Ballina JETË & STIL Gruaja gjermane i lë trashëgimi fqinjëve 6.2 milionë euro

Gruaja gjermane i lë trashëgimi fqinjëve 6.2 milionë euro

Rezidentët e një komuniteti të vogël në Gjermaninë qendrore kanë trashëguar papritur prona dhe pasuri me vlerë 6.2 milionë euro ($7.5 milionë), pas vdekjes së një fqinjeje të tyre të moshuar.

Renate Wedel jetonte në Weiperfelden të krahinës së Hesse, me bashkëshortin e saj Alfred Wedel, që prej vitit 1975, në komunitetin e përbërë nga 6 fshatra.

Alfred, i cili punonte me aksionet e bursave, vdiq në 2014, ndërsa Renate, jetonte në një shtëpi kujdesi në Frankfurt që prej vitit 2016, dhe ndërroi jetë në dhjetor 2019 në moshën 81 vjeçare.

Në prill të këtij viti u deklarua se ajo i kishte lënë pronat dhe zotërimet e saj komunitetit ku kishte banuar, pasi motra e saj trashëgimtare kishte vdekur më herët, informon Top Channel.

Lajmi ishte i papritur për autoritetet. “Fillimisht menduam se ishte një gabim, kishte diçka që nuk përputhej”, tha kryebashkiaku lokal Bernd Heine për të përditshmen Hessenschau.

Tashmë komuniteti është i detyruar ta përdorë trashëgiminë prej €6.2 milionë për “infrastrukturë dhe ambjnete komunitare.”

“Komuniteti ynë falenderon çiftin Wedel për vlerësimin dhe trashëgiminë e tyre. Ne do ta përdorim atë me përgjegjësi për zhvillimin e komunitetit tonë dhe ruajtjen me ndershmëri të kujtimit të tyre,” thuhej në një deklaratë të përbashkët.

Rezidentët lokalë kishin nisur të jepnin idetë e tyre për përdorimin e parave, teksa mediat lokale flisnin për ndërtimin e një korsie biçikletash, ndërtimin e një kopshti, përmirësim të sistemit të transportit, një pishinë e hapur dhe ambjente për fëmijët.