Përshëndetje miq të Gazetës Lajm dhe Lajm TV-së, Mirë se vini në intervistën e radhës, ku të ftuar në emision, respektivisht në këtë intervistë do ta kemi përfaqësuesin e lartë të VLEN-it, respektivisht deputetin Adnan Azizi. Zoti Azizi, mirë se erdhët.
Mirë se ju gjej.
Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të mbajtjes së mbledhjes tuaj partiake, respektivisht të Lëvizjes Besa, në të cilën u soll vendim partiak për shkarkimin e kryesisë qendrore të partisë suaj. Mund të ma shpjegoni pse ndodhi kjo, cila ishte arsyeja, çka i parapriu një vendimi të tillë, diçka më konkrete?
Tani ishte mbledhje e Kuvendit Qendror. Kuvendi Qendror është organi më i lartë i partisë mes dy kongreseve. Koalicioni VLEN tash ka filluar procesin e bashkimit drejt unifikimit të subjekteve të cilët e përbëjnë VLEN-in në një subjekt të vetëm. Ne kishim mbledhje të Kuvendit Qendror, ku në atë kuvend kryesia autorizoi kryetarin e partisë që të përfaqësojë dhe të nisë iniciativën drejt unifikimit dhe finalizimit të bashkimit të VLEN-it, dhe njëherit që të ketë gjithë kompetencën e përfaqësimit të gjithë strukturave, në sensin që VLEN-i ka moratorium, të gjithë subjektet kanë moratorium dhe kanë pushuar organet partiake.
Tani shkohet edhe një hap më andej që të pushojnë edhe pozitat partiake për ta autorizuar kryetarin e partisë, respektivisht zotin Kasami, që të përfaqësojë vullnetin e anëtarësisë së subjektit për të bërë bashkimin dhe unifikimin e VLEN-it.
Pyetjen e parashtrova kush i parapriu, çka i parapriu, në kuptimin që kishte disa deklarata që nuk ishin në një vijë partiake mes ministrit për Punë dhe Politikë Sociale, zotit Fatmir Limani, dhe kreut partiak, respektivisht Bilall Kasami. Tani me shkarkimin e kryesisë praktikisht pushon edhe përfaqësimi i tij në kreun e partisë, respektivisht të qenurit anëtar i kryesisë qendrore. Po çfarë ndodh me postin e tij si ministër?
Kuvendi i partisë solli dy vendime me rëndësi: një, autorizoi kryetarin për të përfaqësuar Lëvizjen Besa në tavolinën dhe iniciativën për finalizimin e procesit të unifikimit të VLEN-it, gjë që e kërkon anëtarësia, e kërkojnë edhe shqiptarët që VLEN-in ta shohin të bashkuar; dhe dyta ishte që të nisë procesi i llogaridhënies dhe vlerësimit të punës të secilit funksionar të Lëvizjes Besa.
Në rast se keni ndjekur edhe përfaqësimin tonë në nivel komunal, Lëvizja Besa njihet për sukseset e veta, për ndryshimet që ka sjellë, për punën e madhe që ka bërë në pushtetin lokal, në komunën e Zhelinës dhe në veçanti në komunën e Tetovës. Aspiratat dhe pretendimet tona janë që funksionarët tanë duhet ta bëjnë maksimumin për të qenë më efikasit dhe për të qenë në nivel të detyrës për të përfaqësuar shqiptarët edhe në ekzekutiv.
Për rrjedhojë të kësaj, edhe unë, edhe ministri në fjalë, edhe gjithë funksionarët – ministrat, zëvendësministrat, drejtorët – do të duhet t’i nënshtrohen një procesi të skanimit dhe të vlerësimit të punës, një nga një. Në rast se nuk kanë arritur objektivat që ka ngarkuar subjekti, personat të cilët nuk kanë realizuar aspiratat tona duhet të hapin rrugën dhe t’u lënë hapësirë personave të tjerë që do të jenë edhe më efikas.
Kjo ka ndodhur edhe në Tetovë. Ne kemi bërë ndryshim të drejtorëve, kemi bërë këmbim të disa pozitave dhe kjo gjithmonë në sensin që ne të bëjmë më të mirën e mundshme.
Konkretisht ministri Fatmir Limani, në bazë të vlerësimeve tuaja të deritanishme, bën pjesë te ata funksionarë që janë dëshmuar apo kanë treguar më pak suksese duke qenë i pari i dikasterit ministror?
Nga momenti i mbajtjes së Kuvendit ka nisur procesi i vlerësimit dhe raportit të secilit një nga një. Nuk duhet të prejudikoj para se të përfundojë ky proces, por edhe ministri në fjalë do të duhet t’i nënshtrohet llogaridhënies.
Ne si Lëvizja Besa, në kuadër të VLEN-it që morëm 107 mijë vota për të përfaqësuar shqiptarët, duhet të japim llogari dhe të përgjigjemi para organeve të partisë.
Hipotetikisht, zoti Azizi, kryeministri Mickoski me një deklaratë, duke u bashkangjitur kësaj mos-harmonizimi të qëndrimeve mes zotit Limani dhe Kasami, tha se është i kënaqur me punën e Fatmir Limanit. U krijua përshtypja sikur në mënyrë indirekte po i përgjigjet zotit Kasami. Çfarë ndodh nëse ju nuk jeni të kënaqur, ndërsa kryeministri është i kënaqur?
Mandatet dhe përgjegjësitë tona burojnë nga struktura, nga votuesit shqiptarë, nga 107 mijë votuesit që e mbështetën VLEN-in në zgjedhjet parlamentare. Pikërisht nga ky verdikt buron edhe përgjegjësia dhe llogaridhënia.
Pavarësisht asaj që thotë kryeministri, në rast se jepet një vlerësim se një ministër nuk ka përmbushur detyrat që ia ka dhënë subjekti, kryeministri mund ta mbajë në ekipin e vet, por jo si përfaqësues të Lëvizjes Besa dhe të VLEN-it.
Nëse rezulton që nuk ka mbrojtur interesat e shqiptarëve dhe të subjektit që e ka deleguar, padyshim që e drejta për ta shkarkuar dhe për të propozuar person tjetër është e subjektit përkatës. Nuk mund të luhet individualisht. Nuk ka politikë me preferenca personale, por politikë që buron nga një strukturë e organizuar dhe nga baza partiake.
Si janë raportet mes jush dhe Mickoskit?
Në kombinatorikat e qeverisjes nuk janë raporte dashurie, janë raporte partneriteti. Ka interesa, jo dashuri. Ne përfaqësojmë shqiptarët në ekzekutiv, kryeministri përfaqëson etninë maqedonase. Nganjëherë ka mirëkuptim, por në raste të caktuara ka edhe përplasje për prioritete.
Ne do ta bëjmë betejën për ata që na kanë dhënë mandatin.
U përfol në media se Lëvizja Besa do të dalë nga qeveria. Pse nuk u konkretizua kjo?
Mendoj se është dëshirë e shfrenuar e BDI-së për t’u kthyer në qeveri. Ata edhe gjatë negociatave me VMRO-në ishin pas derës, madje është pohuar se ofruan hyrje në qeveri me më pak ministra vetëm për të qenë pjesë e saj.
Ne kemi marrë mandat dhe jemi subjekt serioz. Përderisa beteja brenda institucioneve jep rezultate, do të jemi aty për të mbrojtur interesat e shqiptarëve dhe qytetarëve.
Sa i përket daljes nga qeveria, ne nuk mund të luajmë si subjekt i veçantë, pasi kemi koalicion me VLEN-in. Çdo vendim merret nga liderët e VLEN-it si tërësi.
Pas dorëheqjes kolektive u tha se u hap rruga drejt shkrirjes së katër subjekteve në një. Deri ku ka shkuar ky proces?
Shkrirja në një subjekt politik është kërkesë e anëtarësisë dhe votuesve tanë. Shpresoj që lidershipi i VLEN-it ka vullnet për ta çuar procesin drejt bashkimit.
Nuk është e lehtë katër subjekte të shkrihen në një, por ka disponim. Procesi është në fazën përfundimtare. Po zhvillojmë biseda intensive për modelin organizativ, strukturën dhe programin.
Historikisht shqiptarët kanë dalë të përçarë nga procese të tilla. Ne e nisëm iniciativën për unifikimin e opozitës shqiptare, edhe pse shumëkush ishte skeptik. Ishte një rrugë me plot peripeci, por me sakrifica për një interes më madhor – ndërtimin e një subjekti të fortë që quhet VLEN.
Tani procesi duhet të bëhet mbi parimet e drejtësisë, përfaqësimit dhe inkluzivitetit, ku secili do ta gjejë veten.
A do të ketë ndryshime konkrete pas procesit të vlerësimit?
Deklarata e kryetarit është në sensin që nuk ka pozita të paprekshme, nuk ka pashallëqe. Ka obligime, detyrime dhe llogaridhënie.
Nga momenti i mbajtjes së Kuvendit ka nisur procesi i vlerësimit. Në pushtetin lokal dhe në ekzekutiv kemi bërë ndryshime aty ku kemi vlerësuar se nuk janë arritur pritjet tona.
Nuk ka pasur keqpërdorime apo skandale, por ne duam që përfaqësimi i shqiptarëve të jetë në nivel maksimal, duke plotësuar aspiratat dhe nevojat e qytetarëve që na kanë dhënë mandatin.
Zoti Azizi, ju faleminderit për kohën.
Faleminderit edhe juve, ishte kënaqësi.















