ia dalë ta ngushtojë dallimin mes shoqërive të arsimuara dhe vetes. Fakti që sot nuk ka pothuajse familje pa kompjuter apo së paku telefon të mençur, se depërtimi i Internetit është si në shtetet e zhvilluara, nuk do të thotë gjë. Në testin PISA, gjithandej 79 vendeve, vetëm 9 për qind e nxënësve të testuar dinin të dallonin faktin prej opinionit. Dikur konsultohej enciklopedia, sot Google, por ky fakt nuk e ndryshon aftësinë tejet të ulët për të dalluar të vërtetën prej “fake news”.

Kur kjo ndodh në shoqëri e shtete të avancuara në arsim, është lehtë të imagjinohet në Kosovë. Teknologjia vetëm ka lejuar shumëfishimin e shprehjes së injorancës: një gjuhë e re e një populli të tërë të padijshëm po ndërtohet në Facebook. Lajmi i dytë i keq është se kushtet ekonomike dhe investimi në arsim jo domosdo krijojnë efekte ndryshimi pozitiv. Në diagramet e OECD-së, Kosova hynte në kategorinë e shteteve “me avantazh” (në kuptimin e kushteve materiale), por ishte në fund të listës, ndërkohë që kishte një listë të tërë shtetesh që ishin në “disavantazh”, por shumë përpara Kosovës në aftësi leximi, matematike e shkence.

3.
Por, është një lajm edhe më i keq se kaq. Në gjuhën e OECD-së një prej indikatorëve më të rëndësishëm në një shoqëri është “growth mindset” apo “mentalitet i rritjes”. Në këtë rubrikë shënohet niveli i kënaqësisë apo pakënaqësisë së nxënësit me veten dhe shkollën. Në bazë të përgjigjeve, ekspertët e OECD-së matin nivelin e potencialit për ndryshim në atë shoqëri. Në testin PISA, kinezët , kanadezët, estonezët dhe disa të tjerë që kishin rezultate të larta në test kishin nivelin e lartë të pakënaqësisë. Për ekspertët qe tregues se me gjithë rezultatin e lartë, nxënësit shohin ende mundësi për të ndryshuar për të mirë. Kosova, që doli në rangun e tre të fundit në këtë test, kishte nivelin më të lartë të kënaqësisë me jetën dhe me arsimin. Për ekspertët, ishte e barasvlershme me besimin e Kosovares se unë kaq di, nuk ka si të më bëjnë arsimi e shoqëria më të mirë. Është një lloj vetëmallkimi i shoqërisë, se nuk mund të ndryshojë, se është e parapërcaktuar të jetë e këtillë. Kosovarja, pra, nuk di të kuptojë tekstin e lexuar, nuk mund të kuptojë çfarëdo tej sipërfaqes matematikore e shkencore dhe beson se gjërat duhet të jenë kështu si janë. Se ajo do të dijë kaq, sepse kaq i nevojitet të dijë. Dhe sikur Kosovarja, e tërë Kosova.

4.
Po, Raporti PISA 2018 tregon se gjërat mund të ndryshojnë. Është një listë e gjatë shtetesh (mes tyre edhe Shqipëria e Turqia) që kanë shënuar rritje të njohurive apo edhe të të regjistruarve në shkolla. Në top-listë është Estonia që shënon çdoherë ngritje në arsim, ndonëse ka 35 për qind më pak investim në arsim se shtetet e tjera që shënojnë rritje të ngjashme. Në top-listë është Singapori, shteti i cili në momentin kur u pavarësua përcaktoi se arsimi do të ishte prioriteti i parë shtetëror e shoqëror. Po, ka çka dhe si të mësohet. Dhe mësimi i parë është se vendimi për ndryshim në arsim është i nivelit më të lartë shtetëror, pas një mobilizimi elitash. Kështu bënë elitat në Kinë, Estoni, Kanada e Finlandë. Mbase kështu bënë edhe elitat politike në Kosovë. Vendosën për njëzet vjet me radhë që arsimi duhej të mbërrinte nivelin e njohurive të tyre. Dhe tash përparimi matet me një vijë të drejtë, një vijë e drejtë që shpërfaq injorancën test pas testi. Në mjekësi – qoftë në kardiogramë apo encefalogram, pra në matje të zemrës apo të aktivitetit të trurit, vija e drejtë është shenjë e vdekjes klinike. E njëjta gjë vlen edhe për arsimin.

@tn.lajmelokale
@tetovanews