Ballina Kronika Shtypi italian: Sipërmarrësi 45-vjeçar italian zhduket në Shqipëri, prej 10 ditësh për...

Shtypi italian: Sipërmarrësi 45-vjeçar italian zhduket në Shqipëri, prej 10 ditësh për të nuk ka asnjë informacion

Mister fati i 45-vjeçarit, baba i 4 fëmijëve

“Prej 10 ditësh për të nuk ka asnjë informacion. U zhduk në Shqipëri në rrethana ende të paqarta. Kishte marrë me qira një makinë në Aeroportin e Rinasit, që u gjet e djegur në Pukë. Brenda saj u gjetën sende në pronësi të tij, ndoshta edhe të pjesë trupi, por ende të paidentifikuara”.

Kështu shkruan e përditshmja italiane La Nazione, por edhe shumë media të tjera në vendin fqinj, të cilat kanë dhënë alarmin për zhdukjen e një sipërmarrësi italian në vendin tonë. Bëhet fjalë për 45-vjeçarin Davide Pecorelli, pronar i një hoteli në Lama, komuna e San Giustino, qendrave estetike dhe parukeri në Altotevere dhe Valtiberina. Në Sansepolcro, 45-vjeçari kishte themeluar një prej dyqaneve e “Parrucchieri Milano”. Por në Arentino, Pecorelli thonë mediat italiane, njihej edhe si ish-arbitër për një ekip të Arezzos në Serie C dhe dikur kishte qenë edhe pjesë e Serie A.

La Nazione shkruan se për fatin e tij, si autoritetet lokale, ashtu edhe ato shqiptare, janë shumë të rezervuara.

Prej rreth një viti, sipërmarrësi italian kishte nisur një aktivitet që lidhej gjithnjë me dyqanet e tij në zonën e Tiranës. Ai mësohet se edhe partneren e ka shqiptare, me të cilën më pak se një vit më parë u bë edhe me fëmijë. Pecorelli është gjithashtu baba i 3 fëmijëve të tjerë, nga një martesë e mëparshme.

Por çfarë dihet deri më tani për fatin e tij? Davide Pecorelli mbërriti në Tiranë ditët e para të vitit. Në aeroport, ai mori me qira një makinë Skoda Fabia, që u gjet më 7 Janar e shkrumbuar përgjatë rrugës Gjegjan-Reps në Pukë. Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende.

Gjithnjë sipas La Nazione, nga ky moment nisën menjëherë kërkimet për Pecorelli-n, ndërsa ambasada shqiptare në Tiranë njoftoi të afërmit e tij dhe autoritetet policore. “Gjatë këtyre ditëve, në Tiranë janë sjellë edhe objekte të tjera në pronësi të sipërmarrësit, për të krahasuar ADN-në e tij, ndonëse nuk është ende e qartë nëse makinë janë gjetur pjesë njeriu”, shkruan La Nazione.

Publicitet

Sigurisht nuk përjashtohet edhe mundësia që Davide Pecorelli mund të ketë vendosur që të zhduket vetë, pasi mund të ndihej i kërcënuar. Gjithsesi deri më tani fati i sipërmarrësit italian mbetet i panjohur dhe mediat italiane theksojnë se autoritetet po presin testin e ADN-së./tvklan.al