Ballina Kronika Goditet banda e trafikut të kokainës në Itali, drejtohej përmes platformave të...

Goditet banda e trafikut të kokainës në Itali, drejtohej përmes platformave të enkriptuara nga një shqiptar në Holandë

Autoritetet italiane kanë goditur një organizatë të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, e cila sipas hetimeve paraprake dyshohet se drejtohej nga një shtetas shqiptar me banim në Holandë, raportojne mediat italiane.

Në kuadër të operacionit të koordinuar nga Antimafia e Romës, janë ekzekutuar masa sigurie ndaj tetë personave të përfshirë në rrjetin kriminal.

Sipas hetimeve, shtetasi shqiptar i dyshuar si drejtues i grupit koordinonte përmes platformave të mesazheve të enkriptuara trafikun e kokainës drejt disa vendeve evropiane, përfshirë Italinë.

Në Itali, një pjesë e grupit merrej me marrjen e ngarkesave, depozitimin dhe shpërndarjen e tyre në zonat kryesore të aktivitetit të paligjshëm në kryeqytet, si Borghesiana, Pigneto, Spinaceto, Torre Spaccata, Alessandrino, Tor De Cenci, Finocchio, Capannelle dhe Tor Bella Monaca.

Për transportin e drogës dyshohet se përdoroheshin korrierë italianë dhe automjete të modifikuara .Hetimet kanë dokumentuar qarkullimin e mbi 210 kilogramëve kokainë, prej të cilëve 130 kilogramë janë sekuestruar, me një vlerë të përllogaritur rreth 1 milion euro.

Tetova News në YouTube:

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë tre persona, një italian dhe dy shqiptarë.