Ballina Aktualitet Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Votimi me postë nga data 2 deri me...

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Votimi me postë nga data 2 deri me 12 shkurt

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë vijon me shpërndarjen e informacioneve sqaruese për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare.

Përpara publikimit të një raporti të detajuar, zëdhënësi, Valmir Elezi, bëri me dije për Kosova Press se të gjithë ata që janë të regjistruar me sukses si votues jashtë vendit, do të largohen nga lista e votuesve brenda Kosovës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të përpilojë listën e votuesve jashtë Kosovës, e cila përmban të dhënat e atyre votuesve që me sukses janë regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe duhet që këta emra t’i largojë nga lista votuese, e cila shpërndahet në vendvotime nëpër Kosovë, në ditën e zgjedhjeve më 14 shkurt”, deklaroi ai.

Elezi sqaroi edhe periudhën e votimit me postë.

“Të gjithë ata qytetarë, të cilët do të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit do të munden të votojnë përmes postës nga data 2 shkurt. Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, e ka precizuar që fletëvotimet duhet të pranohen nga ana e KQZ-së para ditës së zgjedhjeve. Pra, periudha e votimit përmes postës zhvillohet nga data 2 deri më datën 12 shkurt.”

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së u bë e ditur se janë mbi 174 mijë aplikues përmes e-mailit për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit përmes votimit me postë. Por numri i tyre mund të ndryshojë pasi ka pasur dhe parregullsi si dërgimi i shumë aplikimeve përmes një adrese e-maili.

@tn.lajmelokale
@tetovanews