Ballina Aktualitet Sela: Do e largojmë Taravarin dhe dy ministrat nga ASH-ja (VIDEO)

Sela: Do e largojmë Taravarin dhe dy ministrat nga ASH-ja (VIDEO)

Kryetari i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela ka thirrur për të shtunën mbledhje të Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, në të cilën ai do të kërkojë përgjegjësi nga kryetari, Arben Taravari. Sela i ka drejtuar akuza të rënda Taravarit, duke thënë se ai po mundohet që të përçajë partinë dhe se, në dy muajt e fundit nuk i ka thirrur organet e larta partiake, si dhe ka shtuar se, partisë nuk i duhet “kryetar rrjetesh sociale”, shkruan Portalb.mk.

“Po bëhet një lojë shumë e ndyrë nga kreu i partisë në kurriz të mundit, djersës, sakrificës së gjithësecilit anëtar të Aleancës për Shqiptarët duke ju bërë debate, a jeni për këtë ose për atë opsion, a jeni për të shkuar në koalicion me BDI-në apo opozitën, e gjithë kjo me një qëllim të vetëm e qëllimi është që t’i ndajë në bindje, të krijojë përçarje… Ditën e shtunë, aq sa edhe statusi i partisë më lejon, thirret Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët, unë si kryetar i saj me të drejtën satutore, me të drejtën që ma jep statuti kam të drejtë që ta thërrasë Kuvendin e partisë, në të cilin do të vendoset përpara përgjegjësisë kryetari i partisë, i cili ka dy muaj që nuk i ka thirrur organet e partisë, nuk është thirrë kryesia e ngushtë, nuk është thirrë kryesia qendrore e partisë dhe normalisht, sipas radhës së gjërave, fillimisht, çdo vendim, çdo ofertë e gjithçka edhe për negociata me parti politike, individi, pa marrë parasysh pozicionin që ka brenda një organi partiak i propozon organet i cili ka të drejtën që të marrë vendim”, tha Sela.

Ai më tej ka sqaruar se, kjo nënkupton që do të kërkohet shkarkimi i Taravarit, por edhe të dy ministrave të ASH-së, që mbështesin Taravarin.

“Aleanca për Shqiptarët ka ardhur koha që të kthehet në trungun e saj. Emra të cilët ju i përmendët janë të huaj, i pranuam krahë hapur, por kishin ardhur me qëllime të huaja. Nuk do ta tolerojmë këtë. Aleanca do të kthehet në trung dhe secili që ka keqpërdor pozicionin që ia kanë dhënë votuesit, për të shantazhuar anëtarët e Aleancës, do të përballet me përgjegjësi. Kur nuk e din vendin që të takon në një shtëpi të re ku ke shkuar, është detyrë që ata të largohen prej shtëpisë”, deklaroi Sela.

Por, edhe përskaj gjithë këtyre zhvillimeve, Sela pretendon se partia nuk është e përçarë.

“Aleanca për Shqiptarët nuk është e copëtuar, është e bashkuar dhe do të dij që të vendosë për fatin e saj. Nëpërmjet fatit të Aleancës për Shqiptarët vendoset ardhmëria e shqiptarëve. Aleanca për Shqiptarët është i vetmi subjekt politik përmes së cilit ka kuptim ndryshimi, nëpërmjet së cilit ndryshimi do të jetë esencial dhe përmes së cilit do të kthehet shpresa rinisë tanë, te këto të rinjë, të cilëve duke u munguar kjo shpresë, vazhdojnë dhe largohen”, potencoi ai.

Ndërkaq, pak para mbajtjes së konferencës për media të Selës, në ueb faqen zyrtare të ASH-së në Facebook, është postuar një qëndrim i Taravarit, ku thuhet se, nisma e kryetarit të partisë, Arben Taravari që në zgjedhje kjo parti t’i bashkohet opozitës shqiptare, mori mbështetjen e shumicës së kuvendarëve të ASH-së.

“Pas kumtimit të qëndrimit të djeshëm të Kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Dr Arben Taravari, për 24 orë janë mbledhur 80 nënshkrime të kuvendarëve në mënyrë vullnetare nga gjithsej 133 sa numëron Kuvendi, ndërsa procesi i mbledhjes së nënshkrimeve po vijon. Shumica e Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët është qartë për Ndryshimin e Sigurt”, thuhet në këtë postim.

Por, i pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë, Sela nuk e beson se nënshkrimet janë të vërteta.

“Aleanca për Shqiptarët e vërtetë nuk e jep fatin e kësaj partie dhe të popullit me një nënshkrim të hedhur në letër që janë fallco dhe nuk besoj që është e vërtetë. Është thjeshtë propagandë  dhe luftë speciale që bëhet përmes rrjeteve sociale. Kështu që, Aleanca për Shqiptarët dhe anëtarët e saj do të jenë vetvetja dhe do të dinë që ta nuhasin se po u bëhet tradhëti dhe këtë do e dëshmojnë me vendimin e tyre, ditën e shtunë për t’i ndarë dhe pastruar nga radhët e aleancës trupin e huaj, i cili erdh dhe don që të shkatërrojë këtë subjekt politik, unë nuk do të e lejojë”, tha Sela.

Përplasjet brendapartiake në ASH, nisën pasditën e së shtunës, pasi kryetari i ASH-së, Arben Taravari, publikoi një postim në Facebook, ku thuhet se ka marrë vendim që në zgjedhje t’i bashkohet opozitës shqiptare dhe për këtë, kërkoi mbështetjen e partisë. Ndaj kësaj, reaguan kundër, kryetari i Kuvendit qendror, Ziadin Sela si dhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

@tn.lajmelokale
@tetovanews