Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka publikuar një mesazh me rastin e Vitit të Ri, ku ka folur për zhvillimet ekonomike, projektet sociale, procesin e paqes dhe situatën rajonale.
Duke vënë në pah rezultatet pozitive të programeve ekonomike, Erdoğan tha se Turqia po rrit prodhimin, investimet, punësimin dhe eksportet.
500 mijë banesa sociale
Duke iu referuar projektit të 500 mijë banesave sociale, shorti i të cilit u hodh të hënën, Erdoğan deklaroi se ky projekt do të kontribuojë në uljen e çmimeve të qirave dhe do t’u vijë në ndihmë qytetarëve.
Ai shtoi se gjatë këtij viti do të forcohen më tej reformat ekonomike dhe se është arritur të rindërtohen qytetet e goditura nga tërmeti. Duke falënderuar të gjithë ata që kontribuan, presidenti theksoi: “Ata që e kritikojnë punën e bërë, i ftojmë të vijnë e ta shohin nga afër zonën e prekur nga tërmeti.”
Kthimi i sirianëve
Erdoğan deklaroi se pas përfundimit të luftës në Siri, rreth 600 mijë sirianë janë kthyer në vendin e tyre. “Sa më shumë të forcohet paqja në Siri, aq më shumë do të rriten kthimet vullnetare,” u shpreh ai, duke shtuar se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Sirinë. “Një Siri e fortë do t’i sjellë dobi gjithë rajonit,” theksoi presidenti.
“Nuk do ta harrojmë kurrë gjenocidin”
Duke folur për sulmet izraelite në Gaza, Erdoğan deklaroi se Turqia nuk do të heshtë derisa Izraeli të japë llogari. “Nuk do ta harrojmë kurrë gjenocidin,” tha ai.
“Procesi do të hapë një faqe të re”
Në lidhje me procesin e “Turqisë pa terror”, Erdoğan tha se është kapërcyer një prag i rëndësishëm. “Si Aleancë Popullore, jemi përqendruar te zgjidhja. Kemi vënë gjithë peshën tonë në këtë proces. Ai do të hapë një faqe të re. Presim që komisioni të veprojë me frymë konsensusi. Ky proces nuk mund t’u lihet llogarive të ngushta politike,” përfundoi ai.















