
Qeveria federale gjermane ka konfirmuar se po zhvillon bisedime me partnerë evropianë lidhur me një ombrellë bërthamore evropiane. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, duke theksuar se diskutimet janë në fazë shumë të hershme dhe synojnë, për momentin, një vlerësim të gjendjes. Detaje të mëtejshme nuk u dhanë, pasi bisedimet janë tejet konfidenciale, shkruan Die Zeit.
Sipas informacioneve, kabineti Merz po flet kryesisht me Francën dhe Britaninë e Madhe. Kornelius rikujtoi se një ombrellë bërthamore evropiane ishte pjesë e deklaratave gjermano-franceze në vitin 2025 dhe se bisedimet aktuale mbështeten në këtë bazë. Meqë çështja lidhet me bashkëpunimin brenda NATO-s, edhe Britania e Madhe është e përfshirë. Franca dhe Britania janë fuqi bërthamore.
Qëllimi i Berlinit është të forcojë më tej aftësinë parandaluese dhe mbrojtëse të Evropës. Sipas qeverisë, ky parandalim shihet si pjesë e detyrimeve të NATO-s, të cilat – nga këndvështrimi gjerman – përfshijnë edhe parandalimin bërthamor.
Debati për një ombrellë bërthamore evropiane është intensifikuar pasi SHBA-të, nën presidentin Donald Trump, kanë vënë gjithnjë e më shpesh në pikëpyetje rolin e NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Evropa mbetet e varur nga mbrojtja e SHBA-ve./TetovaNews














