Menjëherë pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në “X”.
Mbrojtësi më i zjarrtë i Ballukut, shkruan se “pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, prokurori kërkon autorizimin për arrestimin e zv/kryeministres – me burg ose në shtëpi. Kjo tregon se arrestet pa gjyq janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, duke e bërë vendin tonë me më shumë të paraburgosur se të burgosur – një fakt që shqetëson seriozisht edhe Këshillin e Europës.”
Rama nënvizoi se opinionet do të jepen duke respektuar procesin ligjor, ndryshe nga rastet e tjera ku qeveria zakonisht nuk komenton përmbajtjen e çështjeve penale.
POSTIMI I PLOTE I RAMES
Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.
Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht.
Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.
Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi.
Që…
— Edi Rama (@ediramaal) December 16, 2025















