
Levica do të ketë kandidatët e saj për kryetar komunash në Maqedoninë perëndimore. Nga kjo parti kanë theksuar se Levica është partia e vetme që garon me kandidatë maqedonas për kryetarë komunash me Jovana Mojsoska në Strugë, Katka Bozhinovska në Tetovë dhe Darko Grujoski në Gostivar.
Për shkak se gjasat për të fituar këta kandidat në këto komuna janë pothuajse 0, kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoksi, thotë se ky është një veprim i koordinuar mes Levicës dhe BDI-së.
“Më lejoni të them se unë nuk jam në politikë nga dje. Ky veprim i Levicës, të ketë kandidat të saj në komunat Strugë, Tetovë dhe Gostivar dhe atë ta brendojë se nuk e kanë harruar Maqedoninë perëndimore, ndërsa të mos nxjerr kandidat në Jegunovcë, Tearcë dhe në tjera komuna, sepse Maqedonia nuk është vetëm Strugë, Tetovë dhe Gostivar, por ka edhe komuna tjera. Kjo flet mjaftueshëm se qëllimi i tyre është i koordinuar me BDI-në, që të arrijë deri të votat anti-BDI”, tha Hristijan Mickoksi – kryetar i VMRO-DPMNE .
Izet Mexhiti nga VLEN thotë se koalicioni BDI-Levica funskionon tashmë një kohë të gjatë.
“Ky koalicion funksionon vite të tëra në qytet të Shkupit, me shumë bindje them se edhe kandidimi i Levicës në disa qytete shqiptare është në funksion të koalicionit Levicë-BDI, pra atë që bëjnë në qytet të Shkupit, duan ta shtrijnë në Tetovë, Strugë dhe gjithandej”, u shpreh Izet Mexhiti – VLEN .
Por me këtë teori nuk pajtohet nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.
“Kurrfarë bashkëpunimi nuk mund të ketë në mes BDI dhe Levicës, pro e vërteta është se…vetëm analizojeni, çdoherë VMRO ka pasur kandidat, tani nuk ka, a e parashtroni pyetjen pse s’ka kandidat!? Pse nuk ka kandidat nga radhët e VMRO-së, sepse Mickoksi ka kandidatët e tij, ai i ka imponuar kandidatët në VLEN, se kush do të del për kryetar komunë në VLEN”, theksoi nënkryetar i BDI-së, Arbër Ademi.
Ndryshe VMRO DPMNE nuk ka nxjerrë kandidatë në Maqedoninë perëndimore, sepse do t’i mbështesë kandidatët e partnerit të koalicionit qeverisës VLEN.














