Ballina Aktualitet Shqipëri “Shqipëria ka rrugë të gjatë për të mposhtur virusin”, Dollenberg: Vatra kryesore...

“Shqipëria ka rrugë të gjatë për të mposhtur virusin”, Dollenberg: Vatra kryesore e vjeshtës janë fëmijët

Shqipëria ka rrugë të gjatë përpara për të mundur pandeminë. Kështu u shpreh në studion e Ditari në A2 mjekja shqiptare në Gjermani Aurora Meta Dollenberg, e cila shton se në vendin ku jeton aktualisht pandemia është tejkaluar. Këtë mendim mjekja e bazon te numri i ulët i vaksinimit, përkundër vendeve të tjera.

“Gjermania ka 60% të popullatës së vaksinuar. Në Gjermani, pandemia është tejkaluar, pasi 60% është imunitetit i tufës. Kurse në Shqipëri kemi vetëm 20% të vaksinuar dhe rruga që ka Shqipëria për të mposhtur virusin është e gjatë”.

Dollneberg theksoi se vatra kryesore e kësaj vjeshte do të jenë fëmijët. Ajo apeloi për t’u vaksinuar, si e vetmja alternativë për të luftuar virusin dhe për të mos u përsëritur më skenari i vjeshtës së kaluar. Sipas saj sa më gjatë qëndron virusi në popullatë aq më i rrezikshëm bëhet.

“Skenarin e vjeshtës së kaluar nuk duam ta përsërisim. Fëmijët e të rinjtë kanë vuajtur shumë nga izolimi social. Duam që të shkojnë në shkollë, por bllokimin nuk mund ta përjashtojmë. Vatra që dyshojmë më shumë për vjeshtën janë fëmijët. Varianti Delta dhe Mu i prekin fëmijët duke i shndërruar në vektorë transportues.

Sa më shumë qëndron në popullatë aq më shumë i rrezikshëm bëhet, pra sa më shumë të vaksinuar aq më shumë mbrojtje”.

Shifra prej 20% në Shqipëri e popullsisë së vaksinuar, për mjeken Dollenberg është e lidhur me skepticizmin e qytetarëve shqiptarëve te mjekësia dhe institucionet, por ajo sërish apeloi që të shohin vendet e tjera, si Gjermania, pasa pa një vaksinë nuk mund të ecet përpara me pandeminë.

“Duhet ndërgjegjësim i popullatës. Në Gjermani janë qindra njerëz që qëndrojnë në qendrat e vaksinimit. Skepticizmi në Shqipëri ka arsyet e veta; nuk ka besim te mjekësia, shkenca apo institucionet e veta. Shqipërisë i mbetet vetëm një alternativë, të shohë se ç’bëjnë popujt e tjerë si Gjermania. Është fakt i mjaftueshëm për të qetësuar skeptikët dhe për t’i çuar drejt vaksinimit. Pa një vaksinë nuk mund të ecim përpara në menaxhimin e pandemisë”.

@tn.lajmelokale
@tetovanews