Pas tetë muajsh nga tragjedia në diskotekën “Puls” në Koçan…
Me një vonesë të vogël dhe në një sallë gjyqi të mbushur me njerëz filloi këtë mëngjes gjyqi për aksidentin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe u plagosën më shumë se 200.
Gjyqtarja Diana Gruevska premtoi se gjyqi do të jetë transparent. “Askush nuk e di se sa do të zgjasë gjyqi, bëj thirrje për durim dhe disiplinë.”, tha gjykatësja. “Do të arrijmë drejtësi!”, premtoi ajo para një salle të mbushur plot.
Përveç të pandehurve, në gjykim të pranishëm janë edhe të afërm të 63 viktimave që humbën jetën në aksidentin që ndodhi më 16 mars, përfaqësues të prokurorisë, mbrojtjes dhe gazetarë. Gjyqi për tragjedinë në diskotekën “Puls” në Koçan po ndiqet nga shumë media vendase dhe të huaja, si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike, vëzhgues nga OSBE-ja, ShBA-ja dhe BE-ja.
Seancat dëgjimore po mbahen në burgun e Idrizovës, me masa të shtuara sigurie dhe praninë e një ekipi mjekësor. Tragjedia ndodhi më 16 mars të këtij viti, kur 63 persona vdiqën, përfshirë fëmijë dhe mbi 200 persona u plagosën. Aktakuza u ngrit më 13 qershor dhe Gjykata Penale e miratoi atë më 3 tetor.
Çështja përfshin 38 të pandehur – 35 individë dhe tre persona juridikë – të cilët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë publike. Midis tyre janë pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë bashkie, anëtarë të sigurisë dhe nëpunës civilë. Seancat dëgjimore janë planifikuar të mbahen me një ritëm nga dy herë në javë.















