Ballina Kronika Dy të rinjtë e gjetur të vdekur në Pejë, prokuroria jep detaje...

Dy të rinjtë e gjetur të vdekur në Pejë, prokuroria jep detaje të reja

Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokuroria Themelore në Pejë ka folur lidhur me rastin e vdekjes së dy të rinjve, një ditë më parë, në një vilë në Pejë.

“Me të pranuar informatën, fillimisht ka dalë në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, më pas është njoftuar Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda. Me të kuptuar se janë dy viktima dhe për ta trajtuar më seriozisht rastin, në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore, znj. Lumturie Buqetaj, së bashku me prokurorin për krime të rënda”, ka deklaruar ai.

Nikçi ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes kanë qenë njësitë relevante policore, përfshirë Hetimet Rajonale dhe Krim-Teknikën. “Janë dy viktima, një mashkull dhe një femër. Me autorizim të prokurorit të shtetit, Policia e Kosovës ka sekuestruar prova materiale, përfshirë kamera, telefona, si dhe ka intervistuar dëshmitarë të mundshëm që mund të kenë informata për hyrjen në objekt dhe rrethana të tjera që mund të shërbejnë për veprimet e mëtejshme hetimore”, ka thënë ai.

Sipas tij, me urdhër të prokurorit të shtetit, dy trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, e cila pritet të sqarojë shkaqet dhe rrethanat e vdekjes.

Ai ka shtuar se në vendin e ngjarjes nuk është gjetur as armë dhe as shenja dhune.

Ka ndërruar jetë Makfirete Xhevdet Bytyqi
Vorrimi i të ndjerës bëhet nesër me datë
01.01.2026 në ora 15 : 00
Ngushëllime familjes Bytyqi

Gazeta Sinjali mëson se vajza që u gjet e pajetë është Makfirete Bytyqi, rreth 29-vjeçare, e cila ndodhej në të njëjtin objekt me Endrit Laiqin, rreth 23-vjeçar. Trupat e tyre janë gjetur në ambientet e quajtura “Villat 03”, pasi menaxheri i objektit ka dyshuar se të njëjtit nuk po reagonin

Policia e Kosovës sot në raportin 24-orësh tha se trupat e tyre janë dërguar për obduksion dhe se rasti i vdekjes së tyre është duke u hetuar.

“Rr e KFOR-it, Pejë 30.12.2025-15:10. Raportohet se në një vilë janë gjetur pa shenja jete dy viktimat, një mashkull dhe një femër kosovarë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimave. Me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë dërgohet në IML për obduksion”./