Pas protestave masive në Iran, retorika mes Uashingtonit dhe Teheranit është ashpërsuar ndjeshëm. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar hapur se është koha për një udhëheqje të re në Iran, pasi udhëheqësi suprem iranian e quajti atë “kriminel”. Nga ana e tij, Ali Khamenei e fajëson drejtpërdrejt Trumpin për shpërthimin e protestave mbarëkombëtare.
Trump: Regjimi mbahet me dhunë dhe shtypje
Në një deklaratë për portalin Politico, Trump tha se udhëheqësit në Teheran e mbajnë pushtetin përmes dhunës dhe represionit. “Është koha të kërkohet një udhëheqje e re në Iran”, theksoi ai.
Khamenei: Trump është ‘kriminel’
Duke folur para mbështetësve në Teheran, Ajatollahu deklaroi se Trump ka ndërhyrë personalisht në trazira, duke i inkurajuar protestuesit që të vazhdojnë dhe “të mos kenë frikë”. Sipas Khameneit, SHBA dhe presidenti amerikan janë përgjegjës për viktimat, dëmet dhe fyerjen ndaj popullit iranian dhe duhet të mbajnë përgjegjësi.
Në një seri postimesh në platformën X, Khamenei përsëriti se Trump është “fajtor për viktimat dhe dëmet”, duke akuzuar SHBA-në se synon ta rikthejë Iranin nën dominim ushtarak, politik dhe ekonomik. Khamenei është në pushtet që nga qershori i vitit 1989.
Paralajmërime, por pa sulm… për momentin
Trump ka paralajmëruar udhëheqjen iraniane që të mos ekzekutojë protestuesit, duke mos përjashtuar as ndërhyrjen ushtarake. Mbyllja e hapësirës ajrore iraniane të mërkurën nxiti spekulime për një sulm ajror amerikan, por ai nuk ndodhi. Trump tha se arsyeja ishte pezullimi i planifikuar i ekzekutimit të 800 personave nga autoritetet iraniane.
Spekulime për një sulm të mundshëm
Sipas Wall Street Journal, këshilltarët e Trumpit i kanë thënë se SHBA nuk ka ende kapacitete të mjaftueshme ushtarake në rajon për të goditur fort regjimin iranian dhe për t’u përballur me kundërpërgjigjen. Për këtë arsye, presidenti ka vendosur të presë derisa të ketë më shumë fuqi zjarri.
Raportohet se aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe anijet shoqëruese janë nisur drejt rajonit, së bashku me avionë luftarakë shtesë dhe sisteme mbrojtjeje raketore. Zyrtarë rajonalë vlerësojnë se një sulm mbetet i mundshëm.
Izraeli thërret mbledhje sigurie
Sipas medias izraelite ynet, kryeministri Benjamin Netanyahu pritet të mbledhë sot kabinetin e sigurisë, për shkak të tensioneve dhe mundësisë që Trump të urdhërojë një sulm ndaj udhëheqjes iraniane.
Akuzat për mijëra viktima
Trump e akuzoi Khamenein për dhunë të paprecedentë, duke thënë se regjimi ka shkatërruar vendin dhe ka vrarë mijëra njerëz për të ruajtur pushtetin. “Një udhëheqje duhet të qeverisë vendin, jo të vrasë popullin e vet për të mbijetuar”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Khamenei pranoi se gjatë protestave ka pasur mijëra të vrarë, por fajësoi “rebelët”. Aktivistë iranianë të të drejtave të njeriut raportojnë se forcat e sigurisë kanë qëlluar drejtpërdrejt protestuesit, përfshirë edhe me plumba në kokë, por këto të dhëna nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur për shkak të bllokadës informative.
Si nisën protestat
Protestat shpërthyen në fund të dhjetorit për shkak të krizës së rëndë ekonomike dhe inflacionit shumë të lartë, por shpejt u shndërruan në revolta politike kundër sistemit autoritar. Organizatat iraniane të të drejtave të njeriut raportojnë për mbi 3.400 të vrarë, megjithëse shifrat e sakta mbeten të paqarta./DER TAGESSPIEGEL/tetovanews















