Komisioni Evropian po ndërmerr veprime kundër chatbot-it Grok të miliarderit amerikan Elon Musk për shkak të imazheve të seksualizuara të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, ku shfaqen gra dhe fëmijë. Hetuesit në Bruksel po shqyrtojnë nëse shërbimi online X i Musk po vepron mjaftueshëm rreptë për të frenuar përhapjen e këtyre imazheve përmes chatbot-it, njoftoi Komisioni të hënën. Si pasojë, Komisioni mund të vendosë një gjobë të lartë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Evropa nuk do të tolerojë “sjellje të papranueshme si zhveshja digjitale e grave dhe fëmijëve”. BE-ja nuk do të pranojë që korporata të mëdha digjitale të fitojnë para nga imazhe të tilla.
Përdorues të X-it, me ndihmën e chatbot-it, në fillim të këtij muaji kanë gjeneruar dhe publikuar miliona imazhe të krijuara nga IA, ku gra dhe vajza shfaqeshin pa pëlqimin e tyre me bikini, pothuajse të zhveshura ose në poza të seksualizuara. Sipas vlerësimeve të organizatës britanike joqeveritare CCDH, mes tyre kishte 23.000 imazhe fëmijësh. X ka deklaruar se që atëherë e ka kufizuar këtë funksion.
Imazhet e krijuara nga IA janë “një formë e dhunshme dhe e papranueshme poshtërimi”, deklaroi komisionerja evropiane për çështjet digjitale, Henna Virkkunen. Komisioni do të hetojë tani nëse X, me rregullat e tij të brendshme për Grok-un, respekton ligjet e BE-së apo “i ka trajtuar të drejtat e qytetareve dhe qytetarëve evropianë – përfshirë gratë dhe fëmijët – si dëm kolateral”.
Nëse akuzat konfirmohen, kjo do të përbënte shkelje të Ligjit të BE-së për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA). Me këtë ligj, BE-ja i detyron platformat e mëdha të internetit të fshijnë përmbajtje të ndaluara. Këtu përfshihen imazhet e seksualizuara, pornografia e fëmijëve, kërcënimet me vdekje dhe simbolet naziste, të cilat janë të ndaluara në internet po aq sa edhe në hapësirën publike.
Në Bruksel tashmë është në zhvillim një procedurë kundër X-it për shkak të përhapjes së përmbajtjeve të tilla, si pamje dhune dhe gjuhë urrejtjeje. Hetimet në lidhje me chatbot-in Grok i shtohen tani këtij procesi. Për më tepër, Komisioni dëshiron të shqyrtojë edhe sistemet e rekomandimit të platformës, të cilat përcaktojnë se çfarë u shfaqet përdoruesve. Këto sisteme tashmë bazohen gjithashtu në inteligjencën artificiale që qëndron pas Grok-ut.
Në fillim të dhjetorit, Komisioni kishte vendosur tashmë një gjobë të parë prej 120 milionë eurosh ndaj X-it. Atëherë bëhej fjalë, ndër të tjera, për mungesë transparence në reklama. Akuzat në lidhje me Grok-un janë dukshëm më të rënda. Nuk ka një afat të caktuar për procedurën në vazhdim.















