Ballina Bota Moti i keq pllakos Europën, dëbora, stuhitë dhe ngricat sjellin kaos në...

Moti i keq pllakos Europën, dëbora, stuhitë dhe ngricat sjellin kaos në transport

Bora, akulli dhe temperaturat e ulëta po shkaktojnë kaos në shumë vende të Evropës.

Autoritetet në Kosovë kanë bërë thirrje për kujdes në trafik, pas rënies së temperaturave dhe rreshjeve të borës, me pasojë ngricën në rrugët e vendit.

Policia u kërkoi qytetarëve që të kenë kujdes me lëvizjet, ndërsa shoferëve u këshillua që të ndjekin udhëzimet e qarkullimit bazuar në kushtet atmosferike.

Në Gjermani, temperaturat ranë nën -10°C në jug dhe lindje, ndërsa meteorologët paralajmërojnë stuhi të premten me borë të dendur.

Në Britani, termometri shkoi në -12.5°C, duke shkaktuar probleme në transport dhe mbylljen e shkollave.

Edhe në Francë, moti solli vështirësi në qarkullim. Në Paris, përkohësisht në të gjithë qytetin u ndërpre shërbimi urban i autobusëve. Edhe në qarkullimin e tramvajeve, metrosë dhe trenave rajonal ka pasur bllokime. Në aeroportet e Parisit u reduktuan fluturimet. Rrallëherë vitet e fundit shtresa e borës ka qëndruar kaq gjatë në kryeqytetin francez.

Në Holandë, në aeroportin e Amsterdamit u anuluan mbi 700 fluturime gjatë dy ditëve të fundit. Mbi 1.000 pasagjerë u janë dashur të kalojnë natën në aeroport. Autoritetet parashikojnë që moti dimëror me erëra të forta do të vazhdojë. Edhe qarkullimi i trenave në Holandë ka pasur pengesa dhe anulime, duke u paralizuar pjesërisht prej reshjeve të borës.