Një djalë 19-vjeçar humbi jetën dje pasi automjeti tip “Mercedes” me të cilin po udhëtonte doli nga rruga në aksin rajonal Strugë–Dibër.
Bëhet fjalë për Edi Nasufin nga fshati Veleshte i Strugës, i cili, sipas informacioneve nga Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Strugë, ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Edi Nasufi ishte boksier i talentuar dhe anëtar i KB “Sindi” Strugë.
Nasufi ishte përfaqësues i rregullt i Maqedonisë në disa kategori moshe,
Atij iu dha lamtumira e fundi në Veleshtë.
Postimi i plotë i Myftinisë së Strugës:
إِنَّا لِلّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ
“Të All-llahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”
Sot, Veleshta, Struga dhe mbarë zemrat e atyre që e njohën, u mbuluan nga një pikëllim i madh. Në një atmosferë dhimbjeje e lotësh, iu dha lamtumira e fundit të riut të dashur Edi Nasufi, i cili u nda papritur nga kjo jetë pas një aksidenti tragjik, duke lënë pas plagë të thella në zemrat e familjes, shokëve, miqve dhe gjithë atyre që e njohën.
Para faljes së namazit të xhenazes, Myftiu i Strugës, H. Adi ef. Murtishi, me fjalët e tij të ndjera dhe të mbushura me dhimbje, ngushëlloi familjen dhe të gjithë të pranishmit. Ai kujtoi se vdekja është e vërteta më e madhe, që na kujton përkohshmërinë e kësaj bote dhe se çdonjërit prej nesh i është caktuar koha e takimit me Krijuesin.
Myftiu theksoi se largimi i Edit në këtë moshë të re është një sprovë e rëndë, që vetëm me sabër dhe me besim në All-llahun e Plotfuqishëm mund të përballohet. Por njëkohësisht është edhe një kujtesë për të gjithë ne se jeta është e shkurtër dhe se njeriu duhet të jetojë me iman, vepra të mira dhe me përgatitje për ditën e takimit me Zotin e tij.
Ai u lut që All-llahu i Gjithëmëshirshëm ta mëshirojë Edin, t’ia falë çdo të metë, ta pranojë pranë mëshirës së Tij të pakufishme dhe ta shpërblejë me Xhennetin Firdeus, në mesin e të drejtëve dhe të dashurve të Tij.
Në mesin e një pjesëmarrjeje masive, ku qindra qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit, u dëshmua se Edi nuk ishte vetëm një djalosh i zakonshëm, por një shpirt i pastër që la gjurmë dashurie e respekti në zemrat e të gjithëve. Lotët, heshtja dhe lutjet që u ngritën për të ishin dëshmi e dashurisë së madhe që kishte fituar në mesin e shokëve, miqve, familjes dhe gjithë rrethit të tij.
Pejgamberi ﷺ, ka thënë:
“All-llahu është me ata që tregohen të durueshëm.”
Lusim All-llahun e Gjithëmëshirshëm që ta pranojë Edin si një rob të dashur, t’ia bëjë varrin kopsht prej kopshteve të Xhenetit dhe ta ribashkojë me të dashurit e tij në botën e amshuar.
Familjes së tij të dashur, shokëve të tij, miqve, banorëve të Veleshtës dhe gjithë Strugës, Myftiu u shprehu ngushëllimet më të thella, duke iu lutur All-llahut që t’u japë sabër, forcë dhe ngushëllim në këtë humbje të madhe.
All-llahu u dhëntë sabër familjes së tij të nderuar, shokëve e miqve të tij të shumtë, banorëve të Veleshtës dhe të gjithë atyre që sot ndajnë dhimbjen e kësaj humbjeje të madhe.
Ky rast i dhimbshëm na kujtoi të gjithëve sa e shkurtër është kjo jetë dhe se e vetmja pasuri që mbetet është imani, vepra e mirë dhe kujtimi i bukur. Edi iku i ri, por do të mbetet i paharruar në zemrat e të gjithë atyre që e njohën.
All-llahu e mëshiroftë Edin, e shpërbleftë me Xhennet dhe e ribashkoftë me familjen dhe të dashurit e tij në përjetësi!
Myftinia e BFI-së Strugë
NJË ENGJËLL NË AMSHIM
Nxënësit tim Edi Nasufi
“Sikur të shkruaje ti për mua/E unë të fleja në shtratin tënd”-Lebit Murtishi
Qielli u nxi blozë mbi Veleshtë
Rrapat u drodhen nga trishtimi
Lajmi i kobshëm Edi ikuuu
O deshprim o dhembje o trishtim
Deshprimi si lak më kapi për fyti
Dhembja kafshoi thellë në shpirt
Trishtimi nguli thikë në zemër
Edi s’është më,Edi iku!
Sytë e djalit plot jetë e shpresë
Në rrugë të dijes,ëndrrave,horizonteve
Sypatrembur,zemërçiltër e fisnik
O deshprim o dhembje o trishtim
Vajtoni vajtojca djalin e mirë
Vajtoje nënzeza djalin e vetëm
Vajtoje baba djalin trim
Vajtoje motërzeza,si vajton motra
Vajtoni ju shok,ju shoqe,ju miq
Vajtoni ju profesor me trishtim
Edi iku engjëll në amshim.
Shumë e shkurtër jeta por emri yt përjet do të jet në zemrat tona EDI!















