Ballina Magazina LAJM I TRISHTË DHE I PABESUESHËM: Ndahet nga jeta Shpat Kasapi (1985-2025)

LAJM I TRISHTË DHE I PABESUESHËM: Ndahet nga jeta Shpat Kasapi (1985-2025)

Mësohet se Kasapi ishte në një koncert në Bologna, teksa nuk u ndje mirë dhe më pas ndërroi jetë. Dyshohet se shkak është bërë ataku në zemër.

Pas një sulmi në zemër, sot herët në mëngjes ka ndërruar jetë këngëtari i pop-muzikës, Shpat Kasapi. Ai nuk i ka mbijetuar atakut kardiak, ndërkohë që nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër, shkruan gazeta KOHA.

Shpat Kasapi ka qenë një nga emrat më të njohur dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare. I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ai u rrit në një familje me traditë muzikore, që i dha shtysën e parë drejt skenës.

Karriera e tij nisi në fillim të viteve 2000, ku shumë shpejt u bë një prej idhujve të rinisë me stilin e tij modern, meloditë e lehta dhe performancat energjike.

Shpati u afirmua përmes tregut muzikor kosovar dhe atij shqiptar, duke sjellë këngë që u shndërruan në hite si “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj”, e shumë të tjera.

Ka marrë pjesë në festivale të rëndësishme dhe ka bashkëpunuar me emra të njohur të industrisë muzikore.

Prej vitesh ka qenë një figurë e pandashme e muzikës pop shqiptare, duke ruajtur popullaritetin falë stilit të tij karakteristik dhe këngëve që vazhdojnë të dëgjohen gjerësisht.

I ndjeri ka qenë i martuar dhe ka lënë pas një fëmijë. (koha.mk)

Me dhimbje të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të këngëtarit Shpat Kasapi. Ikja e tij e papritur ka lënë një boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e vlerësonin artin e tij.
Shpati la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut. Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet.
Në këtë ditë të rëndë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, të afërmve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij, dhe u prehtë në paqe.

Me dhembje të thellë mora lajmin për ikjen nga kjo botë të këngëtarit tetovar Shpat Kasapi. Tetova humbi birin e saj dhe një artist të madh, i cili ndër vite ka qëndruar në majat e suksesit!
Ngushëllime familjes, miqëve dhe gjithë qytetarëve të tetovës për këtë humbje kaq të madhe!
Allahu e shpërbleftë me xhennet!

‘Eu Shpat bre’, kolegët reagojnë të shokuar për Shpatin

Lajmi i papritur për ndarjen nga jeta të këngëtarit të dashur për publikun, Shpat Kasapi, ka rënë si rrufe në qiell të hapur mëngjesin e sotëm. Shpati, i cili u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare (1985-2025), ka lënë pas një boshllëk të madh, jo vetëm te adhuruesit e muzikës së tij, por sidomos te kolegët që e njohën nga afër.

Menjëherë pas përhapjes së lajmit tragjik, rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe ngushëllimi, ku mbizotëron shoku dhe mosbesimi.
Big Basta: “Nuk i bënte nona dy si ti”
Reperi dhe producenti Big Basta ka bërë një dedikim prekës, duke vlerësuar mbi të gjitha karakterin e Shpatit.
⁠”Të gjithë kolegët e dimë çfarë djali i mrekullueshëm ke qenë! Nuk i bënte nona 2 si ti! I sjellshëm dhe zemër të madhe, kurrë nuk dëgjuam diçka të keqe nga ti për askënd,” shkruan ai, duke e quajtur një humbje të madhe për të gjithë.
Liberta Spahiu: “E pabesueshme”
Drejtuesja e platformës Prive, Liberta Spahiu, ka qenë ndër të parat që ka reaguar ndaj këtij lajmi të hidhur. Ajo ka postuar portretin e artistit me një mesazh që pasqyron dhimbjen e të gjithëve.
⁠”Çfarë lajmi i trishtë, e pabesueshme! U prehsh në paqe Shpat! Ngushëllime familjes,” shkruan Liberta, e shokuar nga kjo humbje e parakohshme.

Rovena Stefa: “Mik shpirtbardhë”
Këngëtarja Rovena Stefa, një bashkëpunëtore dhe mike e vjetër e artistit, ka postuar një foto bardh e zi të tij, duke shprehur dhimbjen e thellë.
⁠”Dhimbje e thellë humbja e mikut tim, kolegut tim të dashur e shpirtbardhë, Shpat Kasapi,” shkruan Rovena mes lotësh virtualë.
Iliriana Sadriu: “O Zot mëshiroje shpirtin e tij”
Edhe Iliriana Sadriu i është bashkuar reagimeve të shumta. Ajo ka rishpërndarë njoftimin e Prive, duke u lutur për paqen e tij të përjetshme.
⁠”O Zot mëshiroje shpirtin e tij, e ngushëllime gjithë familjes,” shkruan Iliriana, duke bashkangjitur emoji lutjeje.
Arbana Osmani: “Fati që punuam bashkë 20 vite më parë”
Moderatorja Arbana Osmani ka mbyllur vargun e reagimeve të para me një kujtim nostalgjik nga koha e artë e “Top Fest”, duke nënvizuar mirësjelljen që e karakterizonte Shpatin gjithmonë.
⁠”Lajmi për largimin e parakohshëm nga jeta të Shpat Kasapit… me të cilin kam patur fatin të punoj më shumë se 20 vite më parë në Top Fest dhe ta ftoj në skenë me dhjetëra herë. Faleminderit për muzikën, energjinë dhe buzëqeshjet e pakursyera,” shkruan Arbana.
NJË JETË NË SKENË: Kush ishte “djali i preferuar” i baladave dhe ritmit?
Shpat Kasapi (1985–2025), djali nga Tetova, nisi rrugëtimin e tij muzikor që në moshë të re, duke u bërë shumë shpejt një nga emrat më të dashur në trojet shqiptare.
Karriera e tij shpërtheu në fillim të viteve 2000, ku me pamjen e tij dhe zërin karakteristik u kthye në një idhull për brezin e ri të asaj kohe. Pjesëmarrës i rregullt në festivale si “Kënga Magjike” dhe “Top Fest”, Shpati na dhuroi hite të pavdekshme si “Kush të ndau prej meje”, “Valle Kosovare”, dhe shumë bashkëpunime që ndezën atmosferën në çdo koncert.
Përtej muzikës, ai njihej për natyrën e tij të butë, buzëqeshjen e përhershme dhe mungesën e skandaleve, duke ruajtur profilin e një artisti që fliste vetëm përmes punës së tij. Ikja e tij e hershme lë një boshllëk në muzikën shqiptare. /Prive By Liberta Spahiu