Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar vendosjen e sanksioneve të reja ekonomike ndaj Rusisë, nëse presidenti Vladimir Putin nuk pranon një marrëveshje armëpushimi me Ukrainën. Në një deklaratë të dhënë të martën, Trump u shpreh se SHBA nuk do të angazhohet në një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake, por do të përdorë presionin ekonomik për të ndalur luftën.
“Ne duam që kjo të marrë fund. Kemi sanksione ekonomike. Po flas për ekonomike, sepse nuk kemi ndërmend të përfshihemi në një luftë botërore. Nuk do të jetë luftë botërore, por një luftë ekonomike,” tha Trump, duke shtuar se “pasojat do të jenë të këqija për Rusinë”.
Ai sqaroi se nuk dëshiron të ndërmarrë masa të menjëhershme, si vendosja e tarifave apo penaliteteve të tjera të drejtpërdrejta që do të dëmtonin menjëherë ekonominë ruse. Por paralajmëroi se kjo mund të ndodhë, nëse nuk ka progres drejt një marrëveshjeje paqeje.
Trump nuk i kurseu as komentet për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke lënë të kuptohet se edhe ai ka një pjesë të përgjegjësisë për vijimin e konfliktit.
“Nuk është i pafajshëm,” tha shkurtimisht Trump për Zelenskyn.















