Një qytetar nga Kukësi ka dërguar një apel prekës në redaksinë e JOQ Albania, duke kërkuar ndihmën e shqiptarëve kudo ndodhen për të gjetur vëllain e tij të humbur prej 26 vitesh.
Vëllai i tij, Rexhep Sul Koloshi, i lindur më 7 nëntor 1974 në fshatin Bele të Kukësit, humbi çdo gjurmë në janar të vitit 1999, kur ishte vetëm 25-vjeç dhe punonte si emigrant në Tetovë të Maqedonisë.
Familja e ka kërkuar në emisione për njerëz të humbur dhe ka shpresuar pa ndalur për ndonjë shenjë jete, por ende nuk ka asnjë informacion për fatin e tij.

Apeli i tij është i qartë dhe i dhimbshëm:
“Prej 26 vitesh zemra ime nuk ndalet së shpresuari për një takim, për një shenjë, për një fjalë që do më thotë se ai është mirë. I lutem çdo shqiptari, nëse ka ndonjë kujtim, informacion apo edhe diçka të vogël që mund të na ndihmojë, të më kontaktojë. Çdo lajm është dritë shprese për ne.”
JOQ Albania ka publikuar edhe më parë raste të ngjashme të qytetarëve që kanë humbur familjarët e tyre prej vitesh, duke shpresuar që një ditë dritarja e shpresës të hapet për secilin prej tyre.















