Njoftim për opinionin publik
Të nderuar,
Nga ana e Shoqërisë për prodhim dhe shërbime komunale SAUBERMACHER TETOVË SHPK, më datë 05.09.2025, përmes postës elektronike u dërgua një kërkesë deri te të gjitha personat juridikë me seli në territorin e Komunës së Tetovës, me qëllim që të bëhet lidhja e kontratës për përdorimin e shërbimeve komunale – respektivisht mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave. E njëjta paraqet obligim ligjor, si për shfrytëzuesit, ashtu edhe për ofruesin e shërbimeve.
Gjithashtu, u cituan dispozitat që parashohin gjoba në rast të mosrespektimit të këtij obligimi, ku u sqarua se dënimet (gjobat) mund të shqiptohen vetëm nga organi inspektues i autorizuar.
Me keqardhje konstatojmë se pas dërgimit të kësaj kërkese, në opinion janë shfaqur informata të pasakta dhe interpretime tendencioze të përmbajtjes së saj, me të cilat dëmtohet nderi, reputacioni dhe emri i mirë i SAUBERMACHER TETOVË SHPK, si ofrues i autorizuar i shërbimit publik komunal në territorin e Komunës së Tetovës.
Po përhapen pretendime të pasakta se:
• Kompania ushtron të ashtuquajturin “reketim” ndaj subjekteve afariste dhe qytetarëve,
• U kërcënohet personave juridikë me shqiptim gjobash,
• Kërkon me detyrim lidhjen e kontratës.
Këto deklarata janë plotësisht të pavërteta dhe me qëllim të qartë për të dëmtuar besimin e opinionit në punën tonë. Këto pohime janë veçanërisht shqetësuese, ngase jo vetëm që dezinformojnë opinionin, por edhe e minojnë reputacionin e kompanisë e cila në mënyrë profesionale e kryen obligimin e saj ligjor dhe kontraktual në terren. Ne jemi të bindur se këto dezinformata burojnë nga subjekte të cilat ende nuk dëshirojnë t’i përmbushin obligimet e tyre për një mjedis jetësor më të pastër.
Dëshirojmë të sqarojmë se, sipas nenit 6 të Ligjit për menaxhim me mbeturinat, obligimi për lidhjen e kontratës vlen për të gjitha personat juridikë që krijojnë mbeturina komerciale, përkatësisht mbeturina që:
• Lindin nga veprimtaria afariste, dhe
• Janë të ngjashme për nga përbërja me mbeturinat e amvisërive (letër, ambalazh, plastikë, ushqim etj.).
Shembuj të mbeturinave komerciale:
• Mbeturina zyrash (letër, shishe, paketime)
• Mbeturina nga tregtia dhe gastronomia (qelq, ushqim, karton)
• Mbeturina nga shërbimet kozmetike, parukeri dhe të ngjashme
• Mbeturina nga tregjet, hotelet, serviset e vogla
• Disa lloje mbeturinash nga institucionet shëndetësore (nëse nuk klasifikohen si të rrezikshme)
Saubermacher Tetovë SHPK mbetet partner transparent dhe profesional i komunitetit. Qëllimi ynë i vetëm është të sigurojmë:
• Menaxhim ligjor dhe të rregullt me mbeturinat,
• Mbrojtje të mjedisit jetësor,
• Marrëdhënie të qarta dhe formale me të gjithë shfrytëzuesit e shërbimit.
I ftojmë të gjitha subjektet juridike të veprojnë në përputhje me obligimet ligjore. SAUBERMACHER, si kompani e orientuar ndaj shfrytëzuesve, e cila ka fituar besimin e Komunës së Tetovës për partneritet publiko-privat në menaxhimin me mbeturinat komunale, ka obligim ta kryejë veprimtarinë e saj në përputhje me obligimet ligjore dhe njëkohësisht të kujdeset për mbrojtjen e mjedisit jetësor, duke zbatuar në mënyrë konsekuente standardet më të mira të qeverisjes korporative. Ne besojmë se çdo individ dhe kompani në territorin e Komunës së Tetovës, që është dashamirës, do t’i bashkohet realizimit të qëllimeve për një mjedis jetësor më të pastër.
Faleminderit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin!















