Ballina Top Lajm Ndahet nga jeta moderatorja e njohur Linda Imami, autore e “Qejfi më...

Ndahet nga jeta moderatorja e njohur Linda Imami, autore e “Qejfi më i madh se Stambolli”

Moderatorja e njohur Linda Imami është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 47 vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur e afërmja e saj, Mehrije Mala.

“Shpiiirtiii,driitaa,zemra e hallit,nuk i patēm fjalêt qeshtu breee,na shkrumove zemraaat. U prehsh në Parajsën e pasosur oj bukuri”, është shprehur ajo në postimin e bërë.

Mirlinda Imami, në vitet e rinisë gjatë dekadës së ’90-tës, u bë një nga figurat më të njohura të qytetit të Pejës, e dalluar për frymën moderne europiane që solli tek rinia qytetare.

Në rrethin e saj të gjerë shoqëror, ajo spikaste për guximin dhe temperamentin që e veçonin nga bashkëmoshatarët, me vendosmërinë për t’i bërë gjërat ndryshe.

Një virtyt që e karakterizonte dhe e bënte të dallohej nga brezi i saj ishte gatishmëria për ndërmarrësi, e shoqëruar me dashurinë dhe kujdesin për të tjerët.

E ndjera, prej muajsh përballej me një sëmundje të rëndë, ndërsa nga muaji korrik i këtij viti po trajtohej në qendrat spitalore më të njohura në Turqi, vend ku kishte ndërtuar edhe familjen e saj.

Më 14 gusht, Imami konfirmoi publikisht diagnozën në rrjetet sociale, ku me pak fjalë dhe shumë optimizëm ndau me miqtë lajmin se po i nënshtrohej trajtimeve mjekësore.

Imami njihej për punën me ciklin e intervistave “Qejfi më i madh se Stambolli” që transmetoheshin në Klan Kosova kohë më parë.

Ajo arriti të sillte yjet e kinematografisë turke në intervista për prodhime televizive kosovare si askush tjetër.

Ngushëllimet më të sinqerta.

Pas lajmit të hidhur të ndarjes nga jeta në moshën 47-vjeçare, familjarë, miq dhe të afërm të moderatores dhe stilistes së njohur Linda Imami po përgatiten t’i japin asaj lamtumirën e fundit.

Ceremonia mortore do të mbahet të hënën, më 8 shtator 2025, në xhaminë Acarlar, ku do të falet namazi i ikindisë. Më pas, trupi i saj do të përcillet për në varrezat e Anadolu Kavağı, ku do të prehet përgjithmonë.

E njohur për prezencën e saj si moderatore televizive dhe kontributin në fushën e stilimit, Linda Imami mbetet një figurë që la gjurmë të veçanta në ekran dhe në botën e modës. Me temperamentin, vendosmërinë dhe shijen e rafinuar, ajo u bë inspirim për shumë të rinj e të reja.

Prej muajsh, Imami po përballej me një sëmundje të rëndë, duke u trajtuar në Turqi, vendin ku kishte ndërtuar edhe familjen e saj. Në gusht, ajo e bëri publikisht të ditur diagnozën e saj me shumë optimizëm, duke ndarë shpresë me miqtë dhe ndjekësit.

Mesazhe prekëse dhe ngushëllime të shumta kanë ardhur nga të afërm, kolegë dhe figura publike, që e kanë kujtuar Lindën si një shpirt të bukur, plot dritë e dashuri, që do të mungojë përgjithmonë.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të gjithë të dashurit e saj.

/Prive By Liberta Spahiu